Shirku i fshehtë: realiteti, rreziku, shembujt dhe si të ruhemi prej tij
Shirku i fshehtë është një sëmundje që shfaqet në madhërimin e krijesave në zemër. Ilaçi i tij është madhërimi i Krijuesit, përmirësimi i qëllimit, luftimi me veten, fshehja e veprave sa të jetë e mundur dhe kërkimi i ndihmës nga Allahu për sinqeritet.
Robi nuk duhet ta lërë veprën e mirë nga frika e syefaqësisë, por duhet të veprojë për Allahun dhe të luftojë me veten. Nëse i shfaqet syefaqësia, duhet ta largojë atë; nëse i vjen mendimi për lavdërimin e njerëzve, të mos merret me të, derisa vepra e tij të jetë vetëm për Allahun.
Realitetit i shirkut të fshehtë
Shirku i fshehtë është ai lloj shirku që fshihet në zemër ose në vepër, në mënyrë që njeriu mund të mos e ndiejë atë ose të mos u shfaqet njerëzve. Prej tij ka që është shirk i vogël, ndërsa disa forma mund të jenë edhe shirk i madh, varësisht nga natyra e tij dhe qëllimi i personit. Ndër format më të njohura të tij janë syefaqësia dhe kërkimi i famës, pra kur robi e bën një vepër për Allahun, por në të përfshin edhe dëshirën që të shihet dhe të lavdërohet për të, ose kur në adhurimin e tij përfshihet qëllimi për t’u parë nga njerëzit.
I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë se Zoti i tij thotë: “Unë nuk kam nevojë për ortakë. Kush bën një vepër duke më shoqëruar dikë tjetër në të, do ta lë atë dhe shirkun e tij.” (Muslimi)
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Gjëja nga e cila më së shumti frikësohem për ju është shirku i vogël.” E pyetën: “Çfarë është ai?”, dhe ai tha: “Syefaqësia.”
Rreziku i shirkut të fshehtë
Rreziku i shirkut të fshehtë është se: lidhet me themelin e zemrës dhe qëllimin e adhurimit; mund të hyjë te robi pa e ndier; e prish veprën ose ia pakëson shpërblimin, në varësi të masës së tij; e bën robin të kërkojë shikimin dhe lavdërimin e krijesave, në vend që ta bëjë veprën me sinqeritet për Allahun; mund të çojë në dashurinë për lavdërimin dhe madhërimin nga njerëzit dhe në lidhjen e zemrës me ta, derisa të dobësohet Teuhidi i zemrës.
Për këtë arsye, selefët frikësoheshin për veten e tyre nga syefaqësia, jo sepse i linin veprat e mira, por sepse luftonin me zemrat e tyre që veprat t’i bënin me sinqeritet për Allahun.
Shembuj të shirkut të fshehtë
- Të zgjasë njeriu namazin ose ta zbukurojë atë sepse njerëzit po e shikojnë.
- Të japë sadaka ose të shpenzojë që të thuhet për të: “Është bujar.”
- Të kërkojë dije që të thuhet për të: “Është dijetar” ose “Është nxënës i dijes.”
- Të lexojë Kur’an ose ta ngrejë zërin gjatë leximit që të lavdërohet për bukurinë e leximit të tij.
- Të flasë për dauet ose për vepra të mira duke kërkuar lavdërim dhe famë.
- Të gëzohet me lavdërimin e njerëzve për adhurimin e tij, në një mënyrë që tregon se zemra e tij është e lidhur me lavdërimin e tyre.
Ndër çështjet e imta që lidhen me syefaqësinë është edhe lënia e disa adhurimeve nga frika se njerëzit do të thonë për të: “Është syefaqës.” Edhe kjo kërkon luftim me veten, sepse ilaçi i syefaqësisë nuk është lënia e veprës së mirë, por bërja e saj me sinqeritet për Allahun. Duhet bërë dallim mes syefaqësisë dhe gëzimit të robit me lavdërimin e njerëzve pasi ta ketë bërë veprën me sinqeritet për Allahun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u pyet për një njeri që bën një vepër të mirë dhe njerëzit e lavdërojnë për të. Ai tha: “Kjo është përgëzim i hershëm për besimtarin.” (Muslimi)
Si të ruhemi nga shirku i fshehtë?
Ruajtja prej tij arrihet përmes disa gjërave, ndër më të rëndësishmet janë:
- Të realizohet sinqeriteti dhe të kihet parasysh se vetëm Allahu është i denjë për adhurim.
- Robi ta kujtojë para veprës, gjatë saj dhe pas saj: “Për kë po veproj?”
- T’i fshehë nafilet dhe adhurimet sa të ketë mundësi, veçanërisht ato që nuk ka nevojë t’i shfaqë.
- Të mos i kushtojë rëndësi lavdërimit dhe kritikës së njerëzve kur vepron për Allahun.
- Të kujtojë se krijesat nuk kanë në dorë t’i japin robit as shpërblim e as dënim dhe se Ai që e ka këtë në dorë është Allahu.
- Të bëjë shpesh lutjen e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos të bëj shirk ndaj Teje me dije, dhe kërkoj faljen Tënde për atë që nuk e di.”
Të luftojë me veten dhe të mos u dorëzohet mendimeve të syefaqësisë. Vetëm shfaqja e një mendimi të tillë nuk e bën robin nga ata që veprojnë për syefaqësi; ajo që merret në konsideratë është qëllimi i tij, nëse ai i jepet atij mendimi dhe vepron mbi bazën e tij. Të dijë se pastrimi i nijetit është një luftë e vazhdueshme dhe nuk është diçka me të cilën robi mund të ndihet i sigurt pasi ta ketë arritur një herë.
Shejh AbdusSelam Suhejmi, Allahu e ruajttë!
Burimi: Profili i shejhut në X
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.