Rruga më e afërt drejt Allahut dhe Xhenetit
Hafidh Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Shkaku që rruga drejt Xhenetit i lehtësohet kërkuesit të dijes, kur me të synon Fytyrën e Allahut të Lartësuar dhe kërkon kënaqësinë e Tij, është se dija e udhëzon njeriun tek Allahu nëpërmjet rrugës më të shkurtër.
Ai që ecën në këtë rrugë dhe nuk devijon prej saj, arrin tek Allahu dhe tek Xheneti përmes rrugës më të afërt dhe më të lehtë. Prandaj atij i lehtësohen të gjitha rrugët që çojnë drejt Xhenetit, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.
Ndërsa ai që ndjek një rrugë duke menduar se të çon në Xhenet, por pa dije, ka ndjekur rrugën më të vështirë dhe më të mundimshme. Megjithatë, ajo nuk e çon në qëllimin e synuar, pavarësisht vështirësisë dhe mundimit të saj.
Nuk ka rrugë për ta njohur Allahun, për të arritur kënaqësinë e Tij dhe për të fituar afërsinë e Tij dhe fqinjësinë e Tij në Ahiret, përveçse nëpërmjet dijes së dobishme, me të cilën Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij dhe me të cilën zbriti Librat e Tij.
Ajo është udhërrëfyesi që të çon tek Allahu. Me të njeriu udhëzohet në errësirat e paditurisë, dyshimeve dhe paqartësive. Allahu e ka quajtur Librin e Tij ‘dritë’, me të cilën udhëzohet në errësirë, siç ka thënë i Lartësuari: قَدْ جَاءَكُمْ مِنَ اللَّهِ نُورٌ وَكِتَابٌ مُبِينٌ ١٥ يَهْدِي بِهِ اللَّهُ مَنِ اتَّبَعَ رِضْوَانَهُ سُبُلَ السَّلَامِ وَيُخْرِجُهُمْ مِنَ الظُّلُمَاتِ إِلَى النُّورِ بِإِذْنِهِ وَيَهْدِيهِمْ إِلَىٰ صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ
“Juve ju erdhi prej Allahut një dritë (i Dërguari) dhe një Libër i qartë (Kur’ani). Me anë të të cilit Allahu udhëheq të gjithë ata të cilët kërkojnë Kënqesinë e Tij drejt rrugëve të paqes dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë me Vullnetin e Tij dhe udhëzon në Rrugën e Drejtë (Islam)” (Maide 15–16).”
(Mexh’mu’u Resail, 2/27)
Përktheu: Besim Gjelaj