Kur Umer ibën AbdulAziz u bë halife!

Umer ibën AbdulAziz kur e përfundoi varrimin e Sulejman ibën AbdulMalikut dhe doli nga varri, ndjeu një dridhje në tokë dhe tha: “Ç’është kjo?”

I thanë: “Këto janë mjetet (karrocat) e hilafetit, o prijës i besimtarëve, janë afruar që të hipësh mbi to.”

Ai u përgjigj: “Ç’punë kam unë me to? Largojini prej meje, më afroni mushkën time.”

Ia përgatitën mushkën dhe ai hipi mbi të. Erdhi shefi i rojes (policisë), duke ecur para tij me shtizë, por Umar ibën AbulAzizi i tha:

“Largohu prej meje! Ç’punë kam unë me ty? Unë jam vetëm një njeri prej muslimanëve.”

Pastaj vazhdoi mbi mushkë dhe njerëzit ecën me të derisa hyri në xhami. U ngjit në minber dhe njerëzit u mblodhën rreth tij. Ai tha:

“O njerëz! Unë jam sprovuar dhe mua më është dhënë kjo çështje (udhëheqja) pa zgjedhjen time, pa e kërkuar unë dhe pa konsultimin e muslimanëve. Prandaj, unë ju liroj nga besëlidhja (bej’a) që keni ndaj meje; zgjidhni për veten tuaj kë të doni.”

Muslimanët thirrën me një zë:

“Të kemi zgjedhur ty, o prijës i besimtarëve, dhe jemi të kënaqur me ty!”

Kur u qetësuan zërat dhe të gjithë u pajtuan me të, ai falënderoi Allahun, e lavdëroi Atë dhe dërgoi salavate mbi Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, pastaj tha:

“Ju porosis për devotshmëri ndaj Allahut, sepse devotshmëria ndaj Allahut është zëvendësim për çdo gjë, ndërsa asgjë nuk e zëvendëson devotshmërinë ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Punoni për ahiretin tuaj, sepse kush punon për ahiretin, Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm ia mjafton çështjet e dynjasë.

Rregulloni të fshehtën tuaj, Allahu do t’jua rregullojë të dukshmen. Përmendeni shpesh vdekjen dhe përgatituni mirë para se t’ju vijë ajo, sepse ajo i shkatërron kënaqësitë. Kush nuk e kujton vdekjen, nuk e njeh vlerën e jetës së tij.

Dhe ai që nuk kujton nga etërit e tij, në zinxhirin mes tij dhe Ademit alejhi selam, asnjë që të ketë mbetur gjallë, atëherë ai është i rrënjosur (i sigurt) në realitetin e vdekjes.

Ky umet nuk ka mospajtime në Zotin e tij, as në Pejgambein e tij, as në Librin e tij, por është përçarë te dinari dhe dirhemi. Betohem në Allahun se nuk do t’i jap askujt padrejtësisht dhe nuk do t’ia mohoj askujt të drejtën.”

(Sifetus-Safuete 1/365)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button