Bidatet janë: në besim (‘itikad), në fjalë dhe në vepra

Bidatet janë: në besim (‘itikad), në fjalë dhe në vepra

Bidatet janë tre lloje: bidate që përfshijnë besimin, bidate me fjalë dhe bidate me vepra, të cilat lidhen me kohën ose me vendin.

Bidatet që përfshijnë besimin përfshijnë bidatet e havarixhëve, rafidive, mu’tezilive dhe të tjerëve që mbështeten në ilmul-kelam (apologjetikë). Disa prej tyre mbështeten gjithashtu edhe në transmetime të rreme.

Ibën Abdul-Berr në Xhamiu Bejanil-Ilm ue Fadlihi (2/95) ka thënë:
“Dijetarët e fikhut dhe të hadithit nga të gjitha vendet janë njëzëri se njerëzit e ilmul-kelamit janë njerëz të bidatit dhe devijimit, dhe se dijetarë të vërtetë janë vetëm njerëzit e hadithit dhe të kuptuarit e tij, të cilët dallohen mes vete sipas saktësisë dhe thellësisë së dijes.”

Sa i përket bidateve me fjalë, prej tyre është shqiptimi i nijetit me gojë, si p.sh. të thuhet: “Vendosa të fal namazin kështu”, “Vendosa të agjëroj kështu”, e të ngjashme.

Nga kjo përjashtohen vetëm ritualet e haxhit dhe umres. Ai që bën umre mund të thotë: “Lebbejke umreten”, ai që bën haxh ifrad mund të thotë: “Lebbejke haxhen”, ndërsa ai që bën haxh dhe umre bashkë (kiran) mund të thotë: “Lebbejke umreten ue haxhen”. Kjo lejohet sepse ka argument në Sunet që e vërteton këtë.

Prej bidateve me fjalë është edhe kërkimi nga Allahu për hir të filanit ose me të drejtën e filanit, dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat nuk ka transmetim të saktë në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit sal-lAllahu alejhi u sel-lem.

Nga bidatet me fjalë ka edhe të tilla që janë kufër, si: lutja drejtuar njerëzve të vdekur (varreve, tyrbeve, teqeve), kërkimi i ndihmës prej tyre, si dhe kërkimi që ata të plotësojnë nevoja ose të largojnë fatkeqësi.

Këto janë gjëra që duhet të kërkohen vetëm nga Allahu.

Allahu i Lartësuar thotë:

أَنَّ الْمَسَاجِدَ لِلَّهِ فَلا تَدْعُوا مَعَ اللَّهِ أَحَداً

“Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçantë për ta adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër me Allahun.” (Xhin, 18)

Dhe thotë:

أَمَّنْ يُجِيبُ الْمُضْطَرَّ إِذَا دَعَاهُ وَيَكْشِفُ السُّوءَ وَيَجْعَلُكُمْ خُلَفَاءَ الْأَرْضِ أَإِلَهٌ مَعَ اللَّهِ قَلِيلاً مَا تَذَكَّرُونَ

“Kush i përgjigjet nevojtarit kur ai i drejtohet Allahut dhe Ai ia largon të keqen, dhe ju bën mbizotërues në tokë? A ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.” (Neml, 62)

Ndërsa gjykimi për kufër ndaj një personi që ka vepruar kështu bëhet vetëm pasi t’i jetë ngritur argumenti. Ky është mendimi i shumë dijetarëve. Kam përmendur prej tyre shtatë dijetarë në kapitullin e pestë të parathënies së librit Tat’hirul-I‘tikad ue Sher’hus-Sudur. I pari prej tyre është Imam Muhamed ibën Idris esh-Shafi‘i, Allahu e mëshiroftë, ndërsa i fundit është Imam Muhamed ibën Abdul-Uehab, Allahu e mëshiroftë.

Bidatet në vepra ndahen në dy grupe: bidate që ndërlidhen me vendin dhe bidate që ndërlidhen me kohën.

Nga bidatet që ndërlidhen me vendin është fërkimi (prekja) e varreve dhe puthja e tyre.

Imam Neveviu ka thënë në librin El-Mexhmu‘ Sher’h el-Muhedheb (8/206), duke folur për fërkimin dhe puthjen e murit të varrit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi u sel-lem:

“Nuk duhet të mashtrohemi nga veprimi i shumë njerëzve nga masa e thjeshtë që e bëjnë këtë, sepse pasimi dhe praktika bëhen vetëm sipas haditheve të sakta dhe fjalëve të dijetarëve. Nuk i kushtohet vëmendje risive (bidateve) të shpikura nga njerëzit e thjeshtë dhe as paditurisë së tyre.”

Dhe veçse është vërtetuar në dy koleksionet e sakta, nga Aishja radijAllahu anha, se i Dërguari i Allahut, Muhamedi sal-lAllahu alejhi u sel-lem, ka thënë:

“Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo i refuzohet.”

Ndërsa në një transmetim te Muslimi thuhet:

“Kush bën një vepër që nuk është sipas udhëzimit tonë, ajo i refuzohet.”

Ebu Hurejre radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut, Muhamedi sal-lAllahu alejhi u sel-lem, ka thënë:

“Mos e bëni varrin tim vend feste (që vizitohet rregullisht), por dërgoni salavate për mua, sepse salavatet tuaja më arrijnë kudo që të jeni.”
(Transmeton Ebu Davudi me zinxhir të saktë)

Fudajl ibën ‘Ijadi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë, me këtë kuptim:

“Ndiq rrugët e udhëzimit edhe nëse ata që ecin në to janë të paktë, dhe ruaju nga rrugët e humbjes edhe nëse ata që ecin në to janë të shumtë.”

Kush mendon se fërkimi me dorë i varreve ose veprime të ngjashme sjellin më shumë bereqet, kjo është pasojë e paditurisë dhe shkujdesjes së tij, sepse bereqeti është vetëm në atë që përputhet me Sheriatin. E si mund të kërkohet mirësi duke kundërshtuar atë që është e saktë?!

Nga bidatet që ndërlidhen me kohën është edhe festimi i mevludeve, si festimi i lindjes së Pejgamberit, Muhamedit sal-lAllahu alejhi u sel-lem. Këto janë bidate të shpikura në shekullin e katërt hixhri.

Për këtë nuk është transmetuar asgjë nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi u sel-lem, as nga halifët e tij, as nga sahabët, as nga tabi’inët dhe pasuesit e tyre. Madje, kanë kaluar tre shekujt e parë të Islamit pa ekzistuar kjo praktikë.

Librat që u shkruan në atë periudhë nuk përmendin fare mevludet. Kjo bidat nuk ekzistonte atëherë, por u shfaq në shekullin e katërt hixhri. Këtë bidat e shpikën Ubejdijunët (Fatimit), të cilët sunduan në Egjipt.

Këtë e përmend Tekijjuddin Ahmed ibën Ali el-Mekrizi në librin e tij El-Meua‘idh bi Dhikri el-Hitati ue el-Athar (1/490), ku thotë se Fatimit kishin gjatë gjithë vitit festa dhe sezone (rite të shumta), dhe i përmend ato, të cilat ishin të shumta.

Ndër to ishin: mevludi i të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi u sel-lem, mevludi i Aliut, i Fatimes, i Hasanit dhe i Husejnit radijAllahu anhum, si dhe mevludi i halifit që ishte në pushtet.

Ibën Kethiri, në librin El-Bidaje ue en-Nihaje, duke folur për ngjarjet e vitit 567 hixhri – viti në të cilin përfundoi shteti i tyre me vdekjen e halifit të fundit, el-‘Aadid – ka thënë:

“Në shtetin e tyre u shfaqën bidatet dhe gjëra të urryera, u shtuan njerëzit e prishur, ndërsa u pakësuan dijetarët dhe adhuruesit e devotshëm.”

Ibën Kethiri përmend pak para kësaj se Salahuddini e hoqi nga i gjithë Egjipti ezanin me shprehjen: “Hajje ala hajril-amel” (Ejani drejt veprës më të mirë).

Ndër librat më të mirë që janë shkruar për këtë çështje është libri:
El-Kaul el-Fasl fi Hukmi el-Ihtifali bi Meulid Hajrirr-Rrusul, i shejh Ismail ibën Muhamed el-Ensari, Allahu e mëshiroftë.

Pa dyshim, dashuria për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi u sel-lem, duhet të jetë në zemrën e çdo muslimani më e madhe se dashuria për babanë, nënën, djalin, vajzën dhe të gjithë njerëzit, sipas fjalës së tij, sal-lAllahu alejhi u sel-lem:

“Askush prej jush nuk ka besuar (me besim të plotë) derisa unë të jem më i dashur për të se babai i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.”
(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Dashuria për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi u sel-lem, realizohet duke e ndjekur atë dhe duke ecur në rrugën e tij, e jo me bidate të shpikura.

Siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ

“Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë mëkatet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.”
(Ali Imran, 31)

Shejh Abdul-Muhsin el-Abbad, Allahu e ruajtë.

| El-Hath-thu ala Ittiba‘is-Suneti ue Tahdhiri min el-Bida‘ ue Bejanu Hatariha, f. 52–57 |.

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button