Zemrat e tyre ishin të lidhura me namazin
Shejh AbduRrezzak el-Bedër, Allahu e ruajttë, gjatë shpjegimit të librit ‘Esh-Shemail’ të Tirmidhiut, gjatë komentimit të transmetimit Selim ibën Ubejd, radijAllahu anhu, ku thotë:
“Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i ra të fikët gjatë sëmundjes së tij, pastaj erdhi në vete.”
Të fikëtit është kur njeriu e humb vetëdijen dhe nuk ndien se çfarë po ndodh përreth tij. Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i ra të fikët për shkak të rëndimit të sëmundjes dhe dhimbjeve, pastaj erdhi në vete nga ajo gjendje e të fikëtit dhe tha:
“Ka hyrë koha e namazit?”
Kjo është pyetja së cilës i është hequr pjesëza pyetëse, pra, kuptimi është: “A ka hyrë koha e namazit?”
Ata i thanë: “Po.”
Kjo na e bën të qartë pozitën që ka namazi në fenë e Allahut të Lartësuar dhe të Madhëruar. Namazi është shtylla e fesë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, ndonëse e preokuponin shumë çështje që kishin të bënin me muslimanët, menjëherë pas të fikëtit nuk e pyeti për asgjë tjetër përveçse për namazin.
Edhe Umeri radijAllahu anhu, i cili ishte nxënës i shkollës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, kur u godit me thikë, i binte të fikët dhe, sa herë që vinte në vete, pyeste: “A e kanë falur njerëzit namazin?”
Pra, namazi ishte ajo që i preokuponte zemrat e tyre, që zinte vendin kryesor në kujdesin dhe vëmendjen e tyre. Zemrat e tyre ishin të lidhura me xhamitë.
(Sher’h Shemailun-Nebijj, f.357)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.