Mospajtimi dhe përçarja mes njerëzve janë shkak për largimin e mirësisë

Mospajtimi dhe përçarja mes njerëzve janë shkak për largimin e mirësisë

Pyetja:

Është vërtetuar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem se veprat e dy personave që janë në armiqësi mesveti nuk ngriten (tek Allahu). Ndonjëherë ndodh që mes njerëzve të lindë një konflikt për shkak të sharjes, fyerjes apo fjalëve lënduese nga njëri prej tyre; tjetri zemërohet dhe ndërpret komunikimin me të, realisht si shkak i zullumut që i është shkaktuar nga kjo sharje apo fyerje.

A është e vërtetë se veprat e tyre nuk ngrihen tek Allahu, apo këto hadithe janë vetëm nga hadithet paralajmëruese? Allahu ju shtoftë jetën në mirësi dhe ju bëftë të dobishëm.

Përgjigjja:

Pa dyshim që grindja dhe armiqësia mes njerëzve janë shkak për pengimin e mirësisë. Dëshmia për këtë është se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një natë doli te shokët e tij në Ramazan për t’u treguar për Natën e Kadrit, por dy burra nga sahabët u grindën, domethënë u përleshën me fjalë, dhe si pasojë, dija për Natën e Kadrit u hoq, pra u ngrit (nuk iu bë e ditur njerëzve) në atë vit.

Po ashtu, veprat i paraqiten Zotit të Plotfuqishëm çdo të hënë dhe çdo të enjte, përveç veprave të dy personave mes të cilëve ka armiqësi dhe në zemrat e tyre ka urrejtje dhe armiqësi; për ta thuhet:

“Lërini këta të dy derisa të pajtohen.”

Prandaj, njeriu duhet të përpiqet që në zemrën e tij të mos ketë asnjë mllef apo urrejtje ndaj ndonjërit prej muslimanëve. Edhe nëse shpirti që urdhëron për të keq i thotë: “Filani bëri këtë, bëri atë, tha këtë…”, duhet t’i fshijë këto nga zemra e tij dhe ta ketë zemrën të pastër ndaj vëllezërve të tij muslimanë.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Lika esh-Shehrij, 36)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button