Durimi me dëshirë është më i vlefshëm dhe më i përsosur se durimi kur s’ke rrugë tjetër

Kam dëgjuar Shejhul-Islam Ibën Tejmijen, Allahu e mëshiroftë, duke thënë:

Durimi i Jusufit alejhis-selam për t’iu shmangur gruas së ministrit, megjithë thirrjen e saj të fortë, ishte më i përsosur se durimi i tij kur vëllezërit e hodhën në pus, e shitën si skllav dhe e ndanë nga babai i tij.

Sepse ato gjëra ndodhën pa dëshirën dhe pa zgjedhjen e tij; në raste të tilla robi nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveçse të durojë. Ndërsa durimi i tij për t’u përmbajtur nga mëkati ishte durim me zgjedhje, i shoqëruar me kënaqësi dhe luftë kundër vetes. Veçanërisht kur mblidhen shkaqe që e forcojnë dëshirën për të rënë në mëkat:

– Ishte i ri, dhe dëshira e të rinjve është e fortë;
– Ishte beqar, pa bashkëshorte që ta shfrynte epshin;
– Ishte i huaj, dhe i huaji nuk turpërohet në një vend të huaj ashtu si turpërohet mes të njohurve e të afërmve;
– Ishte rob (skllav), dhe ndjenja e përgjegjësisë te robi nuk është si ajo e të lirëve;
– Gruaja ishte e bukur dhe me pozitë të lartë;
– Ishte zonja e tij (mbi të në pozitë);
– Askush nuk e mbikëqyrte;
– Dhe ajo ishte ajo që e ftoi e para, bëri përpjekje maksimale në këtë aspekt, madje e kërcënoi se po të mos pranonte do ta hidhte në burg dhe do ta poshtëronte.

Edhe pse ishin gjithë këto shtysa të forta, ai duroi me vullnetin e tij, duke zgjedhur atë (shpërblimin) që është tek Allahu i Lartësuar. E si mund të krahasohet ky lloj durimi me durimin e tij në pus, për diçka që nuk varej prej tij?!

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë,
(Medarixhus-Salikin 2/156)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button