Haddadije janë një sherr dhe fitne

Me Haddadije nënkuptohet një grup ose një drejtim që i atribuohet Mahmud el-Haddadit. Mendimet e tij u shfaqën në fund të shekullit të katërmbëdhjetë hixhri, pastaj u përhapën te disa individë në disa vende.

Haddaditë nuk përbëjnë një shkollë të pavarur shkencore me baza të shkruara dhe të pranuara, por është një përshkrim me të cilin kritikuesit e këtij drejtimi i cilësojnë ata që pajtohen me ta në një pjesë të ideve dhe të metodologjisë së Haddadive.

Ndër shenjat më të spikatura të tyre janë:

1. Injoranca dhe pretendimi i dijes që nuk e kanë. Nuk njihen për marrjen e dijes nga dijetarët e besueshëm dhe të konsideruar. Dija nuk është thjesht grumbullim informacioni, por është kuptim, përvetësim i saktë dhe njohuri e thellë në zbatimin e teksteve.

Të mjaftuarit me mësimin vetjak vetëm përmes librave i ka çuar në keqkuptimin e fjalëve të dijetarëve. Njeriu mund të lexojë një shprehje të përgjithshme ose një term të veçantë dhe ta interpretojë në një kuptim që nuk është synimi i autorit të saj, pastaj mbi këtë të ndërtojë gjykime të gabuara.

Ata nxitojnë në dhënien e fetuave dhe në dhënien e përparësisë një mendimi para se të jenë të përgatitur për këtë; sepse lexuesi mund të mendojë se vetëm me leximin e shumtë është bërë prej atyre që janë të aftë për analizë dhe ixhtihad.

Ata nuk kanë njohuri për nasih’un dhe mensuh’un (tekstet shfuqizuese dhe të shfuqizuara), të përgjithshmen dhe të veçantën, të pakufizuarën dhe të kufizuarën, si dhe rrethanat e ardhjes së haditheve dhe zbritjes së ajeteve; këto janë çështje që shumë fillestarë nuk i kuptojnë vetëm përmes leximit.

Ata përfundojnë në ndjekjen e çështjeve të rralla dhe mendimeve të dobëta, sepse mund të gjejnë një thënie në ndonjë libër dhe ta marrin atë pa e njohur pozitën e saj dhe pa ditur argumentet që e kundërshtojnë.

Ata shkëputen nga edukata e dijes, sepse dijetari nuk u trashëgon nxënësve të tij vetëm informacione, por u trashëgon kuptimin e saktë, verifikimin, modestinë dhe edukatën e mospajtimit.

Për shkak të kësaj, Haddaditë kanë rënë në:

Teprimin në çështjen e shpalljes së njerëzve bidatçi dhe të kritikimit të tyre.

Ata e zgjeruan rrethin e shpalljes së dikujt bidatçi dhe shpallën të tjerët si bidatçi për çështje që nuk e meritojnë këtë, derisa e bënë gabimin që buron nga ixhtihadi ose disa kundërshtime shkak për rrëzimin e personave.

1. I shpallin bidatçi të tjerët në mënyrë zinxhirore

Ndër gjërat më të njohura që u atribuohen atyre është se ata nuk mjaftohen vetëm me shpalljen bidatçi të atij që sipas tyre është bidatçi, por mund të shpallin bidatçi edhe atë që nuk e ka shpallur atë bidatçi, pastaj shpallin bidatçi edhe atë që nuk e ka shpallur bidatçi këtë të dytin, e kështu me radhë, derisa të zgjerohet rrethi i bojkotimit dhe shpalljes së bidatit.

2. Ashpërsia në çështjen e bojkotimit (hexhrit)

Ata shohin bojkotim të gjerë ndaj personave dhe institucioneve, madje edhe në çështje ku ka pasur mospajtim mes dijetarëve, gjë që çon në shtimin e përçarjes.

3. Angazhimi i tepruar në gabimet e personave

Deri në atë masë saqë angazhimi me kundërpërgjigje dhe kritikime (xherh) e mbizotëron angazhimin me dije, thirrje dhe mësimdhënie.

4. Shumë pak i marrin parasysh dobitë (mesalih) dhe dëmet (mefesid)

Në zbatimet praktike që kanë të bëjnë me kundërpërgjigjet (rududet) dhe bojkotimin, edhe pse kjo çështje është prej çështjeve të ixhtihadit, në të cilën pasuesit e Sunetit marrin parasysh dobitë e përcaktuara nga Sheriati.

Ndër gjërat më të rrezikshme të tyre është përvetësimi i emrit të selefizmit padrejtësisht dhe me shpifje

Ata pretendojnë se i përkasin selefizmit, argumentohen me fjalët e imamëve të selefëve dhe ngrenë sloganin e pasimit të Kur’an-it dhe Sunetit sipas kuptimit të selefëve, ndërsa në realitet janë larguar nga kjo.

Për këtë arsye, dijetarët bashkëkohorë prej Ehlu Sunetit i kanë kundërshtuar ata dhe kanë sqaruar se ata kanë rënë në teprim në zbatimin e parimeve të Ehlu Sunetit dhe se pretendimi i tyre për t’u përkatësuar te selefizmi nuk është i saktë, veçanërisht në çështjen e trajtimit të kundërshtarëve.

Selefët i bashkojnë këto çështje:

Ruajtjen e akides, drejtësinë dhe paanshmërinë. Dallimin ndërmjet gabimit dhe personit që e bën gabimin. Marrjen parasysh të dobive dhe dëmeve. Si dhe moszgjerimin në shpalljen e tjerëve bidatçi, përveçse me kriteret e tij sheriatike.

Dëmet e këtij drejtimi

Ata i kanë shkaktuar dëm thirrjes selefite në disa aspekte, ndër to:

1. Shpërndarja dhe përçarja e radhëve të Ehlu Sunetit.

2. Rrëzimi i shumë dijetarëve dhe nxënësve të dijes pa të drejtë ose pa ndonjë arsye të dukshme sheriatike.

3. Angazhimi i të rinjve me klasifikime dhe ndarje të padrejta, si dhe me kundërpërgjigje më shumë sesa me kërkimin e dijes dhe thirrjen në fe.

4. Shkaktimi i armiqësive mes pasuesve të Ehlu Sunetit.

5. Largimi i njerëzve nga thirrja selefite për shkak të teprimit në gjykime.

6. Dobësimi i besimit tek dijetarët, për shkak të shtimit të sulmeve dhe kritikave ndaj tyre.

Qëndrimi i Ehlu Sunetit, të cilët ecin sipas metodologjisë së selefëve, është se ata janë mes dy skajeve:

Ata nuk e zbusin çështjen e bidatit dhe pasuesve të tij, por as nuk heshtin ndaj gabimeve në akide dhe metodologji.

Ata nuk e teprojnë në shpalljen e të tjerëve bidatçi dhe në bojkotim, dhe as nuk e bëjnë këtë çështje bazë rreth së cilës sillet thirrja.

Shumë prej dijetarëve bashkëkohorë e kanë theksuar metodologjinë e mesme, ndër ta: AbdulAziz ibën Baz, Muhamed ibën Salih el-Uthejmin, Muhamed Nasiruddin el-Albani, Rebi’ ibën Hedi el-Mad’hali dhe Salih ibën Feuzan el-Feuzan, të cilët kanë sqaruar se shpallja e dikujt bidatçi dhe bojkotimi janë gjykime sheriatike që kanë kritere dhe rregulla, dhe nuk lejohet zgjerimi në to pa dije dhe drejtësi.

Pra, detyrë e nxënësit të dijes është që t’i përmbahet drejtësisë dhe paanshmërisë, si dhe t’i peshojë fjalët dhe personat me peshoren e Kur’an-it dhe Sunetit sipas kuptimit të selefëve, larg teprimit dhe neglizhencës. Vërtet, drejtësia është prej cilësive më madhore të Ehlu Sunetit dhe Xhematit.

Haddaditë janë kritikuar nga një numër dijetarësh të Ehlu Sunetit, të cilët kanë sqaruar gabimet metodologjike që kanë parë në parimet dhe gjykimet e këtij grupi.

Ndër dijetarët më të njohur që kanë paralajmëruar kundër tyre ose kundër disa prej parimeve të tyre metodologjike janë:

Muhamed Nasiruddin el-Albani, i cili ka folur kundër teprimit në shpalljen e të tjerëve bidatçi, ka kritikuar ato që kanë dalë nga Mahmud el-Haddadi dhe e ka konsideruar këtë prej teprimit.

Shejh AbdulAziz ibën Baz, i cili e ka përsëritur disa herë se çështja e të shpalljes së të tjerëve bidatçi dhe bojkotimit ka kritere sheriatike dhe ka ndaluar zgjerimin në të pa të drejtë.

Shejh Muhamed ibën Salih el-Uthejmini, i cili ka sqaruar rrezikun e teprimit në shpalljen e të tjerëve bidatçi të tjerët dhe të shpalljes së dikujt mëkatar (fasik), si dhe se kjo sjell përçarje.

Shejh Rebi’ ibën Hedi el-Med’hali, i cili është prej atyre që kanë shkruar dhe kanë folur më së shumti për sqarimin e gabimeve të Haddadive dhe për kundërshtimin e dyshimeve të tyre.

Shejh Ubejd ibën AbdUllah el-Xhabiri, i cili ka shumë fjalë dhe mësime rreth kësaj çështjeje.

Shejh Muhamed ibën Hedi el-Med’hali, i cili ka mësime dhe ligjërata ku sqaron teprimin në shpalljen e të tjerëve bidatçi, teprim i cili u atribuohet Haddadive.

Shejh Ahmed ibën Jahja en-Nexhmi, i cili ka folur për këtë drejtim në kuadër të fjalëve të tij rreth teprimit në xher’h dhe ta’dil (kritikimit dhe lavdërimit të personave). Si dhe dijetarë të tjerë.

Për këtë lë të shikohen:

Shkrimet dhe artikujt e shejh Rebi’ ibën Hedi el-Med’hali në kundërpërgjigje ndaj Mahmud el-Haddadit dhe pasuesve të tij, të cilat janë të botuara dhe të përhapura.

Fetuatë dhe fjalët e shejh Muhamed Nasiruddin el-Albanit në kritikimin e teprimit të Mahmud el-Haddadit, të cilat janë përmbledhur në disa koleksione audio dhe transkriptime.

Mësimet e shejh Ubejd ibën AbdUllah el-Xhabirit në paralajmërimin kundër Haddadive, të cilat janë të disponueshme në formë audio dhe të shkruara.

Mësimet dhe fetuatë e shejh Ahmed ibën Jahja en-Nexhmit që kanë të bëjnë me teprimin në shpalljen e të tjerëve bidatçi dhe parimet e Haddadive.

Ndër librat që ndihmojnë në rregullimin dhe kuptimin e metodologjisë së Ehlu Sunetit në çështjen e xher’hit, ta’dilit dhe bojkotimit, edhe pse nuk janë të veçanta për Haddaditë, janë:

Ref’ul-Melam anil-Eimmeti el-A’lam i shejhul-Islam Ahmed ibën AbdulHalim ibën Tejmijes.

El-Istikame e Ibën Tejmijes, ku sqarohen bazat e mesatares dhe drejtësisë.

El-I’tisam i Ibrahim ibën Musa esh-Shatibiut, në pjesën që trajton bidatet dhe kriteret e tyre.

Menhexhu Ehlu Suneti uel-Xhemaati fi Nakdirr-Rrixhal uel-Kutubi uet-Tauaif e shejh Rebi’ ibën Hedi el-Med’hali, i cili është prej librave më të rëndësishëm në sqarimin e rregullave sheriatike të kësaj fushe.

Këto libra të fundit japin rregullat me të cilat njihen teprimi dhe lëshimi (zbutja). Nxënësi i dijes nuk duhet të mjaftohet vetëm me njohjen e gabimeve të një grupi të caktuar, por duhet t’i mësojë bazat me të cilat dallon ndërmjet metodologjisë së saktë dhe asaj të devijuar.

Shejh Mukbil el-Uadi’ij, ka thënë:

“Çfarë është Haddadi dhe cilat janë mendimet e Haddadive?”

Përgjigjja:

Sa i përket Haddadit, ai është Mahmud el-Haddadi. Në fillim ishte në një gjendje të mirë, nuk kishte problem me të, Allahu e di nëse ai e fshihte atë që kishte brenda vetes! Pastaj më vonë shfaqi devijimin që kishte, e prej tij ishte pretendimi se “Fet’hul-Bari” është prej librave të devijimit, sepse autori kishte gabuar në disa çështje të akides, prandaj duhej të digjej.

Unë them: Sikur i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem të mos kishte thënë: “Askush nuk dënon me zjarrin përveç Zotit të zjarrit”, do të thoshim: O Haddad, ti je më i merituar që të digjesh!

“Fet’hul-Bari”, i cili konsiderohet një thesar i dijes dhe nuk ka të ngjashëm me të në mesin e librave te Sunetit, Allahu e shpërbleftë autorin e tij me të mira! Fakti që ai ka gabuar në disa çështje është i falur përballë mirësive të shumta që gjenden në të. Po ashtu edhe “Sher’h Sahih Muslim” nga Neveviu).

Këto janë prej gabimeve të tij të mëdha dhe prej gjërave më të rënda që ka thënë: se “Fet’hul-Bari” dhe “Sher’h Sahih Muslim” duhet të digjen! Prej Allahut kërkojmë ndihmë! (Kaseta: Es’iletush-Shebab esSelefijj).

Ndër shkaqet më të mëdha që i kanë çuar Haddaditë në teprimin ku kanë rënë në çështjen e xher’hit dhe të shpalljes së të tjerëve bidatçi janë:

 1. Mbështetja vetëm në kuptimin personal të kësaj çështjeje pa iu kthyer dijetarëve të mëdhenj dhe të rrënjosur në dije, së bashku me zbatimin e gabuar të fjalëve të imamëve mbi ngjarjet konkrete, derisa rrethi i shpalljes së të tjerëve bidatçi dhe i bojkotimit u zgjerua pa të drejtë.

2. Dobësia në bazat sheriatike dhe në zbatimin e drejtë të gjykimeve ndaj personave.

3. Fanatizmi ndaj qëndrimeve dhe personave të caktuar.

4. Marrja e dijes nga bashkëmoshatarët ose vetëm nga librat, pa qëndruar pranë dijetarëve të rrënjosur në dije.

Për këtë arsye, dijetarët e mëdhenj gjithmonë kanë theksuar se çështja e xher’hit dhe ta’dilit, veçanërisht në çështjet e reja bashkëkohore, është prej kapitujve më të ndërlikuar dhe më të ndjeshëm të dijes. Në të nuk duhet të hyjnë përveçse dijetarët e thelluar në dije, sepse gabimi në të çon në përçarjen e Ehlu Sunetit dhe në humbjen e pozitës së dijetarëve dhe nxënësve të dijes pa të drejtë.

Shejh AbdusSelam esSuhejmi, Allahu e ruajttë!

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button