“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.”
Pyetja:
Cili është shpjegimi i fjalës së Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar, në suren Rrad: إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوۡمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُواْ مَا بِأَنفُسِهِمۡۗ
“Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Rrad 11).
Përgjigja:
Ky ajet fisnik është një ajet madhështor që tregon se Allahu i Lartësuar, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij të plotë, nuk e ndryshon gjendjen e një populli, nga e mira në të keqe, nga e keqja në të mirë, nga begatia në vështirësi, apo nga vështirësia në begati, derisa ata të ndryshojnë atë që është në vetveten e tyre.
Nëse ata janë në mirësi dhe drejtësi, pastaj ndryshojnë (drejt së keqes), Allahu u ndryshon gjendjen me ndëshkime, fatkeqësi, vështirësi, thatësira, përçarje dhe lloje të tjera ndëshkimesh, si shpërblim i drejtë për veprat e tyre. Allahu i Lartësuar, thotë: وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّٰمٖ لِّلۡعَبِيدِ
“Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fusilet 46).
Dhe ndonjëherë Allahu i Lartësuar u jep afat, i lë dhe i shtyn (me mëshirë), dhe i jep kohë që ndoshta të kthehen, pastaj i kap në befasi, siç ka thënë i Lartësuari: َلَمَّا نَسُوا مَا ذُكِّرُوا بِهِ فَتَحْنَا عَلَيْهِمْ أَبْوَابَ كُلِّ شَيْءٍ حَتَّى إِذَا فَرِحُوا بِمَا أُوتُوا أَخَذْنَاهُمْ بَغْتَةً فَإِذَا هُمْ مُبْلِسُونَ
“Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.” (En’am 44).
Kjo do të thotë: të pashpresë nga çdo e mirë, Allahu na ruajt nga dënimi dhe zemërimi i Tij.
Dhe ndonjëherë ata vonohen deri në Ditën e Kiametit, dhe atëherë dënimi i tyre është edhe më i ashpër, siç ka thënë i Lartësuari: وَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍ تَشْخَصُ فِيهِ الْأَبْصَارُ
“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” (Ibrahim 42).
Kuptimi është se ata shtyhen dhe u jepet afat deri pas vdekjes, dhe kjo e bën dënimin edhe më të madh dhe më të rëndë.
Dhe ndonjëherë ata janë në të keqe, sprova dhe mëkate, pastaj pendohen te Allahu, kthehen tek Ai, pendohen dhe përmirësohen në adhurim, dhe Allahu e ndryshon gjendjen e tyre nga mjerimi, përçarja, vështirësia dhe varfëria në begati, mirësi, bashkim dhe përmirësim të gjendjes, si rezultat i veprave të tyre të mira dhe pendimit te Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar.
Dhe në një ajet tjetër ka ardhur: ذَٰلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ لَمْ يَكُ مُغَيِّرًا نِعْمَةً أَنْعَمَهَا عَلَىٰ قَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا مَا بِأَنفُسِهِمْ
“Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre.” (Enfal 53)
Ky ajet na tregon se nëse njerëzit janë në begati, mirësi dhe rehati, pastaj e ndryshojnë gjendjen e tyre me mëkate, atëherë Allahu ua ndryshon gjendjen, dhe nuk ka mundësi për ndryshim e as forcë përveçse me Allahun, dhe ndonjëherë ata u jepet afat, siç u përmend më parë.
Dhe e kundërta gjithashtu: nëse ata janë në gjendje të keqe, në mëkate, ose në mosbesim e devijim, pastaj pendohen, ndiejnë keqardhje dhe kthehen në bindje ndaj Allahut, atëherë Allahu ua ndryshon gjendjen nga një gjendje e keqe në një gjendje të mirë; nga përçarja në bashkim dhe harmoni; nga vështirësia në begati dhe mirëqenie; dhe nga thatësira, mungesa e ujit dhe mungesa e të mirave në zbritje të shiut, rritje të bimëve të tokës dhe lloje të tjera të mirësive.
Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
(Mexh’mu’ Fetawa ue Resailihi 9/297)
Përktheu: Besim Gjelaj