Gjaku që del nga trupi, a e prish abdesin?

Pyetja: Cili është gjykimi për gjakun që del nga trupi i njeriut, qoftë nga hunda apo nga ndonjë pjesë tjetër e trupit? A konsiderohet i papastër, kështu që duhet të lahet vendi i rrobës ku ka rënë? Dhe a e prish abdesin? Gjithashtu, cili është gjaku që rrjedh, për të cilin jemi ndaluar ta hamë?

Përgjigjja: Gjaku që rrjedh, të cilin jemi ndaluar ta hamë, është ai që del nga kafsha gjatë kohës që ajo është ende gjallë. Kështu vepronin njerëzit në kohën e injorancës: kur ndonjëri prej tyre kishte uri, i çante një venë devesë së tij dhe pinte gjakun e saj. Ky është gjaku i ndaluar.

Po ashtu, edhe gjaku që del gjatë therjes, para se kafsha të japë shpirt, është gjak i ndaluar dhe i papastër. Dëshmia e Kur’an-it për këtë është e qartë në disa ajete, ku bëhet e ditur se ai është i ndaluar. Në suren El-En‘am, Allahu i Lartësuar e ka cilësuar qartë si të papastër. Allahu thotë:

فَإِنَّهُۥ رِجۡسٌ
…se këto janë të ndyta.” (En’am, 145).

Përemri në këtë pjesë të ajetit i referohet asaj që përmendet në fjalët  إِلَّآ أَن يَكُونَ “…përveç nëse është…” (En’am, 145), dhe jo vetëm mishit të derrit, siç është thënë. Nëse e mediton ajetin, do të kuptosh se ky është kuptimi i saktë. Allahu i Lartësuar thotë:

قُل لَّآ أَجِدُ فِي مَآ أُوحِيَ إِلَيَّ مُحَرَّمًا عَلَىٰ طَاعِمٖ يَطۡعَمُهُۥٓ إِلَّآ أَن يَكُونَ مَيۡتَةً أَوۡ دَمٗا مَّسۡفُوحًا أَوۡ لَحۡمَ خِنزِيرٖ فَإِنَّهُۥ رِجۡسٌ
“Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua asgjë që e ndalon njeriun të hajë çfarë të dojë, përveç nëse është kafshë e ngordhur, gjakut të derdhur, mishit të derrit, se këto janë të ndyta…”
(En‘am, 145).

Pra, gjëja e cila është përjashtuar nga të lejuarat është ajo që cilësohet si e papastër. Ky është arsyetimi për gjykimin që përfshin këto tri gjëra. Kjo është e qartë për atë që e mediton ajetin. Nuk është thjesht çështje mospajtimi nëse përemri i referohet vetëm njërës prej gjërave të përmendura apo të gjitha atyre. Përkundrazi, kjo është e qartë, sepse bëhet fjalë për një arsyetim që përfshin këto tri gjëra. Ky është gjaku që rrjedh.

Ndërsa gjaku që mbetet në kafshën e lejuar pasi ajo të jetë therur në mënyrë të ligjshme, është i pastër, edhe nëse më vonë del prej saj. Disa vena mund të kenë gjak edhe pas therjes dhe pasi kafsha të ketë dhënë shpirt, kështu që nëse ato çahen, prej tyre rrjedh gjak. Ky gjak është i lejuar dhe i pastër. Po ashtu, gjaku i mëlçisë, gjaku i zemrës dhe gjaku i ngjashëm me këto janë të gjitha të lejuara dhe të pastra.

Sa i përket gjakut që del nga njeriu, nëse del nga dy rrugët intime, nga pjesa e përparme ose nga pjesa e pasme, atëherë ai është i papastër dhe e prish abdesin, qoftë pak apo shumë. Kjo për shkak se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem urdhëroi gratë që ta lanin gjakun e menstruacioneve, pa bërë dallim mes sasisë së tij. Kjo dëshmon se ai është i papastër dhe se nuk tolerohet as sasia e vogël e tij. Prandaj, ai është i papastër dhe e prish abdesin, qoftë pak apo shumë.

Ndërsa gjaku që del nga pjesët e tjera të trupit, si nga hunda, nga dhëmbi ose nga një plagë e shkaktuar nga hekuri, qelqi apo diçka e ngjashme me to, nuk e prish abdesin, qoftë pak apo shumë. Ky është mendimi më i saktë: se çdo gjë që del nga trupi, përveç asaj që del nga dy rrugët intime, nuk e prish abdesin; qoftë gjaku që del nga hunda, nga dhëmbi apo nga ndonjë pjesë tjetër e trupit, qoftë pak apo shumë.

Sa i përket papastërtisë së tij, mendimi i njohur te dijetarët është se gjaku është i papastër dhe duhet të lahet, mirëpo sasia e vogël e tij tolerohet për shkak të vështirësisë së ruajtjes prej tij.

Allahu e di më së miri.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Nurun ale Dërb, kaseta nr. 92)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi IslamYouTube-inTelegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button