Obligimi i njeriut ndaj fesë së tij!
Nga shejh Muhamedi ibën Salih el-Uthejmin, All-llahu e mëshiroftë!
Ajo që është obligim i njeriut në lidhje me fenë e tij, është pasimi i fjalës së All-llahut dhe fjalës së të Dërguarit të Tij salAll-llahu alejhi ue sel-lem, si dhe pasimi i sundimtarëve të drejtë dhe të udhëzuar që e pasuan Muhamedin salAll-llahu alejhi ue sel-lem në sundim. Poashtu edhe tabi’inët që i pasuan sahabët me të mirë!
Për arsye se All-llahu i Lartësuar e dërgoi Muhamedin salAll-llahu alejhi ue sel-lem me argumente të qarta dhe me udhëzim, e bëri obligim ndaj gjithë njerëzve që ta besojnë dhe ta pasojnë me formën e brendshme dhe të jashtme. All-llahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj (Muhammed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.””
| Araf 158 |.
Ka thënë Pejgamberi salAll-llahu alejhi ue sel-lem:
“Përmbajuni sunetit tim dhe sunetit të sundimtarëve të drejtë, të udhëzuar që vijnë pas meje,
përmbajuni fuqishëm, me dhëmballë, ruajuni nga risitë, pasi që çdo risi është bidat,
e çdo bidat përfundimin e ka në zjarr”.
Sundimtarët e drejtë janë ata të cilët e pasuan Pejgamberin salAll-llahu alejhi ue sel-lem në dituri të dobishme dhe vepra të mira.
Prandaj, njerëzit që me së shumti e meritojnë këtë epitet janë sahabët radijAll-llahu anhum, ngase, All-llahu i Lartësuar i zgjodhi për shoqërues te të Dërguarit të Tij salAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe për ngritjen e fesë së Tij, dhe All-llahu i Lartësuar nuk zgjedh (e Ai është i Gjithëdijshem, i Urtë) shoqërues për të Dërguarin e Tij salAll-llahu alejhi ue sel-lem, përveç atyre që janë me besimin me të plotë, me mendjet me të forta, me të drejtit në vepra, me të vendosurit në çështje dhe me të udhëzuarit në rrugë.
Për këtë, këta janë njerëzit më meritorë për tu pasuar pas të Dërguarit të tyre salAll-llahu alejhi ue sel-lem, e pas tyre imamët e fesë të cilët njihen me udhëzim dhe të mirë.
| ‘Tel’his el-Hamevije’ f.49 |
| Shejh Muhamedi ibën Salih el-Uthejmin, All-llahu e mëshiroftë |.
Përktheu: Besim Gjelaj
————————————————————————-