Dhjetë netët e fundit të Ramazanit kanë një veçori të veçantë!
Muaji i begatë i Ramazanit është një muaj i mbushur me bereqet dhe mëshirë; ditët dhe netët e tij janë të begata. Dhjetë netët e fundit kanë një veçori dhe vlerë edhe më të madhe se pjesa tjetër e ditëve dhe netëve të tij, me cilësi të mëdha dhe virtyte të larta që i dallojnë nga të tjerat.
Prandaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe sahabët e tij, radijAllahu anhum, pas tij i veçonin këto dhjetë netë dhe përpiqeshin në to më shumë se në kohët e tjera.
Imam Ahmedi në Musned dhe Muslimi në Sahih transmetojnë nga Aishja, radijAllahu anha, se ajo ka thënë:
“I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem përpiqej në dhjetë netët e fundit më shumë se sa përpiqej në kohë të tjera.”
Po ashtu dy imamët (Buhariu dhe Muslimi) transmetojnë nga Aishja, radijAllahu anha, se ajo ka thënë:
“Kur hynin dhjetë netët e fundit, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e shtrëngonte izarin (rroben), e gjallëronte natën dhe i zgjonte familjarët e tij.”
Kuptimi i fjalës “e shtrëngonte izarin” është se ai shtonte përpjekjen dhe përkushtimin në adhurim dhe largohej nga gratë; në ato netë nuk kërkonte kënaqësi tjetër veçse t’i drejtohej Zotit të tij dhe t’i afrohej Atij. Edhe pse Allahu ia kishte lejuar marrëdhëniet bashkëshortore në netët e Ramazanit, ai largohej nga kjo për t’u marrë me adhurim dhe bindje, duke shpresuar të arrinte shpërblimin e këtyre netëve dhe të kishte sukses në arritjen e Natës së Kadrit.
Kuptimi i “e gjallëronte natën” është se ai qëndronte zgjuar duke u marrë me adhurim, duke e gjallëruar natën me të dhe duke gjallëruar veten e tij me qëndrim zgjuar në adhurim, përulësi dhe lutje ndaj Allahut.
Sepse gjumi është vëllai i vdekjes, dhe shpirtrat, trupat, kohët dhe jetët nuk gjallërohen veçse me bindje ndaj Allahut. Kjo është jeta e vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë: أَوَمَنْ كَانَ مَيْتًا فَأَحْيَيْنَاهُ وَجَعَلْنَا لَهُ نُورًا يَمْشِي بِهِ فِي النَّاسِ كَمَنْ مَثَلُهُ فِي الظُّلُمَاتِ لَيْسَ بِخَارِجٍ مِنْهَا
“A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” (En’am 122).
Kështu, Allahu i quajti të vdekur këta trupa edhe pse lëvizin në tokë dhe hanë e pinë, sepse janë larg imanit dhe bindjes ndaj të Gjithëmëshirshmit dhe të zënë me devijim, mëkate dhe arrogancë.
Kuptimi i “i zgjonte familjarët e tij” është se ai i ngrinte për namaz dhe adhurim në këto netë. Kjo tregon për kujdesin e madh që kishte për familjen dhe për përmbushjen e përgjegjësisë që Allahu ia kishte besuar, si dhe për dëshirën e tij për t’i udhëzuar drejt së mirës, madje ai që udhëzon në të mirë është si ai që e vepron atë.
Përveç shpërblimit që merrte nga përpjekja e tij personale në adhurim, në këtë veprim ka edhe udhëzim për umetin që të ndjekë shembullin e tij.
Në këtë ka gjithashtu udhëzim për prindërit, duke i nxitur të kujdesen për edukimin e fëmijëve të tyre dhe t’i kushtojnë vëmendje sidomos në këtë muaj të begatë, duke i mbikëqyrur në adhurim, duke i ruajtur dhe duke i inkurajuar të garojnë në vepra të mira dhe të largohen nga të ndaluarat, duke përdorur metoda nxitjeje dhe paralajmërimi.
Ibën Haxheri ka thënë:
“Në këtë hadith ka nxitje për ta falë vazhdimisht namazin e natës në dhjetë netët e fundit, dhe një tregues për rëndësinë e përfundimit të mirë (të jetës). Allahu na e përfundoftë jetën me të mirë. Amin.”
Shejh AbduRrezak el-Bedër, Allahu e ruajttë!
(Mekalat Ramadanijjetu, Nr. 20; el-Ashrul-Euahiri min Ramadan)
Përktheu: Besim Gjelaj