Parimi i madh që e kërkuan të gjithë të dërguarit

Parimi i madh që e kërkuan të gjithë të dërguarit

Shejh AbdulAziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Parimi i madh dhe i parë, të cilin e kërkuan të gjithë të dërguarit, është besimi se Allahu është i Vetmi i Adhuruar me të drejtë, i Vërteti, i Lartësuari dhe i Madhërishmi. Pra, ky është kuptimi i dëshmisë: La ilahe il-lAllah.

Ky është një parim themelor dhe i qëndrueshëm, për të cilin janë pajtuar të gjithë të dërguarit, alejhimus-salatu ues-selam. Që të gjithë ata kanë thirrur në këtë parim të madh: Që njerëzit të besojnë se Allahu është i Adhuruari i vërtetë dhe se nuk ka asnjë të adhuruar me të drejtë përveç Tij.

Ky është kuptimi i fjalës La ilahe il-lAllah, domethënë: Nuk ka të Adhuruar me të drejtë përveç Allahut.

Çfarëdo që njerëzit kanë adhuruar përveç Tij, qoftë idhuj, pemë, gurë, pejgamberë, njerëz të devotshëm apo engjëj, e gjitha kjo është e pavlefshme.

Adhurimi i vërtetë i takon vetëm Allahut, të Vetmit, të Lartësuarit dhe të Madhëruarit:

وَإِلَٰهُكُمْ إِلَٰهٌ وَاحِدٌ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الرَّحْمَٰنُ الرَّحِيمُ

“Dhe i Adhuruari juaj është Një i Adhuruar i Vetëm; nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Tij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit” (Bekare 163).

وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ

“Ndërsa Zoti yt ka përcaktauar që të mos adhuroni askënd e asgjë veç Atij…” (Isra 23).

إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë!” (elFatiha 4).

وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ

“Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër, veçse ajo që duhet të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij, të adhuronin Atë me besim të vërtetë e me përkushtim të plotë…” (Bejineh 5).

Bashkë me këtë parim, është domosdoshmëri besimi në të dërguarit, alejhimus-salatu ues-selam.

Në kohën e Nuhut ishte obligim besimi (imani) në Nuhun.

Në kohën e Hudit ishte obligim besimi në Hudin, me Teuhidin e Allahut;

Në kohën e Salihut ishte obligim besimi në Salihun, me Teuhidin e Allahut.

Kështu ka qenë në kohën e çdo të dërguari. Është i domosdoshme Teuhidi i Allahut, besimi se nuk ka të Adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, dhe besimi (imani) në të dërguarin që e ka përcjellë mesazhin në kohën e vet, deri te Isai, alejhis-selam, i cili ishte i fundit i pejgamberëve të Beni Is’railët.

Pastaj Allahu dërgoi të fundit dhe më të mirin prej tyre, Pejgamberin tonë Muhamedin salAllahu alejhi ue selem.

Isai ishte pejgamberi i fundit i Beni Is’railëve, ndërsa Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është pejgamberi i fundit dhe vula e të gjithë pejgamberëve.

Pas tij nuk ka më pejgamber e as të dërguar.

Ai është më i miri i të dërguarve, prijesi i tyre dhe vula e tyre.

(Fetawa Nurun ala Dërb 1/14)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button