Robi duhet t’u kushtojë rëndësi tri çështjeve

Shejh AbdurrRrezzak el-Bedër, Allahu e ruajttë, thotë:

“Robi nuk është i pagabueshëm. Ai është i ekspozuar ndaj gabimeve dhe mangësive. Mirëpo, duhet ta luftojë vazhdimisht veten që t’u kushtojë rëndësi tri çështjeve, me të cilat Allahu i Lartësuar i sjell dobi, e ato janë:

E para: Vazhdimisht t’i përmbahet pendimit dhe të nxitojë drejt tij. Sa herë që i ndodh një gabim, le të shpejtojë të pendohet për gabimin dhe mangësinë e tij.

E dyta: Të shtojë sa më shumë istigfarin (kërkimin e faljes). I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue seelm ka thënë:

“Lum ai që në regjistrin e veprave të tij gjen shumë istigfar.”

Po ashtu, në hadithin kudsij Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“O biri i Ademit! Sikur gjynahet e tua të arrinin deri në lartësinë e qiellit, e pastaj të më kërkoje falje, Unë do të të falja.”

Ajetet dhe hadithet për vlerën e istigfarit janë të shumta. Allahu i Madhëruar thotë: وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيُعَذِّبَهُمْ وَأَنْتَ فِيهِمْ وَمَا كَانَ اللَّهُ مُعَذِّبَهُمْ وَهُمْ يَسْتَغْفِرُونَ

“Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” (En’fal 33).

Prandaj, robi duhet ta shtojë sa më shumë istigfarin.

E treta: Të shtojë veprat e mira dhe të nxitojë drejt tyre. Allahu i Madhëruar thotë: إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ ۚ ذَٰلِكَ ذِكْرَىٰ لِلذَّاكِرِينَ

“…veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud 114).

Po ashtu, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem në porosinë që i dha Muadh ibën Xhebelit radijAllahu anhu, kur e dërgoi në Jemen, tha:

“Ki frikë Allahun kudo që të jesh. Pasoje veprën e keqe me një vepër të mirë, e cila do ta shlyejë atë. Dhe sillu me njerëzit me sjellje të mirë.”

(Ligjëratë me titull: ‘Etuub minedh-dhenb thumme euudu, femel-hil’)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button