Historia e Pejgamberit të Allahut, Ejubit alejhis-salatu ues-selam

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Dijetarët e tefsirit, historianët dhe të tjerë kanë thënë:

“Ejubi ishte një burrë me pasuri të shumta dhe të llojeve të ndryshme: kishte bagëti të llojeve të ndryshme, robër, kafshë, si dhe toka të gjera në zonën e Bethenijes, në krahinën e Hauranit.

Ibën Asakiri ka përcjellë se të gjitha këto ishin të tijat. Ai kishte gjithashtu shumë fëmijë dhe familjarë. Pastaj e humbi të gjithë këtë pasuri dhe u sprovua në trupin e tij me lloj-lloj sprovash, derisa nuk i mbeti asnjë pjesë e shëndoshë e trupit, përveç zemrës dhe gjuhës.

Me to e përmendte Allahun e Lartësuar. Pavarësisht gjithë kësaj, ai ishte i durueshëm, duke shpresuar shpërblimin tek Allahu, dhe e përmendte Allahun e Lartësuar natën e ditën, në mëngjes dhe në mbrëmje.

Sëmundja e tij zgjati aq shumë, saqë shoku u largua prej tij dhe miqtë nuk e shoqëronin më. Ai u nxor nga vendi i tij dhe u la në një vend të hedhjes së mbeturinave, jashtë qytetit. Njerëzit u shkëputën prej tij dhe nuk mbeti askush që të kujdesej për të, përveç bashkëshortes së tij. Ajo vazhdonte t’ia përmbushte të drejtën si bashkëshorte dhe e kujtonte mirësinë e tij të mëparshme ndaj saj dhe kujdesin që kishte treguar për të.

Ajo shkonte tek ai, kujdesej për të, e ndihmonte në kryerjen e nevojave të tij dhe merrej me çështjet e tij. Gjendja e saj u dobësua dhe pasuria iu pakësua, derisa filloi të punonte për njerëzit kundrejt një pagese, me qëllim që ta ushqente atë dhe t’i siguronte nevojat e tij. Allahu qoftë i kënaqur me të dhe e bëftë të kënaqur atë!

Ajo ishte e durueshme bashkë me të për atë që i kishte goditur të dy: humbjen e pasurisë dhe të fëmijëve, si dhe për fatkeqësinë e saj të veçantë me burrin, ngushtësinë ekonomike dhe shërbimin ndaj njerëzve, pasi më parë kishte jetuar në lumturi e begati, e rrethuar me shërbim dhe nderim.

Vërtet, ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi!”

(El-Bidaje uen-Nihaje, 1/245)

Përktheu: Besim Gjelaj

Back to top button