Hanifijje – feja e Ibrahimit, e ngritur mbi Teuhidin dhe largimin nga shirku!
Imami Muhamed ibën AbdulUehhabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Hanifijje (feja e Ibrahimit, e ngritur mbi Teuhidin dhe largimin nga shirku) është feja e Ibrahimit: që nëkupton ta adhurosh Allahun të Vetëm, duke ia kushtuar Atij sinqerisht fenë.”
Shejh Feuzani, Allahu e ruajttë, thotë:
Fjala e tij: “Ta adhurosh Allahun të Vetëm, duke ia kushtuar Atij sinqerisht fenë”, kjo është feja e Ibrahimit: që ta adhurosh Allahun duke qenë i sinqertë ndaj Tij në fe.
Kjo i përmbledh dy gjëra: adhurimin dhe sinqeritetin.
Kush e adhuron Allahun, por nuk ia kushton Atij sinqerisht fenë, adhurimi i tij nuk vlen asgjë. Pra, nëse dikush e adhuron Allahun: agjëron, bën haxh, falet, bën umre, jep lëmoshë, jep zekat dhe kryen shumë vepra të mira, por nuk është i sinqertë për Allahun e Plotfuqishëm në këtë – qoftë sepse i bën këto për syefaqësi apo për t’u dëgjuar prej njerëzve, ose sepse e përzien veprën e tij me ndonjë lloj shirku, si: lutja drejtuar dikujt tjetër përveç Allahut, kërkimi i ndihmës shpëtuese prej dikujt tjetër përveç Allahut, apo therja për dikë tjetër përveç Allahut – atëherë ky nuk është i sinqertë në adhurimin e tij. Përkundrazi, ai është mushrik dhe nuk është në fenë e Ibrahimit, alejhi salatu ue selam.
Shumë prej atyre që sot i atribuohen Islamit bien në shirkun e madh: duke iu lutur dikujt tjetër përveç Allahut, duke adhuruar varre dhe tyrbe, duke therur për to, duke bërë zotime për to, duke bërë tavaf rreth tyre, duke kërkuar bereqet prej tyre, duke kërkuar ndihmë nga të vdekurit, e gjëra të tjera.
Megjithatë, ata thonë se janë muslimanë.
Këta nuk e kanë njohur fenë e Ibrahimit, alejhi salatu ue selam, në të cilën ishte edhe Pejgamberi i tyre, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Nuk e kanë njohur atë, ose e kanë njohur dhe e kanë kundërshtuar me vetëdije – Allahu na ruajttë – dhe kjo është edhe më e rëndë.
Feja e Ibrahimit alejhi salatu ue selam nuk e pranon shirkun në asnjë formë. Kush e përzien veprën e tij me shirk, nuk është në fenë e Ibrahimit, edhe nëse i atribuohet asaj dhe pretendon se është musliman.
Prandaj, detyrë është ta njohësh fenë e Ibrahimit alejhi salatu ue selam, të punosh sipas saj dhe t’i përmbahesh asaj: ta adhurosh Allahun duke ia kushtuar Atij sinqerisht fenë, në mënyrë që në adhurimin tënd të mos ketë asnjë pjesë shirku, as të vogël e as të madh.
Kjo është feja e Ibrahimit, alejhi salatu ue selam: Hanifijje, e cila është larguar plotësisht nga shirku dhe është drejtuar tërësisht kah Teuhidi: ta adhurosh Allahun duke ia kushtuar Atij sinqerisht fenë.
(Sher’h Usulith-Thelathe f. 73-74)
Përktheu: Besim Gjelaj