Kundërpërgjigjja ndaj bidatçive është pjesë e këshillës
Pyetja:
Cila është përgjigjja ndaj atij që e nënvlerëson rëndësinë e kundërpërgjigjeve ndaj bidatçive dhe thotë: Kjo është humbje e dijes dhe kjo nuk ka qenë metodologjia e selefëve?
Përgjigjja:
Ky është injorant. Ai që e thotë këtë fjalë është injorant.
Atij që kundërshton i kundërpërgjigjemi dhe ia sqarojmë kundërshtimin e tij, me qëllim që të kthehet te e sakta dhe me qëllim që të tjerët të mos mashtrohen nga gabimi i tij.
Kjo është pjesë e këshillës. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Feja është këshillë. Ne (sahabet) thamë: Për kë, o i Dërguari i Allahut?
Ai tha: Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe për masën e tyre.”
Prandaj, prej këshillës ndaj Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Allahut ﷺ është që t’i kundërpërgjigjemi atij që gabon në lidhje me to, i interpreton ato në mënyrë jo të saktë dhe i shpjegon ato jo me të vërtetën.
Ne duhet t’i kundërpërgjigjemi dhe t’ia sqarojmë gabimin e tij. Çdo njeri që gabon në ndonjë çështje prej çështjeve të fesë dhe adhurimit, duhet të sqarohet gabimi i tij. Përndryshe, nëse njerëzit do të liheshin, feja do të humbiste.
Allahu i Madhëruar iu është kundërpërgjigjur politeistëve në Kur’an, iu është kundërpërgjigjur hebrenjve dhe iu është kundërpërgjigjur të krishterëve. Kundërpërgjigjet gjenden në Kur’an. Ai iu kundërpërgjigj atyre dhe nuk i la pa përgjigje.
Prandaj, të thuhet se kundërshtarit nuk i kundërpërgjigjemi, është fjalë e një injoranti që nuk di.
Mirëpo, ai që merret me kundërpërgjigje duhet të jetë prej njerëzve të dijes. O vëllezërit e mi, me këto çështje merren dijetarët. Nuk merren injorantët dhe as fillestarët në kërkimin e dijes. Këta gabojnë më shumë sesa që ia qëllojnë.
Madje, mund të ndodhë që gabimi i tyre të jetë më i madh se gabimi i atij të cilit i kundërpërgjigjen, dhe mund t’i kundërpërgjigjen nga injoranca.
Prandaj, me kundërpërgjigjet duhet të merren vetëm njerëzit e dijes, njerëzit e mprehtësisë dhe ata që posedojnë dije.
Shejh Salih elFeuzan, Allahu e ruajttë!
(Durus ue Fetaua el-Mesxhid el-Haram, 4/478–479)
Përktheu: Besim Gjelaj