Cili është sekreti i përparësisë së nënës ndaj babait në bamirësi ndaj prindërve: “Nëna jote, pastaj nëna jote, pastaj nëna jote…”?

Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, kush është më meritori prej njerëzve për shoqërimin dhe sjelljen time të mirë?”

Ai tha: “Nëna jote.”

Pastaj tha: “Kush tjetër?”

Ai tha: “Nëna jote.”

Pastaj tha: “Kush tjetër?”

Ai tha: “Nëna jote.”

Pastaj tha: “Kush tjetër?”

Ai tha: “Babai yt.”

(E transmeton Buhariu dhe Muslimi, dhe teksti është i Muslimit.)

Dijetari Ibën Battal, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Sekreti i përparësisë së nënës ndaj babait tri herë është se nëna veçohet nga babai me tri gjëra:

1. vështirësinë e shtatzënisë.

2. pastaj lindjen.

3. pastaj gjidhënien.

Këto janë gjëra me të cilat veçohet nëna dhe lodhet prej tyre; pastaj ajo bashkë me babain merr pjesë në edukimin e fëmijës.

Këtë e tregon edhe fjala e Allahut të Lartësuar:    وَوَصَّيْنَا ‌الْإِنْسانَ ‌بِوالِدَيْهِ ‌حَمَلَتْهُ ‌أُمُّهُ ‌وَهْناً ‌عَلى ‌وَهْنٍ ‌وَفِصالُهُ ‌فِي ‌عامَيْنِ

“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh…” (Lukman 14).

Pra, Allahu i barazoi të dy prindërit në porosi, por e veçoi nënën me këto tri çështje.”

(Fet’hul-Bari 10/402)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button