Kush janë Ehlul-Hadithi?
Kush janë Ehlul-Hadithi?
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Njerëzit e hadithit (Ehlul-hadith) janë ata që nuk janë fanatikë për asnjë medh’heb në çështjet e akides (besimit), si p.sh. maturiditë, esh’aritë, mu’tezilitë apo xhebritë.
Po ashtu, ata nuk janë fanatikë për asnjë medh’heb juridik në çështjet e dispozitave fetare, si medh’hebi hanefij, malikij, shafi’ij apo hanbelij, e lëre më për ndonjë medh’heb tjetër që është edhe më larg prej këtyre.
Ehlul-hadith nuk kanë fanatizëm për askënd tjetër veçse për hadithin, prandaj edhe janë quajtur dhe përfshirë me këtë emër. Siç ka thënë poeti:
“Ehlul-hadith janë njerëzit e të Dërguarit, janë njerëzit e Profetit,
edhe nëse nuk e kanë shoqëruar vetë trupin e tij, kanë shoqëruar frymën e tij.”
Kjo është përgjigjja për atë injorant që ka thënë: “A e ke takuar ti të Dërguarin?” Madje ai vetë nuk e ka takuar, mirëpo ata që merren me hadithet e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, është sikur të jetonin me të, sepse:
“Ehlul-hadith janë njerëzit e Profetit, edhe nëse nuk e kanë shoqëruar vetë trupin e tij, kanë shoqëruar frymën e tij.”
Prandaj, është bërë e njohur ndër të gjithë dijetarët, pa përjashtim, fukahatë, komentuesit e Kur’anit (mufesirë) e të tjerë, se të gjithë kanë thënë atë që ka treguar hadithi i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, ku ai ka thënë:
“Allahu e ndriçoftë fytyrën e atij që dëgjon fjalët e mia, i mëson përmendsh dhe i përcjell ashtu siç i ka dëgjuar. Sepse mund të ndodhë që ai tek i cili arrijnë ato t’i kuptojë më mirë se ai që i ka dëgjuar. Dhe ndoshta bartësi i fjalëve të mia ia përcjell ato dikujt që është më i ditur se vetë bartësi i tyre.”
Dijetarët kanë thënë se për këtë arsye shohim dritë (nur) në fytyrat e njerëzve të hadithit, sepse ata merren me fjalët e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem natë e ditë.
Dhe me të vërtetë, u vërtetua fjala e atij poeti të ditur:
“Ehlul-hadith janë njerëzit e Profetit, edhe nëse nuk e kanë shoqëruar vetë trupin e tij, kanë shoqëruar frymën e tij.”
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë!
(Huda uen-Nur Nr. 203)
Përktheu: Besim Gjelaj