Kushtet e urdhërimit të së mirës dhe ndalimit nga e keqja
Shejh Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, në fjalën e tij mbi kushtet e urdhërimit të së mirës dhe ndalimit nga e keqja, ka thënë:
Kushti i tretë: që ndalimi i një të keqeje të mos çojë në një të keqe më të madhe.
Nëse kjo e keqe, kur e ndalojmë, çon drejt një të keqeje më të madhe, atëherë nuk lejohet ta ndalojmë, për të shmangur më të madhën nga dy të këqijat duke marrë më të voglën.
Sepse kur përballen dy të këqija, dhe njëra është më e madhe se tjetra, atëherë shmanget e madhja duke pranuar të voglën.
Shembull për këtë:
Nëse sheh një njeri duke pirë duhan para teje dhe dëshiron ta ndalosh dhe ta largosh nga ai vend, por e di se nëse e ndalon, ai do të shkojë të ulet me njerëz që pinë alkool, dhe dihet se pirja e alkoolit është më e rëndë se pirja e duhanit, atëherë në këtë rast nuk e ndalon në atë mënyrë, por e trajton çështjen me urtësi, që të mos përfundojë në diçka më të keqe dhe më të rëndë.
Gjithashtu përmendet se Shejhul-Islami Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, kaloi pranë disa njerëzve nga tatarët në Sham dhe i gjeti duke pirë alkool.
Ai nuk i ndaloi.
Shoku i tij i tha: Pse nuk i ndalove?
Ai u përgjigj: “Nëse do t’i ndalonim, ata do të shkonin të cenonin nderet e muslimanëve dhe të plaçkitnin pasuritë e tyre, dhe kjo është më e madhe se pirja e tyre e alkoolit. Prandaj i lamë, nga frika se do të ndodhte diçka më e keqe.”
Dhe kjo pa dyshim është nga kuptimi i thellë i tij nga çështjet e fesë, Allahu e mëshiroftë.
(Sher’h Rijadus-Salihin, 2/407)
Përktheu: Besim Gjelaj