Trashëgimia e pejgamberëve alejhimus-salatu ue selam!

Trashëgimia e pejgamberëve alejhimus-salatu ue selam!

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Tema e ligjëratës së këtij takimi ishte “Trashëgimia e pejgamberëve”.

Pejgamberët, alejhimus-salatu ue selam, nuk lënë trashëgimi pasurie. Edhe sikur të kishin lënë pasuri të mëdha, të afërmit e tyre nuk do t’i trashëgonin, sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ne, pejgamberët, nuk lëmë trashëgimi; ajo që lëmë pas është sadaka.”

Kjo është nga urtësia e Allahut, sepse po të ishte që pejgamberi të linte trashëgimi, shpifësit dhe gënjeshtarët do të thoshin:
“Ky po mbledh pasuri që t’ia lërë trashëgim familjes së vet.”
Pra, ata nuk lënë trashëgimi pasurie.

Sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar:

فَهَبْ لِي مِنْ لَدُنْكَ وَلِيّاً * يَرِثُنِي وَيَرِثُ مِنْ آلِ يَعْقُوبَ

“Më dhuro prej Teje një trashëgues, i cili do të më trashëgojë mua dhe pasardhësit e Jakubit…”

| Merjem 5–6 |.

Atje, qëllimi është trashëgimia e dijes dhe e pejgamberisë, jo e pasurisë, sepse në vazhdim thuhet:

يَرِثُنِي وَيَرِثُ مِنْ آلِ يَعْقُوبَ

“I cili do të më trashëgojë mua dhe pasardhësit e Jakubit…”

| Merjem 6 |.

Dhe është e ditur se njeriu nuk trashëgon pasuri veçse nga babai i tij. Prandaj, ky është trashëgim i dijes, jo i pasurisë.

Pejgamberët kanë lënë trashëgim vetëm një gjë – diturinë. Kush e merr atë, ka marrë një pjesë të madhe të mirësisë.

Mirëpo, dijetarët që e kanë trashëguar dijen e pejgamberëve duhet t’i trashëgojnë ata edhe në tri gjëra të tjera:
1. Në adhurimet e tyre.
2. Në thirrjen e tyre për te Allahu i Lartësuar.
3. Në moralin e tyre.

Pra, dijetari duhet të jetë nga më të përkushtuarit në adhurimin e Allahut, sepse ai i fton njerëzit në adhurim — e si mund t’i ftojë ata në të, nëse vetë është i pakujdesshëm ndaj tij?

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të cilin Allahu e ngarkoi me misionin më të madh, ishte njeriu që e kishte më shumë frikë Allahun dhe më i devotshmi ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Ai ngrihej natën për faljen e namazit të natës, derisa i ënjtnin këmbët nga qëndrimi i gjatë.

Njëherë, Hudhejfe ibnul-Jemani u fal pas tij. Ai tregon:

“E lexoi suren el-Bekare dhe mendova se do të ndalonte tek njëqind ajetet, por ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vazhdoi derisa e përfundoi Bekaren. Pastaj filloi en-Nisa dhe e përfundoi, pastaj Ali Imran dhe e përfundoi — tre sure që arrijnë rreth pesë xhuza e një të katërt të xhuzit të gjashtë.”

Hudhejfe vazhdon dhe tregon:

“Sa herë që kalonte pranë një ajeti që përmbante lavdërim të Allahut, ai bënte tesbih; kur kalonte një ajet që fliste për mëshirën, ai lutej; dhe kur lexonte një ajet që përmendte dënimin, kërkonte mbrojtje.”

Prandaj, qëndrimi i tij në namaz ishte shumë i gjatë.

Edhe Ibën Mes’udi është falur pas tij dhe thotë:

“E zgjati aq shumë saqë unë mendova një gjë të keqe.”

E pyetën: “Çfarë mendove?”
Tha:

“Mendova të ulem dhe ta lë të vazhdojë vetëm.”

Pra, them:
Ai që trashëgon pejgamberët në dituri, të cilit Allahu i ka dhënë këtë mirësi, duhet t’i trashëgojë ata edhe në adhurim, dhe të jetë nga më të dalluarit në adhurim ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Gjithashtu, duhet t’i trashëgojë ata në thirrjen për te Allahu i Plotfuqishëm, fshehtas e hapur, për të gjithë e për të veçantë. Por, për këtë duhet të ketë kuptim të qartë dhe njohuri të thellë në dituri.

Duhet të ketë te njeriu dituri të vërtetë; nuk duhet të marrë dituri sipërfaqësisht e pastaj të mburret duke thënë:

“E dini ju kush jam unë?!”
Disa nxënës të dijes marrin diçka prej diturisë sipërfaqësisht; dhe kur mësojnë një çështje të vetme, bëhen të vetëkënaqur, duke thënë:

“E dini ju kush jam unë?!”

Pastaj fillojnë të japin fetua, të flasin e të bërtasin. Madje është e njohur që, kur një i tillë ulet me popullin e thjeshtë, ata e konsiderojnë si një shejh të madh dhe dijetar, sepse ai që është nga masa e thjeshtë nuk di gjë.

Prandaj, njeriut i duhet të ketë dituri të thellë, me të cilën të thërrasë për te Allahu, duke pasur kuptim të saktë të fesë. Kjo është e domosdoshme. Thirrja duhet të jetë e vërtetë dhe e mbështetur në mençuri.

Nëse shikojmë mënyrën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në thirrjen e njerëzve drejt së vërtetës, a ishte ajo me ashpërsi e shtypje, apo me butësi dhe mençuri?
Natyrisht, me butësi dhe mençuri.

Dëgjo fjalën e Allahut të Lartësuar:

فَبِمَا رَحْمَةٍ مِنَ اللَّهِ لِنْتَ لَهُمْ وَلَوْ كُنْتَ فَظّاً غَلِيظَ الْقَلْبِ لَانْفَضُّوا مِنْ حَوْلِكَ

“Dhe nga mëshira e Allahut (ti Muhamed) u solle butë me ta. Po të kishe qenë i rreptë e me zemër të ashpër, ata do të kishin hequr dorë prej teje…”

| Ali Imran 159 |.

Lus Allahun që t’i zbusë zemrat tona dhe zemrat e vëllezërve tanë, dhe të na e mundësojë përmendjen e Tij!

Ai i thërriste njerëzit me butësi dhe mirësi, edhe pse kishte xhelozi dhe përkujdesje të madhe për ta. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte më xhelozi se të gjithë.

Kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar:

وَالَّذِينَ يَرْمُونَ الْمُحْصَنَاتِ ثُمَّ لَمْ يَأْتُوا بِأَرْبَعَةِ شُهَدَاءَ فَاجْلِدُوهُمْ ثَمَانِينَ جَلْدَةً وَلا تَقْبَلُوا لَهُمْ شَهَادَةً أَبَداً وَأُولَئِكَ هُمُ الْفَاسِقُونَ

“Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos u pranonin dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm.”

| En-Nur 4 |.

Sa‘d ibën Ubade, i cili ishte më xhelozi në mesin e njerëzve, tha:

“O i Dërguar i Allahut! Po ndodhi te gruaja ime? Do të shkoj e të sjell katër dëshmitarë?! Për Allahun, do ta godas me shpatë!”

Shiko fjalën e Sa‘dit! Po ta gjente një burrë tek gruaja e vet, ai thoshte:

“Për Allahun, do ta godas me shpatë!” — domethënë, do ta godasë dhe do ta copëtojë.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha:

“A nuk habiteni me xhelozinë e Sa‘dit? Për Allahun, unë jam më xheloz se Sa‘di, dhe Allahu është më xheloz se unë.”

Kjo dëshmon se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte më xhelozi në mesin e njerëzve, por megjithatë në thirrjen e tij për te Allahu përdorte butësi dhe lehtësi.

Do të jap një shembull të bukur:

Një beduin hyri në xhaminë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, shkoi në një cep të xhamisë, u ul dhe urinoi.

Xhamia e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është ndër xhamitë më të shenjta pas Qabesë. Aty ishte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe sahabët. Disa e shqetësuan dhe i bërtitën, por Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha:

“Lëreni, mos e ndërprisni.”

Domethënë: mos i ndërprisni gjatë urinimit. Ata e lanë, duke u bindur ndaj urdhrit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, edhe pse e dinin se kjo ishte e urryer (ndaluar).

Kur beduini mbaroi, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem urdhëroi që të sillnin një kovë me ujë dhe e hodhi mbi urinën, duke pastruar vendin.

Më pas, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e thirri dhe i tha:

“Këto xhami nuk janë vende që i përshtaten ndotjes apo papastërtisë; ato janë bërë vetëm për madhërimin e Allahut, për lartësimin e Tij dhe për leximin e Kur’anit.”

Zemra e beduinit u zbut nga fjalët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, por nga ana tjetër u ngushtua për diçka tjetër. Ai tha:

“O Zot, më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe mos mëshiro askënd tjetër!”

Sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e trajtoi me butësi dhe mirësi, zemra e tij u zbut; ndërsa sahabët radijAllahu anhum e trajtuan me ashpërsi dhe i bërtitën.
Mendo! Si arriti kjo fjali nga ai beduin të bëhet kaq e madhe, derisa ta ngushton ajo që është e gjerë, sa të thoshte:

“O Zot, më mëshiro mua dhe Muhamedin, dhe mos mëshiro askënd tjetër!”

Prandaj, ai që fton në Islam duhet të ketë dije rreth sheriatit të Allahut para çdo gjëje, dhe duhet të ketë mençuri se si t’i trajtojë çështjet dhe si t’i thërrasë njerëzit.

Duhet të durojë vështirësitë kur sheh dikë duke bërë ndonjë mëkat, sepse të bërtiturat dhe reagimet e forta vetëm sa e largojnë atë. Qëllimi është përmirësimi i njeriut.

Mjeku i sinqertë e merr në shërim një pacient krejt të ndyrë e të sëmurë; ai duron erën e keqe dhe sëmundjen e tij, sepse dëshiron ta shërojë. Po ashtu, ti përballesh me këtë të paditur sipas nivelit të injorancës së tij, derisa të mundesh ta kthesh zemrën e tij, sepse kur fiton zemrën e tij, ai të pranon me sinqeritet.

Çështja e tretë:

Është që njeriu ta trashëgojë Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në moralin e tij, për të cilin Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَإِنَّكَ لَعَلَى خُلُقٍ عَظِيمٍ

“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”

| El-Kalem 4 |.

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte njeriu me moralin më të bukur ndër njerëz.

Kush dëshiron të dijë më shumë për këtë, le të lexojë pjesën e fundit të librit të Shejhul-Islam Ibën Tejmijes, “El-Xhevabus-sahih li men beddele dinel-Mesih”, ku ai përmend fjalë që meritojnë të shkruhen me ujë ari, për jetën, sjelljet dhe edukatën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

O vëlla, mbaje veten me moral të mirë! Sepse ti nuk mund t’i kënaqësh njerëzit me pasurinë tënde, sado që të kesh, por me sjellje të mirë mund t’i kënaqësh të gjithë, nëse morali yt është i bukur.

A nuk e dini se njëherë një beduin erdhi te i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e kapi me forcë rrobën e tij aq sa i la shenjë në qafë, dhe i tha:

“O Muhamed, ndaje pasurinë (jep më shumë)!”

Sepse beduinët e donin pasurinë dhe ishin të drejtpërdrejtë në fjalë.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk i tha asnjë fjalë të ashpër, por u kthye dhe qeshi.

Megjithëse ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kishte pozitën më të lartë që ka pasur ndonjëherë njeri, ai i trajtonte njerëzit me moral të mirë.

Nëse dëshiron që njerëzit të të respektojnë, nderojnë dhe pranojnë, sillu me ta me sjellje të mirë.

Mbaje gjithmonë përpara syve fjalën e Allahut të Lartësuar:

خُذِ الْعَفْوَ وَأْمُرْ بِالْعُرْفِ وَأَعْرِضْ عَنِ الْجَاهِلِينَ

“Trego mëshirë dhe urdhëro mirësinë, dhe largohu prej të paditurve (mos i ndëshko ata).”

| El-A‘raf 199 |.

Fjala “خُذِ الْعَفْوَ” do të thotë: Mos i detyro njerëzit të jenë ashtu siç ti do.

Ti jep shembull dhe jeto vetë sipas asaj që do. Sillu me njerëzit me moral të mirë; prano atë që ata lënë pas ose e neglizhojnë, harro mangësitë e tyre dhe mos u mundo t’i kërkosh me ngulm.

Tolero, mos u kushto vëmendje të metave të tyre, dhe largoju prej tyre, derisa të arrish të kesh moralin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në sjellje.

Lusim Allahun e Lartësuar që të na mundësojë neve dhe juve ta ndjekim të Dërguarin e Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në pamjen e dukshme dhe në atë të brendshme, të na japë përfundim të mirë në këtë botë duke qenë në fenë e tij, të na ringjallë në shoqërinë e tij, të na japë të pimë nga haudi i tij, dhe të na gëzojë me takimin me të në shtëpinë e nderit të Tij. Vërtet, Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe salavatet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
| Kitabul-Likaish-Shehrijj • 38/6–9 |.
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button