Vlera e veprave të mira pas vdekjes
Shejhul-Islami Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Robit në varrin e tij i bën shoqëri vetëm vepra e tij e mirë. Prandaj, sa më shumë të bëjë vepra të mira, siç janë namazi, leximi i Kuranit, dhikri, lutja, sadakaja, urdhërimi për të mirën dhe ndalimi nga e keqja, aq më shumë këto do t’i bëjnë dobi në varrin e tij.
Nuk i bën dobi ndërtimi i varrit, zgjerimi apo zbukurimi i tij. Madje, është vërtetuar në hadithet autentike se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ndaloi suvatosjen e varrit me gëlqere dhe ndërtimin mbi të. Atëherë, ç’të thuhet për ata që ndërtojnë varre sikur të ishin pallate?! Kjo është ndër gjërat më të mëdha që duhen kundërshtuar dhe, me pajtimin e gjithë muslimanëve, nuk i sjell të vdekurit asnjë dobi. Atij i bën dobi vetëm vepra e tij e mirë.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë:
“I mençuri është ai që e llogarit veten dhe punon për atë që vjen pas vdekjes, ndërsa i paafti është ai që ndjek epshet e veta dhe shpreson kot tek Allahu.”
Prandaj, kush mendon se përgatitja e varrit, ndërtimi i tij, madhërimi apo zbukurimi i tij do t’i sjellë dobi, ai ka ushqyer shpresa të rreme tek Allahu.
Ai do të jetë në varrin e tij sipas asaj që ka në zemrën e tij. Sa më i madh të jetë imani në zemrën e tij, aq më i lumtur dhe më i begatë do të jetë në varrin e tij.
Allahu i Lartësuar thotë: أَفَلَا يَعْلَمُ إِذَا بُعْثِرَ مَا فِي الْقُبُور وَحُصِّلَ مَا فِي الصُّدُور إِنَّ رَبَّهُمْ بِهِمْ يَوْمَئِذٍ لَخَبِير
“Vallë, a nuk e di ai se kur të nxirren jashtë ata që gjenden në varre, dhe, kur të dalë në shesh ajo që është në gjokse? Zoti i tyre, me siguri, atë Ditë di çdo gjë për ta?!” (Adijat 9–11).
Allahu i Madhëruar përmendi së bashku atë që është në varre dhe atë që është në zemra.”
(Xhami’ul-Mesail 4/219–220)
Përktheu: Besim Gjelaj