Sururitë dhe tiparet e tyre
Pyetja:
Si mund t’i njohë njeriu i thjeshtë dhe kërkuesi i dijes sururitë, që të ruhet prej tyre? A duhen përmendur me emër dhe të paralajmërohet prej tyre?
Përgjigjja:
Sururitë janë prej fraksioneve më të rrezikshme të Ih’vanul-Musliminëve, sepse ata shfaqen si selefi, ndërsa në brendësi janë plotësisht ndryshe.
Ata kanë tri cilësi që përmes tyre dallohen:
E para: Ata gjithmonë flasin keq kundër prijësve dhe sundimtarëve, në njollosjen e figurës së tyre tek njerëzit dhe në nënçmimin e pozitës së tyre, në mënyrë që t’ua lehtësojnë njerëzve thirrjen për t’u ngritur kundër tyre.
E dyta: Ata i madhërojnë analizat politike dhe lajmet mediatike, duke pretenduar se kjo është fik’hu i realitetit (kuptimi i realitetit). Me këtë synojnë të nënçmojnë dijetarët, duke thënë se dija e tyre sillet vetëm rreth çështjeve të ciklit, lehonisë dhe hyrjes e daljes së muajit, ndërsa nuk kanë njohuri për realitetin.
E treta: Ata i madhërojnë pasuesit e bidatit, nuk e pëlqejnë paralajmërimin prej tyre dhe largimin prej tyre, madje ua zbukurojnë imazhin e tyre në sytë e njerëzve, që t’i nxisin t’i pasojnë dhe të marrin dije prej tyre.
Nëse nuk shfaqet njëra prej këtyre cilësive, do të shfaqet tjetra (pra e kanë njërën prej këtyre cilësive).
Ndërsa selefitë, përkundrazi: kujdesen për dëgjimin dhe bindjen ndaj udhëheqësve në atë që është e mirë (ma’ruf) dhe për bashkimin e njerëzve rreth tyre; kujdesen për dijen e Kur’an-it dhe Sunetit dhe ndjekjen e selefëve; si dhe paralajmërojnë prej bidateve dhe pasuesve të tyre, siç ka ardhur në hadithin e Ebu Nexhih el-Irbad ibën Sarije, radijAllahu anhu.
Sa i përket çështjes së përmendjes me emër të atyre që njihen si të tillë, kjo varet nga realizimi i dobisë. Nëse pritet të ketë dobi nga përmendja e tyre me emër, atëherë ata përmenden. Përndryshe, mjafton paralajmërimi i përgjithshëm.
Prej Allahut vjen suksesi.
Shejh Muhamed Bazmul, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj