Adhurimi nuk pranohet veçse me Teuhid!

Shejh Salih Alu Shejh, Allahu e ruajttë, thotë:

“Adhurimi nuk pranohet veçse me Teuhid. Kjo është si pastërtia për namazin; Teuhidi është kusht për pranimin e adhurimit, domethënë që të bëhet me sinqeritet (ihlas), ndërsa pastërtia është kusht për vlefshmërinë e namazit. Ashtu siç nuk është i vlefshëm namazi veçse me pastërti, po ashtu nuk është i vlefshëm adhurimi i askujt nëse ai nuk është muvehhid (që i përkushtohet Allahut me adhurim).

Edhe nëse në ballin e tij shihet shenja e sexhdes, edhe nëse agjëron ditën dhe falet natën, kushti për pranimin e këtyre është që të jetë muvehhid dhe i sinqertë.

Allahu i Madhëruar thotë: وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِين بَلِ اللَّهَ فَاعْبُدْ وَكُن مِّنَ الشَّاكِرِينَ

“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit. Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!” (Zumer  65-66)

Dhe i Plotfuqishmi thotë për jobesimtarët: وَقَدِمْنَا إِلَىٰ مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَّنثُورًا

“Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” (Furkan 23)

Pra, madhështia dhe adhurimet e shumta, nëse nuk janë me sinqeritet, nuk pranohen. Ashtu si një njeri që fal një namaz të madh, e zgjat qëndrimin në këmbë, rukunë dhe sexhden, dhe e zbukuron shumë, por e ka filluar pa pastërti, ky namaz nuk pranohet me konsensus, sepse pastërtia është kusht për vlefshmërinë e namazit.

Siç është vërtetuar në hadithin e saktë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Allahu nuk e pranon namazin e ndonjërit prej jush nëse i është prishë abdesi, derisa të marrë abdes.” (Buhariu 135 dhe Muslimi 225).

Dhe ka thënë salAllahu alejhi ue selem:

“Nuk pranohet namaz pa abdes dhe as sadakaja nga pasuri e përvetësuar në mënyrë të padrejtë.” (E transmeton Muslimi nga hadithi i AbdUllah ibën Umer radijAllahu anhuma).

Dhe ky kusht është i pranuar unanimisht.

Ky është vetëm një shpjegim për ta kuptuar këtë çështje të madhe; përndryshe, kushti i sinqeritetit dhe Teuhidit për pranimin e adhurimit është edhe më i madh se kushti i pastërtisë për pranimin e namazit. Sepse nëse dikush falet pa abdes me vetëdije, ka mospajtim mes dijetarëve nëse ai bëhet jobesimtar apo jo. Ndërsa nëse dikush adhuron Allahun duke i bërë shirk, atëherë me konsensus adhurimi i tij nuk pranohet dhe ai është jobesimtar, sepse ka bërë shirk të madh që nuk pranon asnjë vepër.

Kur kjo bëhet e qartë, atëherë ky parim e bën njeriun të ketë frikë dhe të gëzohet: të ketë frikë nga shirku dhe të mos jetë prej atyre që e bëjnë atë, dhe të gëzohet që Allahu e ka bërë prej njerëzve të Teuhidit.

Gëzimi që Allahu e ka bërë prej njerëzve të Teuhidit e detyron të falënderojë dhe ta ruajë këtë mirësi. Ndërsa frika dhe largimi nga shirku e bëjnë atë gjithmonë vigjilent që në adhurimet dhe fjalët e tij të mos hyjë asgjë prej shirkut; sepse nëse shirku është i madh, ai i shkatërron veprat, ndërsa nëse është i vogël, ai është më i rëndë se bidatet dhe mëkatet e ndryshme (në përgjithësi).

Kjo e bën njeriun të jetë njëkohësisht i frikësuar dhe shpresues, pra i frikësuar nga shirku dhe i gëzuar për Teuhidin, dhe e shtyn që të mësojë këto parime që e bëjnë të sigurt në çështjen e tij.”

(Sher’hul-Kavaidil-Er’bea 1/15-17)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button