Tregimi i Imam Buhariut në anije!

Përmendet se Imam Buhariu hipi një herë në anije për të kërkuar dije, dhe kishte me vete një mijë dinarë. I erdhi një njeri dhe i shfaqi dashuri e përzemërzi të madha. Kur imami pa dashurinë e tij, u afrua me të dhe i tregoi për dinarët që kishte me vete. Një ditë, ai njeri u zgjua duke qarë, duke shqyer rrobat dhe duke goditur fytyrën. Kur njerëzit e panë në atë gjendje, filluan ta pyesin për shkakun.

Ai tha: “Kam pasur një qese me një mijë dinarë dhe më ka humbur.” Atëherë, njerëzit e anijes filluan të kontrollonin udhëtarët një nga një. Kur Buhariu e kuptoi dredhinë, e nxori fshehurazi qesen me dinarë pa u vënë re nga askush dhe e hodhi në det! Kur erdhi radha e tij dhe e kontrolluan, nuk gjetën asgjë tek ai. Kur arritën në destinacion dhe njerëzit zbritën nga anija, ai njeri erdhi te Imam Buhariu dhe e pyeti:

“Çfarë bëre me qesen e dinarëve?!” Ai tha: “E hodha në det.” Njeriu tha: “Si munde të durosh humbjen e atij pasuri të madhe?!”

Imam Buhari, Allahu e mëshiroftë, i tha: “O i paditur! A e di se unë e kam kaluar gjithë jetën duke mbledhur hadithet e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, dhe njerëzit e kanë njohur sinqeritetin tim dhe më kanë besuar? Si mund ta vë veten time në dyshim për disa dinarë të numëruar?!”

(Siretul-Imamil-Buhari e Imam Abdus-Selam el-Mubarakfuri, 1/122)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button