Historia e vrasjes së Husejnit
Historia e vrasjes së Husejnit, nipit të të Dërguarit të Allahut ﷺ
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Çdo musliman duhet të pikëllohet për vrasjen e Husejnit radijAllahu anhu, sepse ai ishte prej figurave të nderuara të muslimanëve dhe prej dijetarëve të sahabëve, dhe ishte nipi i të Dërguarit të Allahut ﷺ nga vajza e tij, e cila ishte më e mira prej vajzave të tij. Ai ishte adhurues i devotshëm dhe shumë bujar.
Por nuk është e mirë ajo që bëjnë disa njerëz duke shfaqur dëshpërim dhe pikëllim të tepruar, sepse shumica e kësaj mund të jetë shtirje dhe syefaqësi.”
Babai i tij, Aliu radijAllahu anhu, ishte më i mirë se ai dhe u vra, por njerëzit nuk e kanë bërë ditën e vrasjes së tij ditë zie, siç e bëjnë me ditën e vrasjes së Husejnit.
Babai i tij u vra ditën e xhuma, ndërsa po dilte për namazin e sabahut, më 17 Ramazan të vitit 40 hixhri.
Po ashtu, Uthmani radijAllahu anhu ishte më i mirë se Aliu sipas Ehlu Sunetit dhe Xhematit. Ai u vra ndërsa ishte i rrethuar në shtëpinë e tij, gjatë ditëve të Teshrikut në muajin Dhul-Hixhe të vitit 36 hixhri. Atij iu pre fyti nga njëra anë në tjetrën, megjithatë njerëzit nuk e bënë ditën e vrasjes së tij ditë zie.
Edhe Umeri ibnul-Hattabi radijAllahu anhu, i cili ishte më i mirë se Uthmani dhe Aliu, u vra ndërsa qëndronte në mihrab duke falur namazin e sabahut dhe duke lexuar Kur’an. Megjithatë, njerëzit nuk e bënë ditën e vrasjes së tij ditë zie.
Po kështu, Ebu Bekri radijAllahu anhu ishte më i mirë se ai, por edhe dita e vdekjes së tij nuk u shndërrua në ditë zie.
Ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ, zotëria i bijve të Ademit në këtë botë dhe në botën tjetër, Allahu e mori pranë Vetes, ashtu siç vdiqën edhe pejgamberët para tij. Askush nuk e bëri ditën e vdekjes së tyre ditë zie. Askush nuk ka transmetuar se në ditën e vdekjes së tyre, apo para saj, ndodhi ndonjë nga ato gjëra që pretendojnë disa njerëz se ndodhën ditën e vrasjes së Husejnit, si errësimi i diellit, skuqja e qiellit dhe të ngjashme.”
________________________________________
Vrasja e Husejnit
Kur banorët e Irakut morën vesh se Husejni nuk ia kishte dhënë besatimin Jezid ibën Muavijes, dhe kjo ishte në vitin 60 hixhri, i dërguan atij delegacione dhe letra, duke e ftuar që t’i jepnin besatimin atij.
Kjo ndodhi sepse ata nuk e pranonin Jezidin, as babanë e tij (Muavijen radijAllahu anhu), as Uthmanin, as Umerin dhe as Ebu Bekrin; ata dëshironin vetëm Aliun dhe pasardhësit e tij.
Numri i letrave që i mbërritën Husejnit thuhet se kaloi pesëqind.
Prandaj, Husejni dërgoi kushëririn e tij, Muslim ibën Akilin, që të shqyrtonte gjendjen dhe të mësonte realitetin e kësaj besëlidhjeje.
Kur Muslimi arriti në Kufe, u bind se njerëzit dëshironin ardhjen e Husejnit. Ata ia dhanë besën Husejnit në shtëpinë e Hani ibën Urves.
Kur lajmi arriti te Jezid ibën Muavije në Sham, ai i dërgoi urdhër UbejdUllah ibën Zijadit, guvernatorit të Basrës, që të merrej me këtë çështje dhe t’i pengonte banorët e Kufes që të bënin kryengritje me Husejnin.
Ai nuk e urdhëroi atë ta vriste Husejnin.
UbejdUllahu hyri në Kufe dhe nisi të hetonte çështjen, derisa mori vesh se shtëpia e Hani ibën Urves ishte qendra ku qëndronte Muslim ibën Akili dhe ku merrej besatimi.
Muslim ibën Akili doli kundër UbejdUllahut dhe e rrethoi pallatin e tij me katër mijë përkrahës, në mesditë.
Ubejdllahu iu drejtua atyre me fjalim, duke i frikësuar me ushtrinë e Shamit dhe duke i joshur me premtime e kërcënime.
Gradualisht njerëzit filluan ta braktisnin Muslimin, derisa me të mbetën vetëm tridhjetë burra.
Para perëndimit të diellit, Muslim ibën Akili kishte mbetur krejtësisht vetëm.
Pastaj u kap dhe Ubejdllahu urdhëroi ekzekutimin e tij.
Muslimi kërkoi leje të dërgonte një mesazh te Husejni, dhe kjo iu lejua.
Në mesazh shkruhej:
“Kthehu bashkë me familjen tënde. Mos lejo që banorët e Kufes të të mashtrojnë. Ata më kanë tradhtuar mua dhe të kanë tradhtuar edhe ty. Nuk merret parasysh mendimi i një gënjeshtari.”
Pastaj UbejdUllahu urdhëroi vrasjen e tij. Kjo ndodhi ditën e Arafatit.
Ndërkohë, para kësaj, Muslim ibën Akili i kishte dërguar Husejnit një letër ku i kishte shkruar që të vinte.
Prandaj, Husejni u nis nga Meka ditën e Tervijes.
Këshillat e sahabëve drejtuar Husejnit (radijAllahu anhu)
Shumë prej sahabëve u përpoqën ta ndalonin Husejnin dhe e këshilluan të mos dilte drejt Kufes. Ndër ta ishin:
• Ibën Abbasi.
• Ibën Umeri.
• Ibën Zubejri.
• AbdUllah ibën Amër ibn el-Asi.
• Vëllai i tij, Muhamed ibën el-Hanefijje.
Këshilla e Ibën Umerit radijAllahu anhuma
Ibën Umeri i tha Husejnit:
“Do të të tregoj një hadith. Xhibrili erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia ofroi zgjedhjen mes kësaj bote dhe Ahiretit. Ai zgjodhi Ahiretin dhe nuk e dëshiroi këtë botë. Ti je pjesë e tij. Pasha Allahun, askush prej jush (Ehlu Bejtit) nuk do ta marrë pushtetin e kësaj bote. Allahu nuk ua largoi atë veçse për atë që është më e mirë për ju.”
Megjithatë, Husejni nuk pranoi të kthehej.
Atëherë Ibën Umeri e përqafoi, qau dhe i tha:
“Të lë në mbrojtjen e Allahut, të lë në mbrojtjen e Allahut nga kushdo që tenton të të vrasë.”
Këshilla e Ibën Abbasit radijAllahu anhuma
Sufjani transmeton me zinxhir të saktë se Ibën Abbasi i tha Husejnit:
“Po të mos kisha frikë se njerëzit do të më qortonin mua dhe ty, do të të kapja për flokët e kokës dhe nuk do të të lejoja të largoheshe.”
Këshilla e Ibën Zubejrit radijAllahu anhuma
AbdUllah ibën Zubejri i tha:
“Ku po shkon? Te një popull që vrau babanë tënd dhe e goditi me thikë vëllanë tënd?”
Këshilla e AbdUllah ibën Amr ibn el-Asit radijAllahu anhu
AbdUllah ibën Amri tha:
“Husejni e përshpejtoi kaderin e tij (caktimin e tij). Pasha Allahun, sikur ta kisha arritur, nuk do ta kisha lënë të dilte, përveç nëse do të më mposhtte.”
Këtë e transmeton Jahja ibën Main me zinxhir të saktë.
________________________________________
Lajmi për Muslim ibën Akilin
Husejnit i mbërriti lajmi për vrasjen e Muslim ibën Akilit nëpërmjet të dërguarit që kishte nisur vetë Muslimi.
Atëherë Husejni vazhdoi rrugën e tij në drejtim të Shamit, me synimin të takohej me Jezid ibën Muavijen.
Mirëpo, në Kerbela, atij iu dolën përpara ushtritë e udhëhequra nga:
• Umer ibën Sa’d.
• Shemr ibën Dhil-Xheushen.
• Husajn ibën Temim.
Husejni iu drejtua atyre në emër të Allahut dhe të Islamit dhe u kërkoi të zgjidhnin njërën nga këto tri mundësi:
1. Ta linin të shkonte te prijësi i besimtarëve (Jezidi), që t’ia jepte dorën e besës.
2. Ta linin të kthehej prej nga kishte ardhur.
3. Ose ta lejonin të shkonte në një nga kufijtë e shtetit islam, ku të qëndronte derisa Allahu ta merrte pranë Vetes.
(Këtë e transmeton Ibën Xheriri me zinxhir të mirë.)
Ata thanë:
“Jo! Veçse sipas vendimit të UbejdUllah ibën Zijadit.”
________________________________________
Qëndrimi i Hurr ibën Jezidit
Kur Hurr ibn Jezidi, i cili ishte njëri nga komandantët e Ibën Zijadit, e dëgjoi këtë, tha:
“Po ju ofrohet një zgjidhje pa luftë; dhe edhe sikur një kërkesë të tillë t’jua bënin popuj të huaj të fuqishëm (turqit dhe dejlemitët), nuk do të ishte e lejuar dhe as e drejtë ta refuzonit.”
Por ata nuk pranuan asgjë tjetër përveç dorëzimit para UbejdUllah ibën Zijadit.
Atëherë Hurri e ktheu kalin e tij dhe u drejtua nga Husejni dhe shokët e tij.
Ata menduan se ai po vinte për t’i luftuar.
Por kur u afrua, ai e përmbysi mburojën e tij (si shenjë se nuk do të luftonte kundër tyre), i përshëndeti me selam dhe më pas u kthye kundër ushtrisë së Ibën Zijadit.
Ai luftoi me trimëri, vrau dy prej tyre dhe më pas ra dëshmor.
Allahu e mëshiroftë.
(Këtë e transmeton Ibn Xheriri me zinxhir të mirë.)
________________________________________
Fillimi i betejës
Beteja ishte krejtësisht e pabarabartë.
Shokët e Husejnit radijAllahu anhum luftuan njëri pas tjetrit para tij, duke e mbrojtur, derisa të gjithë ranë dëshmorë.
Në fund mbeti vetëm Husejni.
Ai luftonte si një luan.
Por numri i madh i kundërshtarëve ishte vendimtar.
Secili prej ushtarëve të Kufes dëshironte që dikush tjetër ta vriste Husejnin, në mënyrë që të mos mbante mbi vete përgjegjësinë e gjakut të tij.
Më në fund u ngrit një njeri i lig, i quajtur Shemr ibën Dhil-Xheushen, dhe e goditi Husejnin me heshtë, duke e rrëzuar në tokë.
Pastaj u mblodhën rreth tij dhe e vranë si shehid të lumtur.
Thuhet se Shemri ishte ai që ia preu kokën.
Ndërsa sipas një mendimi tjetër, këtë e bëri Sinan ibën Enes en-Nehai.
Allahu e di më së miri.
________________________________________
Çështja e ujit
Sa i përket tregimit se Husejnit iu ndalua uji dhe se ai vdiq nga etja, si dhe shumë shtesave të tjera që përmenden për të prekur emocionet e njerëzve, Ibën Kethiri thotë:
“Asgjë prej tyre nuk është vërtetuar. Ajo që është vërtetuar mjafton.”
Nuk ka dyshim se kjo është një histori shumë e dhimbshme dhe pikëlluese.
I humbur dhe i dënuar është ai që mori pjesë në vrasjen e Husejnit dhe shokëve të tij, duke merituar zemërimin e Allahut.
Ndërsa për shehidin e lumtur dhe shokët e tij kërkojmë mëshirën, kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut, dhe lutemi për ta.
Ata që ranë dëshmorë me Husejnin radijAllahu anhu
Prej bijve të Ali ibën Ebi Talibit:
• Ebu Bekr
• Muhamed
• Uthman
• Xhafer
• Abbas
Prej bijve të Husejnit:
• Ebu Bekr
• Umer
• Uthman
• Ali el-Ekber
• AbdUllah
Prej bijve të Hasan ibn Aliut:
• Ebu Bekr
• Umer
• AbdUllah
• Kasim
Prej bijve të Akilit:
• Xhafer
• AbdUllah
• AbduRrahman
• AbdUllah ibën Muslim ibën Akil
Prej bijve të AbdUllah ibën Xhaferit:
• Auvn
• Muhamed
Dhe u shtohen atyre: Husejni dhe Muslim ibën Akili (radijAllahu anhum).
________________________________________
Rrëfimet e pavërtetuara rreth ngjarjes
Sa i përket asaj që transmetohet se:
• qielli ra gjak,
• muret u mbushën me gjak,
• çdo gur që ngrihej gjendej nën të gjak,
• çdo kafshë e therur dilte e gjitha gjak.
Këto janë të gjitha rrëfime të pavërtetuara, të cilat përhapen për të ndezur emocione.
Ato nuk kanë zinxhirë të saktë transmetimi dhe nuk mbështeten në burime të besueshme.
Ajo që është autentike dhe e vërtetuar mjafton për të kuptuar ngjarjen.
________________________________________
Krahasimi me vrasjet e tjera në histori
Vrasja e Husejnit nuk është më e madhe se vrasja e pejgamberëve që kanë ndodhur më parë.
Shembuj:
• Koka e Jahja ibën Zekerijas u soll si dhuratë për një grua të ligë.
• Zekerija u vra.
• Shumë pejgamberë janë vrarë, siç thotë Allahu i Madhëruar: قُلۡ قَدۡ جَآءَكُمۡ رُسُلٞ مِّن قَبۡلِي بِٱلۡبَيِّنَٰتِ وَبِٱلَّذِي قُلۡتُمۡ فَلِمَ قَتَلۡتُمُوهُمۡ إِن كُنتُمۡ صَٰدِقِينَ
“Thuaju (o Muhamed): “Të dërguarit para meje ju kanë sjellë juve prova të qarta si dhe atë që thoni ju, atëherë, pse i vratë ata, nëse thoni të vërtetën?” (Ali Imran 183).
Po ashtu janë vrarë:
• Umer ibnul-Hattab
• Uthman ibën Affan
• Ali ibën Ebi Talib, radijAllahu anhum.
Përmblodhi dhe përktheu: Besim Gjelaj