Dëshmia e një hebreu për pejgamberinë e Muhamedit ﷺ para shpalljes

Është transmetuar nga Hasan ibën Thabiti radijAllahu anhu dhe nga disa prej robërve të liruar të fisit Kurejshit se një burrë prej hebrenjve merrej me tregti në Mekë. Kur erdhi nata në të cilën lindi i Dërguari i Allahut ﷺ, ai shkoi në një nga tubimet e kurejshëve dhe tha:

O ju kurejshë, a ka lindur sonte ndonjë fëmijë mes jush?

Ata thanë: Pasha Allahun, nuk dimë.

Hebreu tha: Shikoni mirë, o kurejshë, dhe mbajeni mend atë që po ju them: sonte ka lindur pejgamberi i fundit i këtij umeti. Midis shpatullave të tij gjendet një shenjë, në të cilën ka disa qime të renditura njëra pas tjetrës.

Njerëzit u shpërndanë nga tubimet e tyre duke u habitur nga fjalët e tij. Kur u kthyen në shtëpitë e tyre, pyetën familjarët dhe u tha se AbdUllah ibën Abdul-Muttalibit i kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vënë emrin Muhamed.

Të nesërmen u mblodhën përsëri dhe shkuan te hebreu. I thanë:

O hebre, te ne ka lindur një fëmijë.

Ai tha: Para se t’jua thosha unë apo pas kësaj?

Ata thanë: Para se të na e thoje ti. Ai është djali i AbdUllah ibën Abdul-Muttalibit.”

Hebreu tha: Më çoni tek ai që ta shoh.

Ai shkoi me ta derisa arritën te nëna e tij, Eminja. Ata i thanë:

Na nxirre djalin tënd.

Ajo e nxori. Kur hebreu ia zbuloi shpinën foshnjës dhe pa Vulën e Pejgamberisë midis shpatullave të tij, ra pa ndjenja.

Kur erdhi në vete, ata i thanë:

Ç’të ndodhi?

Ai tha me keqardhje:

Pasha Allahun, pejgamberia iku nga Beni Israilët! A u gëzuat për këtë, o kurejshë? Pasha Allahun, ai do t’ju japë një fuqi të tillë, sa lajmi i saj do të përhapet nga lindja deri në perëndim.

Kjo ngjarje përforcon një të vërtetë Kur’an-ore që e ka përmendur Allahu i Lartësuar: dijetarët e Ehli Kitabit e njihnin Pejgamberin ﷺ para se të dërgohej si i dërguar, madje edhe para lindjes së tij, ashtu siç i njohin bijtë e tyre. Mirëpo mendjemadhësia dhe zilia, pasi pejgamberia kaloi nga Beni Israilët te arabët, i penguan shumicën prej tyre që ta besonin.

Kjo ngjarje konsiderohet prej argumenteve të pejgamberisë dhe është shënuar nga imamët e hadithit dhe të historisë në veprat e tyre të njohura, si Imam Ibën Sa’di (v. 230 h.) në “Et-Tabekatul-Kubra”, Imam Hakim en-Nejsaburi (v. 405 h.) në “El-Mustedrek ala es-Sahihajn”, dhe Imam Bejhekiu (v. 458 h.) në “Delailun-Nubuvveh”.

(Marrë nga faqja e shejh Rreslanit në Facebook)

Përktheu: Besim Gjelaj

Back to top button