Kush merr borxh me nijetin ta kthejë dhe i mbështetet Allahut, Allahu ia lehtëson kthimin!

Kush merr borxh me nijetin ta kthejë dhe i mbështetet Allahut, Allahu ia lehtëson kthimin!

Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem, se ai ka thënë:

“Një burrë nga Beni Israilët i kërkoi dikujt nga Beni Israilët që t’i jepte hua një mijë dinarë.

Ai i tha: Më sill dëshmitarë që t’i marr për dëshmi.

Ai iu përgjigj: Mjafton Allahu si deshmitarë.

Pastaj tha: Atëherë më sill një garant.

Ai tha: Mjafton Allahu si garantues.

Atëherë tha: Ke thënë të vërtetën.

Dhe ia dha paratë deri në një afat të caktuar.

Huamarrësi doli në det dhe realizoj atë që kishte nevojë, pastaj kërkoi një anije që ta kthente borxhin në afatin e caktuar, por nuk gjeti asnjë anije.

Atëherë mori një copë druri, e hapi, futi brenda një mijë dinarët dhe një letër për shokun e tij, pastaj e mbylli mirë.

E erdhi te deti dhe tha:

‘O Allah! Ti e di se unë i mora hua këtij njeriu një mijë dinarë. Ai më kërkoi garantues dhe unë thashë: mjafton Allahu si garantues, dhe ai u kënaq me Ty. Më kërkoi dëshmitar dhe unë thashë: mjafton Allahu si dëshmitar, dhe ai u kënaq me Ty. U përpoqa të gjej një anije për t’ia dërguar borxhin, por nuk munda. Prandaj po ta lë Ty në amanet këtë borxh.’

Pastaj e hodhi drurin në det derisa u fut në ujë dhe u largua, ndërkohë që vazhdonte të kërkonte një anije për t’u kthyer në vendin e tij.

Ndërkohë, njeriu që ia kishte dhënë borxhin doli të shikonte nëse kishte ardhur ndonjë anije me paratë e tij. Ai pa drurin që kishte paratë brenda, e mori për dru zjarri për familjen e tij. Kur e çau, gjeti paratë dhe letrën.

Më vonë erdhi huamarrësi me një mijë dinarë dhe tha:
Pasha Allahun, jam përpjekur vazhdimisht të gjej një anije që të ta sjell borxhin, por nuk gjeta asnjë para kësaj me të cilën erdha.

E pyeti: A më ke dërguar diçka?

Ai tha: Të tregoj se nuk gjeta asnjë anije para kësaj me të cilën erdha.

Atëherë ai tha:

Allahu e ka shlyer borxhin tënd me atë që dërgove në dru. Prandaj kthehu me një mijë dinarët e tu pa shqetësim.”

(Buhariu 2291)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button