Veprat janë shkak, ndërsa hyrja në Xhenet është me mëshirën e Allahut
Pyetja:
Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu. Allahu ju dhëntë mirësi, o shejhu ynë i dashur! Kam një dilemë mes fjalës së Allahut të Lartësuar: ادْخُلُوا الْجَنَّةَ بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ
“Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (Nahl 32), si dhe fjalës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem:
“Askush prej jush nuk do të hyjë në Xhenet për shkak të veprës së tij.”
A ka këtu kundërthënie ndërmjet ajetit dhe hadithit, apo ka ndodhur ndonjë shfuqizim (nes’h) në këtë çështje?
Shpresojmë nga që të na e sqaroni këtë, Allahu ju begatoftë dhe ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigjja:
Nuk ka kundërthënie ndërmjet ajetit dhe hadithit dhe nuk ka as shfuqizim në këtë çështje. Përkundrazi, secili prej tyre flet nga një këndvështrim i ndryshëm.
Allahu i Lartësuar thotë: وَنُودُوا أَنْ تِلْكُمُ الْجَنَّةُ أُورِثْتُمُوهَا بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
“Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar.” (A‘raf: 43).
Ndërsa Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Askush nuk do të hyjë në Xhenet për shkak të veprës së tij.” Ata thanë: “As ti, o i Dërguari i Allahut?” Ai salAllahu alejhi ue selem tha: “As unë, përveç nëse Allahu më mbulon me mirësinë dhe mëshirën e Tij.” (Muttefekun alejhi).
Si bashkohen këto dy tekste?
Hadithi mohon që vetëm vepra e robit, në mënyrë të pavarur, të jetë shkaku me të cilin ai e meriton hyrjen në Xhenet, dhe se vepra e tij, në vetvete, e bën të detyrueshme hyrjen në Xhenet. Kjo sepse Xheneti është prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut. Sikur Allahu ta llogariste robin vetëm sipas veprave të tij, në këmbim të të gjitha mirësive me të cilat e ka begatuar, vepra e tij nuk do të mjaftonte as për ta falënderuar një të vetme prej mirësive të Allahut.
Ndërsa ajeti pohon se veprat janë shkak për hyrjen në Xhenet dhe se Allahu e ka bërë hyrjen në Xhenet të lidhur me veprat e mira.
Prandaj nuk ka kundërthënie ndërmjet këtyre dy kuptimeve:
Vepra është shkak për hyrjen në Xhenet, por nuk është çmimi me të cilin robi mund të hyjë në Xhenet i pavarur nga mirësia dhe mëshira e Allahut.
Në këtë kuptim mund të thuhet: “Filani hyri në Xhenet për shkak të veprës së tij”, domethënë për shkak të veprës së tij të mirë, të cilën Allahu ia mundësoi, e jo se vepra e tij e futi në Xhenet në mënyrë të pavarur, pa mëshirën e Allahut.
Ajo që e sqaron më tej këtë është se Allahu është Ai që e ka krijuar robin, e ka krijuar veprën e tij dhe i ka dhënë sukses për të vepruar mirë, pastaj e ka shpërblyer për të.
Allahu i Lartësuar thotë: وَاللَّهُ خَلَقَكُمْ وَمَا تَعْمَلُونَ
“Ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar ju dhe gjithçka që bëni.” (Saffat: 96).
Pra, edhe vetë vepra për të cilën robi shpërblehet është prej mirësisë dhe suksesit që Allahu ia ka dhënë.
Për këtë arsye Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Përmbajuni së drejtës dhe afrohuni sa më shumë, dhe dijeni se askush prej jush nuk do të shpëtojë vetëm me veprën e tij.” Ata thanë: “As ti, o i Dërguari i Allahut?” Ai salAllahu alejhi ue selem tha: “As unë, përveç nëse Allahu më mbulon me mëshirën dhe mirësinë e Tij.”
Ndërsa sa i përket fjalës së Allahut: بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
“Për atë që keni punuar.” (Araf 43).
Shkronja “باء” (B) këtu është për të treguar shkakun, domethënë: “për shkak të veprave tuaja të mira”, siç e kanë përmendur dijetarët. Ajo nuk ka kuptimin se veprat janë një shpërblim i pavarur, i cili e zëvendëson mirësinë dhe mëshirën e Allahut.
Prandaj, Ehlu Suneti i bashkon këto tekste dhe thotë:
Robi nuk hyn në Xhenet vetëm me veprën e tij, në mënyrë të pavarur; përkundrazi, hyn në Xhenet me mëshirën dhe mirësinë e Allahut, ndërsa vepra e tij e mirë është shkak për hyrjen në Xhenet dhe për arritjen e gradave të tij.
Pra:
Vepra është shkak, ndërsa mëshira e Allahut është baza dhe mirësia prej Tij.
A ka këtu shfuqizim (nes’h)?
Jo, nuk ka shfuqizim në këtë çështje. Shfuqizimi bëhet vetëm atëherë kur është e pamundur të bashkohen dy tekstet, duke pasur njohuri edhe për atë se cili prej tyre ka ardhur më herët dhe cili më vonë. Këtu, ndërkaq, bashkimi është i mundshëm dhe i qartë; madje, tekstet e shpjegojnë njëra-tjetrën.
Një rregull i rëndësishëm në çështje të tilla është:
Jo çdo gjë që në dukje paraqitet si kundërthënie është kundërthënie e vërtetë. Përkundrazi, fillimisht është detyrë që tekstet të bashkohen dhe secili tekst të kuptohet në mënyrën që pajtohet me tekstin tjetër.
Kjo është prej parimeve të Ehlu Sunetit në trajtimin e Librit të Allahut dhe Sunetit: teksti jo plotësisht i qartë t’i kthehet tekstit të qartë, të bashkohen argumentet dhe të mos përplasen disa prej tyre me disa të tjera.
Shejh AbdusSelam Suhejmi, Allahu e ruajttë!
(Burimi: Llogaria zyrtare e shejhut në Twitter (X).)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.