Nëse nuk je “Ahmedi”, atëherë bëhu “Ebu Hejthem!”
AbdUllah ibën Ahmed ibën Hanbel ka thënë: shpesh e dëgjoja babanë tim duke thënë: “O Allah, fale Ebu Hejthemin! O Allah, mëshiroje Ebu Hejthemin!”
E pyeta: “Kush është Ebu Hejthemi, o babai im?”
Ai tha: “Një burrë beduin, fytyrën e të cilit nuk e kam parë kurrë. Natën para se të më rrihnin, më futën në një qeli të errët. Një njeri më goditi dhe më tha: ‘A je ti Ahmed ibën Hanbel?’”
Thashë: “Po.”
Tha: “A më njeh mua?”
Thashë: “Jo.”
Ai tha: “Unë jam Ebu Hejthemi, një bandit, hajdut, pirës i alkoolit dhe prerës rrugësh. Në regjistrin e prijësit të besimtarëve jam shënuar se jam rrahur tetëmbëdhjetë mijë herë në raste të ndryshme, dhe e kam përballuar të gjithë këtë në shërbim të shejtanit. Ti, përballoje atë në rrugë të Allahut, o Ahmed!”
Imam Ahmed tha: kur më lidhën dhe filluan të më fshikullojnë, sa herë që goditja binte mbi shpinën time, kujtoja fjalët e Ebu Hejthemit dhe i thosha vetes: “Bëj durim në rrugë të Allahut, o Ahmed!”
(Menakib Imam Ahmed, f. 450–451)
Përktheu: Besim Gjelaj