Porosia e një dijetari për kërkuesit e dijes
Imam AbduRrahman ibën Hasen, Allahu e mëshiroftë, ka thënë në një prej letrave të tij:
“Më ka arritur lajmi se keni pasur mospajtime për disa çështje, të cilat ju kanë çuar në debate dhe grindje. Kjo nuk është prej sjelljes së kërkuesve të botës tjetër. Prandaj, frikësojuni Allahut dhe pajisuni me edukatën e dijes. Kërkojeni shpërblimin nga Allahu gjatë mësimit dhe mësimdhënies së saj dhe shoqërojeni dijen me vepër, sepse fryti i dijes është zbatimi i saj. Siç thuhet në transmetim: ‘Kush vepron sipas asaj që di, Allahu do t’i japë dije për atë që nuk e di.’ Prandaj, bashkëpunoni në mirësi dhe devotshmëri.
Prej shenjave të sinqeritetit të kërkuesit të dijes është që të heshtë për atë që nuk e shqetëson, të jetë i përulur ndaj Zotit të tij dhe modest ndaj robërve të Tij, të jetë i kujdesshëm dhe i edukuar. Atij nuk i intereson nëse e vërteta shfaqet përmes gjuhës së tij apo përmes gjuhës së dikujt tjetër. Ai nuk mbron veten, nuk mburret, nuk mban inat, nuk ka zili, nuk ndikohet nga dëshirat e tij dhe nuk mashtrohet nga bukuritë e kësaj bote.”
(Ed-Durerus-Senijje, 1/405–406)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.