Shenjat e dijetarëve të vërtetë
I nderuari shejh, si t’i dalloj dijetarët e vërtetë nga ata që shtiren si dijetarë dhe i devijojnë njerëzit me fetvatë e tyre?
Me disa gjëra, të cilat po i përmbledh shkurt:
E para: kujdesi i tyre ndaj Teuhidit dhe kapja pas tij.
E dyta: thirrja e tyre për tek Libri i Allahut të Plotfuqishëm dhe Suneti i të Dërguarit të Tij salAllahu alejhi ue selem.
E treta: zbatimi praktik i kësaj.
E katërta: qëndrueshmëria gjatë fitneve; ata nuk ndryshojnë me ndryshimin e gjendjeve, ditëve dhe kohëve. Përkundrazi, qëndrimet e tyre ndaj çështjeve që u paraqiten mbeten të njëjta: i kthejnë ato te Libri i Allahut të Plotfuqishëm dhe te Suneti i të
Dërguarit të Tij salAllahu alejhi ue selem, sipas metodologjisë së muslimanëve të parë të mirë, dhe prej kësaj nxjerrin përfundimin e çështjeve.
Gjithashtu, prej shenjave të tyre është qartësia: ata nuk fshihen, nuk i mbledhin njerëzit në vetmi, në vende të largëta, lugina apo korridore të fshehta; sepse feja është fe e hapur dhe e qartë, në të nuk ka gjë të fshehtë.
Sufjan ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse i sheh disa njerëz që bisedojnë fshehurazi për një çështje, duke e veçuar atë nga masa e tyre, atëherë dije se ata janë duke themeluar devijimin.”
Prej shenjave të tyre është edhe se ata nuk kujdesen për reklamimin e vetes. Nëse dikush prej tyre është në roje, qëndron në roje; e nëse është në fund të rreshtit, qëndron në fund të rreshtit.
Prej shenjave të tyre është gjithashtu se ata duan për vëllezërit e tyre atë që duan për veten e tyre, dhe qëllimi i tyre është udhëzimi i njerëzve drejt së mirës.
“Që Allahu të udhëzojë nëpërmjet teje një njeri të vetëm, është më mirë për ty sesa devetë e kuqe.” (Hadith).
Këto janë disa prej shenjave të dijetarëve vërtetë, pas të cilëve duhet të kapemi dhe rrugën e të cilëve duhet ta ndjekim. Ata, falënderimi i takon Allahut, janë të shumtë dhe ekzistojnë. Mirëpo kam frikë t’i përmend me emra, që të mos gaboj duke lënë jashtë dikë që meriton të përmendet. Ata janë të shumtë, dhe po ashtu edhe nxënësit e dijes që ecin në rrugën e tyre janë të shumtë.
Falënderimi dhe mirësia i takojnë Allahut.
Shejh Salih Suhejmi, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.