Kërkimi i dijes është adhurim
Pyetja e tretë:
Një person pyeti:
Kam kërkuar dije për disa vite, mirëpo ajo që mësoj nuk më mbetet në mendje dhe nuk e ndiej se kam përfituar. Çfarë më këshilloni? Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigjja:
Mos thuaj: Nuk e ndiej se kam përfituar, sepse kërkuesi i dijes është në adhurim.
Qëllimi i kërkimit të dijes është fitimi i kënaqësisë së Allahut të Madhëruar dhe të Lartësuar.
Ju e dini historinë e atij njeriu që erdhi i penduar. Kur atij i erdhi engjëlli i vdekjes, u grindën për të engjëjt e mëshirës me engjëjt e dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai erdhi i penduar dhe me zemrën e tij iu drejtua Allahut të Madhëruar.” Ndërsa engjëjt e dënimit thanë: “Ai nuk ka bërë kurrë ndonjë vepër të mirë.”
Pastaj u erdhi një engjëll në formën e një njeriu dhe e caktuan atë gjykatës mes tyre. Ai tha: “Matni distancën ndërmjet dy tokave dhe shikoni se cilës prej tyre është më afër; ai i përket asaj.” Ata e matën dhe e gjetën se ai ishte më afër tokës drejt së cilës kishte synuar. Kështu, e morën engjëjt e mëshirës. (Buhariu 6/373; Muslimi nr.7008).
Këtij njeriu të penduar iu falën mëkatet, sepse nisja e tij drejt atij vendi u llogarit në favor të tij. Po kështu, hapat e kërkuesit të dijes në kërkimin e dijes janë adhurim, ashtu siç ishin hapat e atij njeriu të penduar që ishte nisur drejt tokës së mirësisë.
Kërkimi i dijes është më i mirë për ty sesa namazet nafile, apo sesa disa prej adhurimeve vullnetare. Dhe patjetër duhet të kesh nijetin e sinqertë.
Pastaj, dobia e dijes arrihet shkallë-shkallë. Nuk është qëllimi ose të bëhesh dijetar, ose të mos jesh fare kërkues dije.
Qëllimi i kërkimit tënd të dijes është ta largosh injorancën nga vetja, ta adhurosh Allahun e Madhëruar dhe të Lartësuar, me adhurime të sakta, të kesh një besim të shëndoshë dhe t’i drejtohesh Allahut të Madhëruar dhe të Lartësuar, me zemër të pastër nga dyshimet dhe nga dashuria për famën.
Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar, thotë: يَوْمَ لَا يَنْفَعُ مَالٌ وَلَا بَنُونَ – إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ
“Ditën kur nuk do të bëjnë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.” (Shuara: 88–89).
Dhe thotë: إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ إِنَّا لَا نُضِيعُ أَجْرَ مَنْ أَحْسَنَ عَمَلًا
“Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.” (Kehf: 30).
Edhe nëse dija nuk do të të sillte dobi përveçse ty dhe familjes sate, kjo do të ishte një mirësi e madhe.
Shejh Salih Alu Shejh, Allahu e ruajttë!
(el-Vesaja el-Xhelijjeti Lil-Istifadeti mined-Durusi el-Ilmijjeti f.41-42)
Përktheu: Besim Gjelaj