Kuptimi i hadithit: “Nëse ndodh Kiameti dhe dikush prej jush ka në dorë një filiz palme”

Pyetja: Cila është shkalla e hadithit: “Nëse ndodh Kiameti dhe dikush prej jush ka në dorë një filiz palme, le ta mbjellë atë”?

Përgjigjja: Ky hadith është sahih. E ka transmetuar Ahmedi dhe të tjerë, me zinxhir të saktë transmetimi.

Kuptimi i tij është nxitja për të punuar. Përndryshe, dihet se kur të ndodhë Kiameti, njeriu nuk do të ketë mundësi të bëjë asgjë, por qëllimi është nxitja për punë. Ky hadith na mëson se njeriu duhet të punojë. Në të ka nxitje për bujqësi dhe mbjelljen e pemëve. Besimtari duhet të jetë njeri që punon, e jo të jetë i papunë dhe përtac, siç veprojnë disa njerëz.

Jo, madje besimtari duhet të jetë njeri që punon, aktiv dhe me vullnet të fortë, qoftë në bujqësi, në mbjelljen e pemëve apo në lloje të ndryshme të fitimit të jetesës, si zdrukthëtaria, farkëtaria, mbjellja e pemëve, shkrimi e të tjera. Ai nuk duhet të rrijë pa punë, por duhet të punojë. Në Sahih përcillet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Për çdo nyje të trupit të secilit prej jush ka sadaka.” Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, po nëse nuk ka asgjë?”, pra, nëse nuk ka pasuri.

Ai salAllahu alejhi ue selem tha: “Le të punojë me duart e veta, në mënyrë që të përfitojë vetë dhe të japë sadaka.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë gjithashtu: “Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut dhe mos u trego i paaftë!” Këtë hadith e ka transmetuar Muslimi.

Në fillim të këtij hadithi, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, ndonëse në të dy ka mirësi.”

Pjesë e forcës së besimtarit dhe e përsosmërisë së fesë së tij është puna, përkushtimi dhe zelli në kërkimin e furnizimit. Po ashtu, kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u pyet se cili fitim është më i miri, ai tha: “Puna që njeriu e bën me duart e veta dhe çdo shitblerje e ndershme.”

Gjithashtu, në Sahihul-Buhari përcillet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë sesa ai që e ka fituar me punën e duarve të veta. Edhe Davudi, alejhis-selam, hante nga puna e duarve të veta.”

Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!

https://binbaz.org.sa/fatwas/4057/%D9%85%D8%B9%D9%86%D9%89-%D8%A7%D8%B0%D8%A7-%D9%82%D8%A7%D9%85%D8%AA-%D8%A7%D9%84%D8%B3%D8%A7%D8%B9%D8%A9-%D9%88%D9%81%D9%8A-%D9%8A%D8%AF-%D8%A7%D8%AD%D8%AF%D9%83%D9%85-%D9%81%D8%B3%D9%8A%D9%84%D8%A9?

Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in

Related Articles

Back to top button