Kushtet e fjalë “La ilahe il-lAllah”
Në dëshminë “La ilahe il-lAllah”, ka shtatë kushte që duhet të jenë të gjitha të pranishme; vetëm me bashkimin e tyre fjala ka vlerë. Në mënyrë të përmbledhur:
Dituria – që përjashton injorancën.
Bindja – që përjashton dyshimin.
Pranim – që përjashton mohimin.
Dorëzimi dhe nënshtrimi – që përjashton refuzimin.
Sinqeritet – që përjashton shirkun (shoqërimin e Allahut me diçka tjetër).
Vërtetësia – që përjashton përgënjeshtrimin.
Dashuria – që e përjashton të kundërtën e saj, që është urrejtja.
Detajet e secilit kusht janë si vijon:
Kushti i Parë: Dituria
Dituria do të thotë të kuptosh kuptimin e synuar të “La ilahe il-lAllah”, çfarë mohon dhe çfarë pohon. Dhe kjo përjashton injorancën. I Lartësuari thotë: إِلَّا مَنْ شَهِدَ بِالْحَقِّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ
“Përveç atyre që dëshmuan për të Vërtetën dhe e dinë mirë (se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut)” (Zuhruf 86).
Kjo do të thotë: të dëshmosh “La ilahe il-lAllah” dhe të dish me zemrën çfarë po thonë gjuhët. Nëse e thotë dikush pa e ditur kuptimin e saj, nuk i sjell dobi, sepse nuk ka besuar atë që kjo fjalë nënkupton.
Kuptimi i dëshmisë “La ilahe il-lAllah”:
Besimi dhe pranimi se vetëm Allahu meriton adhurim, dhe përkushtimi ndaj kësaj dhe të vepruarit me të.
“La ilahe” mohon çdo meritë për adhurim ndaj dikujt tjetër përveç Allahut.
“il-lAllah” pohon se vetëm Allahu meriton adhurim.
Dhe kuptimi i përgjithshëm i kësaj fjale është: Nuk ka të adhuruar tjetër më të drejtë përveç Allahut. Tregusi ‘Nuk ka’ detyrimisht nënkupton ‘më të drejtë’, si dhe nuk lejohet të përcaktohet me ‘ekzistues’, madje ky është në kundërshtim me realitetin, sepse të adhuruarit pos Allahut janë të shumtë. Nga kjo rrjedh se adhurimi i këtyre gjërave është adhurim ndaj Allahut. Dhe kjo është prej gjërave më të pavlefshme (më të kota), dhe është mendimi i ithtarëve të ‘Vah’detul-Vuxhud (panteizmit)’, të cilët janë më jobesimtarët ndër njerëzit e tokës.
Shumë interpretime të gabuara janë dhënë për këtë fjalë, si:
1.Kuptimi saj është: “Nuk ka të adhuruar përveç Allahut” – dhe kjo është e pavlefshme, sepse kjo do të thoshte se çdo i adhuruar, i vërtetë apo i kotë, është për qëllim Allahu.
2.Kuptimi i saj është: “Nuk ka Krijues përveç Allahut” – kjo është pjesë e kuptimit të saj, por nuk është ky qëllimi, sepse kjo pohon vetëm se Teuhidin e Rrububije, madje kjo nuk mjafton dhe ky është Teuhidi i idhujtarëve.
3.Kuptimi i saj është: “Nuk ka sundim përveç sundimi të Allahut” – kjo është pjesë e kuptimit të saj, por nuk është ky qëllimi, sepse të pohohet vetëm sundimi ndaj Allahut dhe krahas saj t’i lutet dikuj tjetër pos Allahut apo t’ia drejton dikuj tjetër ndonjë gjë prej adhurimit, nuk konsiderohet adhurues me adhurim të saktë (muvehid). Prandaj, krejt këto interpretime janë të pavlefshme ose të mangëta, madje ne i theksuam vetëm si vërejtje, sepse këto gjenden në disa libra të përhapur.
Interpretimi i saktë sipas selefit dhe dijetarëve të mirëfilltë është:
Të thuhet: “Nuk ka adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” Sic e kemi pohuar më parë.
Fjala “La ilahe il-lAllah” ka dy shtylla:
Mohimin: (La ilahe – Nuk ka të adhuruar me të drejtë) – kjo zhvletfëson shirkun dhe bën çdo adhurim ndaj të tjerëve të pavlefshëm, si dhe obligon mohimin e çdo kujt që adhurohet pos Allahut.
Pohimin: (il-lAllah – përveç Allahut) – tregon se askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut dhe obligon veprim sipas kësaj.
Në kuptimin e këtyre dy kushteve kanë ardhur shumë ajete, si për shembull fjala e të Lartësuarit: فَمَنْ يَكْفُرْ بِالطَّاغُوتِ وَيُؤْمِنْ بِاللَّهِ فَقَدِ اسْتَمْسَكَ بِالْعُرْوَةِ الْوُثْقَى لَا انْفِصَامَ لَهَا وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ
“Ai që mohon tagutët (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Bekare 256).
Fjala e Tij: فَمَنْ يَكْفُرْ بِالطَّاغُوتِ “Ai që mohon tagutët” kjo përfshin kuptimin e shtyllës së parë: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë”.
Dhe fjala e Tij: وَيُؤْمِنْ بِاللَّهِ “dhe beson në Allahun” kjo përfshin kuptimin e shtyllës se dytë: “Përveç Allahut”
Po ashtu fjala e Tij për Ibrahimin alejhis-selam: إِنَّنِي بَرَاءٌ مِمَّا تَعْبُدُونَ * إِلَّا الَّذِي فَطَرَنِي فَإِنَّهُ سَيَهْدِينِ
“Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju, përveç Atij që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë” (Zuhruf 26-27).
Fjala e Tij: إِنَّنِي بَرَاءٌ “Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato” kjo përfshin mohimin në shtyllën e parë.
Dhe fjala e Tij: إِلَّا الَّذِي فَطَرَنِي “përveç Atij që më ka krijuar” kjo përfshin pohimin në shtyllën e dytë.
Kushti i Dytë: Bindja
Ai që e thotë “La ilahe il-lAllah” duhet të jetë i bindur në kuptimin e saj. Nëse dyshon në atë që përmban kjo fjalë, nuk i sjell dobi. Allahu i Lartësuar thotë: إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ آَمَنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ ثُمَّ لَمْ يَرْتَابُوا وَجَاهَدُوا
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë në rrugën e Allahut…” (Huxhurat 15).
Nëse dikush dyshon, ai është hipokrit. Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë:
“Këdo që e takon pas këtij muri duke dëshmuar “La ilahe il-lAllah” me zemër të bindur, përgëzoje me xhenet”. Pra, kush nuk është i bindur me zemër, nuk e meriton hyrjen në xhenet.
Kushti i Tretë: Pranim
Meqë kjo fjalë kërkon të adhurohet vetëm Allahu dhe të braktiset çdo adhurim tjetër. Ai që e thotë, por nuk e pranon këtë dhe nuk i përkushtohet asaj, i përket atyre për të cilët Allahu i Lartësuar thotë: إِنَّهُمْ كَانُوا إِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ يَسْتَكْبِرُونَ * وَيَقُولُونَ أَئِنَّا لَتَارِكُوا آَلِهَتِنَا لِشَاعِرٍ مَجْنُونٍ
“Sepse, kur u thuhej atyre: “Nuk ka të adhuruar tjetër më të drejtë përveç Allahut!” – ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim të adhuruarit tonë për shkak të një poeti të marrë?’” (Safat 35-36).
Kështu është gjendja e adhuruesve të varreve sot: ata thonë “La ilahe il-lAllah”, por nuk e braktisin adhurimin e varrezave, si dhe nuk konsiderohen që e kanë pranuar kuptimin e fjalës “La ilahe il-lAllah”.
Kushti i Katërt: Dorëzimi dhe nënshtrimi
Dorëzimi dhe nënshtrimi ndaj asaj që ajo udhëzon. Allahu i Lartësuar thotë: وَمَنْ يُسْلِمْ وَجْهَهُ إِلَى اللَّهِ وَهُوَ مُحْسِنٌ فَقَدِ اسْتَمْسَكَ بِالْعُرْوَةِ الْوُثْقَى
“Dhe kushdo që ia nënshtron fytyrën (vetveten) e tij Allahut, duke qenë punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të fortë.” (Lukman 22).
“Lidhjën më të fortë” nënkupton fjalën: “La ilahe il-lAllah”. Kurse, “Ia nënshtron fytyrën” = do të thotë: i nënshtrohet Allahut me sinqeritet.
Kushti i Pestë: Vërtetësia
Dhe nënkupton që të thuhet kjo fjalë me sinqeritet që e vërteton dhe beson me zemër. Nëse e thotë vetëm me gjuhën dhe zemra nuk e beson, është hipokrit dhe gënjeshtar. Allahu i lartësuar thotë: وَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ آَمَنَّا بِاللَّهِ وَبِالْيَوْمِ الْآَخِرِ وَمَا هُمْ بِمُؤْمِنِينَ * يُخَادِعُونَ اللَّهَ وَالَّذِينَ آَمَنُوا
“Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët…” (Bekare 8-9).
Kushti i Gjashtë: Sinqeriteti
Dhe kjo nënkupton që vepra duhet të pastrohet nga çdo lloj shirkut: të mos thuhet për ambicie të kësaj bote, syfaqësi ose për famë. Siç transmetohet në hadithin e saktë nga Itbani:
“Vërtetë, Allahu e ka ndaluar zjarrin për atë që thotë ‘La ilahe il-lAllah’ duke kërkuar vetëm Fytyrën (kënaqësinë) e Allahut.” (E kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi).
Kushti i Shtatë: Dashuria
Duhet të duash këtë fjalë, kuptimin e saj dhe ata që veprojnë sipas saj. Allahu i Lartësuar thotë: وَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَتَّخِذُ مِنْ دُونِ اللَّهِ أَنْدَادًا يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ اللَّهِ وَالَّذِينَ آَمَنُوا أَشَدُّ حُبًّا لِلَّهِ
“E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (të adhuruar) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).” (Bekare 165).
Besimtarët e “La ilahe il-lAllah” e duan Allahun me dashuri të pastër, ndërsa ata që bëjnë shirk e ndajnë dashurinë mes Allahut dhe të tjerëve, gjë që është kundër kuptimit të dëshmisë “La ilahe il-lAllah”.
Shejh Salih elFeuzan, Allahu e ruajttë!
(Akidetut-Teuhid, f.53-57)
Përktheu: Besim Gjelaj