Sqarimi i shpërblimit të të sëmurit që duron dhe mënyra e durimit ndaj sëmundjes
Sqarimi i shpërblimit të të sëmurit që duron dhe mënyra e durimit ndaj sëmundjes
Ai ka shpërblim të madh nëse tregon durim dhe e pret shpërblimin nga Allahu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“E çuditshme është çështja e besimtarit! Vërtet, çdo gjë që i ndodh, është në të mirën e tij: nëse e godet ndonjë vështirësi, ai duron dhe kjo është mirë për të; e nëse i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të.”
Durimi nënkupton që njeriu, kur sëmuret, të mos bëjë gjëra që bien ndesh me Sheriatin: të mos shqyejë rrobat, të mos vajtojë me zë të lartë dhe të mos bëjë atë që Allahu e ka ndaluar. Përkundrazi, ai duhet të durojë, ta kërkojë shpërblimin nga Allahu dhe të flasë fjalë të mira, ky është durimi i vërtetë.
Sa për ankesën ndaj njerëzve, si p.sh. të thotë: “Unë jam kështu, më ka gjetur kjo, më ka gjetur ajo,” — kjo është në kundërshtim me durimin. Por, nëse thjesht tregon për sëmundjen e tij pa u ankuar, apo i tregon mjekut në mënyrë që ta mjekojë, nuk ka të keqe.
Ndërsa të bëjë gjëra të ndaluara si të qajë me britma, të vajtojë, të shqyejë rrobat, të godasë faqet, të shkëpusë flokët apo gjëra të ngjashme, kjo nuk lejohet.
Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
(Nurun ala Dërb 13/428)
Përktheu: Besim Gjelaj