Pesha e Teuhidit

Pesha e Teuhidit

Ibnul-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Nëse një njeri me Teuhid, që nuk i ka bërë kurrë shirk Allahut, e takon Zotin e tij me mëkate sa toka, Allahu do ta takojë me falje sa toka.

Kjo, megjithatë, nuk ndodh për atë që e ka njollosur Teuhidin e tij dhe e ka përzier me shirk. Sepse Teuhidi, ai që nuk ka asnjë grimcë shirku, nuk lë mëkat pa u shlyer.

Kjo për shkak se Teuhidi i sinqertë përfshin dashuri për Allahun e Lartësuar, madhërim, frikë dhe shpresë vetëm tek Ai, në atë shkallë sa që i shlyen mëkatet, sado të shumta të jenë ato.

Mëkati është si një ndotje që ndodh aty për aty, ndërsa forca e Teuhidit të pastër është si ujë i fuqishëm që e pastron dhe nuk e lë të qëndrojë.

Por fëlliqësira e zinasë dhe e homoseksualitetit është më e rëndë se fëlliqësirat e tjera, sepse ajo shkatërron zemrën dhe e dobëson Teuhidin në mënyrë të madhe.

Për këtë arsye, ata që janë më të zhytur në këto fëlliqësi janë zakonisht edhe më të zhytur në shirk, sepse sa më shumë të mbizotërojë shirku në zemrën e njeriut, aq më shumë këto fëlliqësira e pushtojnë atë.

Ndërsa sa më i pastër dhe më i sinqertë të jetë robi në Teuhidin e tij, aq më i largët është nga këto të këqija.

Allahu i Lartësuar thotë për Jusufin alejhi salatu ue selam: كَذَٰلِكَ لِنَصْرِفَ عَنْهُ السُّوءَ وَالْفَحْشَاءَ ۚ إِنَّهُ مِنْ عِبَادِنَا الْمُخْلَصِينَ

“…Ne ia treguam ato shenja, në mënyrë që t’ia largonim atij atë të keqe dhe ta largonim atë prej zinasë (imoralitetit) dhe tradhtisë. Vërtetë që Jusufi ishte prej robërve Tanë të zgjedhur për të qenë i dërguar dhe profet” (Jusuf 24).

Dashuria ndaj pamjeve të ndaluara është një lloj adhurimi ndaj tyre, madje nga llojet më të rënda të adhurimit në këtë aspekt, veçanërisht kur ajo pushton dhe zotëron zemrën; atëherë personi bëhet i robëruar nga dashuria ndaj tij. Me një fjalë bëhet adhurues i tij. Fjala “tetejjume” (تَتَيُّم) do të thotë adhurim.

Pra, i dashuruari bëhet adhurues i të dashurit të tij; shpesh ndodh që dashuria, kujtimi, dëshira dhe përpjekja për ta kënaqur atë të mbizotërojnë mbi dashurinë për Allahun, dhikrin e Tij dhe përpjekjen për ta kënaqur Atë.

Madje, shumë herë dashuria për krijesën e zhduk plotësisht dashurinë për Allahun nga zemra e tij, duke e lidhur atë plotësisht me të dashurin e tij të ndaluar, madje kjo është e dëshmuar.

Kështu që, i dashuri bëhet i adhuruar i tij përveç Allahut të Plotfuqishëm: ai parapëlqen kënaqësinë e tij para kënaqësisë së Allahut, e dashuron më shumë se Allahun, afrohet tek ai me përkushtim që nuk ia jep Allahut, shpenzon për të gjëra që nuk i shpenzon në rrugën e Allahut, dhe me kujdes të madh ruhet nga zemërimi i tij më shumë sesa ruhet nga zemërimi i Allahut.

Kështu, ai bëhet më i dashur për të sesa Zoti i tij – në dashuri, përulësi, nënshtrim, dëgjueshmëri dhe bindje.

(Igathetul-Lehfan 1/132-133)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button