Mirësia ndaj prindërve është fe!

Secili prej nesh duhet t’ua mësojë fëmijëve të tij mirësinë ndaj prindërve, jo sepse ai është baba ose ajo është nënë, por sepse kjo është fe.


Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit.” (Isra 23). “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu!” (Lukman 14).


Kështu thotë Allahu. Ata janë shkaku i ekzistencës tënde, pas Allahut, në këtë botë: babai dhe nëna.
Përndryshe, si erdhe ti në këtë botë?

Sufjani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush i fal pesë namazet farze, e ka përmbushur falënderimin ndaj Allahut.” I fal ato dhe i përmbush të drejtat e tyre; kështu e ka përmbushur të drejtën e Allahut: “Bëhu falënderues ndaj Meje.” Që d.m.th.: ji falënderues ndaj Allahut.

Ai tha: “Kush lutet për prindërit e tij në pesë namazet farze, e ka përmbushur falënderimin ndaj tyre”, pra, falënderimin ndaj prindërve të tij gjithashtu.
Kjo është prej kuptimit të thellë (fikhut) të dijetarëve. Le të shtojmë lutjet për prindërit. Sa shumë të mira kanë bërë për ne, për Allahun!

Secili prej nesh le të kthehet me kujtimet e tij në ditët kur ishte i vogël:
Si nëna, me dhembshurinë dhe mëshirën e saj, të sillte ushqimin? Dhe madje, sapo merr vesh për shtatzëninë dhe përjetonte vështirësitë e shtatzënisë, gëzohej për ty.

Kush prej nesh gëzohet për sëmundjen? Askush. Ndërsa ajo gëzohet. Madje, sa më shumë që rritej pesha jote në barkun e saj, aq më shumë gëzohej për ty. Sa e mëshirshme është kjo nënë!
Pastaj, çfarë përjeton ajo nga dhimbjet e lindjes, deri në atë pikë sa e sheh vdekjen me sytë e saj. Por, kur dëgjon të qarën e fëmijës së saj, i harron të gjitha ato.


Prandaj, ki kujdes që të mos i harrosh mirësitë e njerëzve që kanë bërë mirësi ndaj teje.
Shumë prej nesh, Allahu na mëshiroftë dhe na faltë, kur rriten, dalin në këtë botë dhe i angazhojnë punët, postet, fuqia, pozita dhe pasuria, e harrojnë nënën e tyre.


Mund të ndodhë që ajo e shkreta të ketë nevojë për ndihmë; është plakur dhe është dobësuar, i dridhen gjymtyrët dhe i është kërrusur shpina. E shkreta!


Ndonjëherë ka nevojë për dikë që t’i sjellë ilaçet. Telefonon dhe pret. Dëshiron që dikush prej fëmijëve të saj të trokasë në derë, por secili ia hedh përgjegjësinë tjetrit.


Kështu, ndoshta babai dhe nëna përfundojnë përsëri siç ishin: të vetmuar.
E lusim Allahun që të na japë sukses në mirësinë ndaj baballarëve dhe nënave tona, qofshin gjallë apo të vdekur.
Pra, kjo është shenja e parë që përmendi Pejgamberi ﷺ.


Prandaj, gjithmonë, o vëllezër, t’ua kujtojmë fëmijëve tanë mirësinë ndaj prindërve dhe vlerën e saj, si dhe shpërblimet që ajo ka tek Allahu i Plotfuqishëm, të cilat askush përveç Tij nuk mund t’i llogarisë.
Gjithashtu, në anën tjetër është shkëputja e lidhjeve farefisnore, e në krye të tyre janë prindërit.
Në hadithin autentik thuhet: “Nuk hyn në Xhenet ai që i shkëput lidhjet farefisnore.”

Mund të ulesh me një person të cilit i kanë vdekur të dy prindërit dhe të dëgjosh pendimin e tij, edhe nëse ai ka qenë i mirë ndaj tyre, sepse nuk ka bërë aq sa duhej në mirësi ndaj tyre.
E si është gjendja e atij që ka neglizhuar? E si është gjendja e të pabindurit ndaj prindërve?
Tre persona janë ata të cilët Allahu nuk do t’i shikojë Ditën e Kiametit dhe për të cilët ka dënim të dhembshëm: ai që është i pabindur ndaj prindërve.


Mund të ndodhë që i riu sot të zemërohet me prindërit e tij, të dalë nga shtëpia, të udhëtojë e të largohet. Ai mendon se ata duan ta bëjnë të ndihet sikur është në burg, ndërkohë që ata kanë frikë për të.

Shejh Alij ibën Zejd elMed’halij, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi IslamYouTube-inTelegramin dhe Facebook-in.

Artikuj të lidhur

Back to top button