Fatkeqësia mund të jetë në tri gjëra!

Sa i përket fjalës së të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem: “Nëse fatkeqësia (tersi) do të ishte në diçka, atëherë do të ishte në tri gjëra: në shtëpi, në grua dhe në kalë.” Kuptimi është se këto tri gjëra janë ato që më së shumti e shoqërojnë njeriun: gruaja është bashkëshortja e tij, shtëpia është vendbanimi i tij, ndërsa kali është mjeti me të cilin udhëton. Dhe këto tri gjëra ndonjëherë mund të jenë shkak fatkeqësie.

Ndonjëherë njeriu martohet me një grua dhe nuk gjen prej saj veçse telashe, lodhje dhe probleme. Po ashtu, mund të vendoset në një shtëpi dhe ajo të jetë shkak fatkeqësie për të; i ngushtohet gjoksi, nuk ndihet rehat dhe mërzitet prej saj. Gjithashtu, kali – ndërsa sot kali nuk është mjeti ynë i udhëtimit – por mjeti ynë i udhëtimit janë makinat. Disa makina mund të jenë shkak fatkeqësie: shtohen aksidentet me to dhe prishjet e tyre, dhe njeriu mërzitet prej tyre.

Nëse njeriu goditet nga diçka e tillë, le të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar dhe të thotë:

اللَّهُمَّ لَا خَيْرَ إِلَّا خَيْرُكَ، وَلَا طَيْرَ إِلَّا طَيْرُكَ، وَلَا إِلٰهَ غَيْرُكَ
“O Allah, nuk ka të mirë përveç së mirës Tënde, nuk ka fatkeqësi përveç asaj që Ti ke caktuar dhe nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje.” (Allahumme la hajre il-la hajruk. Ue la tajre il-la tajruk. Ue la ilahe gajruk).

Atëherë Allahu ia largon atë ndjenjë të fatkeqësisë që gjendet në shpirtin e tij.

Allahu është Dhënësi i suksesit.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Sher’h Rijadus-Salihin, 4/264)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in

Related Articles

Back to top button