Këto parime, kushdo që i kundërshton, veçse ka kundërshtuar metodologjinë (men’hexhin) e ehlus-sunetit dhe xhematit!
Pyetje:
Cilat janë parimet themelore, kush i kundërshton ato, ka kundërshtuar menhexhin e ehlus-sunetit dhe xhematit?
Përgjigja:
Këto parime i ka përmendur shejh-ul-islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, në librin el-Akidetu el-Uasitije. Ky libër është i shkurtër dhe i njohur për shumicën e kërkuesve të dijes. Madje është një libër i begatshëm dhe me shumë dobi.
Autori, Allahu e mëshiroftë, pasi që ka përmendur çështjen e Sunetit, ka thënë:
“Vërtet, ehlus-suneti dhe xhemati janë mesatarë në mesin e grupeve të këtij umeti, ashtu siç është ky umet mesatar në mesin e popujve të tjerë.”
Pra, umeti ynë – lavdi i takon Allahut – është mesatar në mesin e popujve, mesatar ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve, si në besim (akide), ashtu edhe në vepra.
Së pari: Në çështjet e besimit (akides)
Shohim se si hebrenjtë e kanë përshkruar Allahun e Plotfuqishëm me cilësi të mangëta, madje e kanë përshkruar me cilësi të shëmtuara të krijesave. Kanë thënë:
قَالُوا إِنَّ اللَّهَ فَقِيرٌ
“…Ata thanë: ‘Allahu është i varfër…’”[1]
Po ashtu kanë thënë:
يَدُ اللَّهِ مَغْلُولَةٌ
“…Dora e Allahut është e shtrënguar…”[2]
Gjithashtu kanë thënë se Allahu është lodhur dhe ka pushuar ditën e shtunë pasi që ka krijuar qiejt dhe tokën. Me këtë, e përshkruajnë Krijuesin ashtu si krijesat.
Ndërsa të krishterët shkuan në anën tjetër të teprimit, duke i përshkruar krijesat me cilësi të Krijuesit. Andaj e bënë Isain, birin e Merjemes (alejhis-selam), të adhuruar krahas Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:
وَإِذْ قَالَ اللَّهُ يَا عِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ أَأَنْتَ قُلْتَ لِلنَّاسِ اتَّخِذُونِي وَأُمِّيَ إِلَهَيْنِ مِنْ دُونِ اللَّهِ
“Dhe kur Allahu tha: O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: ‘Më adhuroni mua dhe nënën time si dy të adhuruar krahas Allahut?’”[3]
Së dyti: Në vepra dhe në çështjen e shpalljes
Hebrenjtë i përgënjeshtruan pejgamberët dhe i vranë padrejtësisht, ndërsa të krishterët e tepruan në raport me pejgamberët, duke e bërë Isain (alejhis-selam) të adhuruar përveç Allahut.
Ndërsa ky umet – lavdi i takon Allahut – i kundërshtoi ata në këto dy parime dhe tha:
Vërtet, Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar është i përshkruar me cilësitë e përsosmërisë; askush nuk i përngjan Atij dhe asnjë krijesë nuk mund të cilësohet me diçka që është e veçantë për Allahun nga cilësitë e Tij.
Sa i përket pejgamberëve, ky umet thotë:
Ata janë robërit e Allahut dhe të dërguarit e Tij. Atyre nuk u takon asgjë nga cilësitë e Zotit dhe as nuk meritojnë të adhurohen. Ata janë besnikë dhe të besueshëm.
Në lidhje me hallallin dhe haramin
Shohim se Allahu i Lartësuar ua ka ndaluar hebrenjve disa lloje ushqimesh. Allahu i Lartësuar thotë:
وَعَلَى الَّذِينَ هَادُوا حَرَّمْنَا كُلَّ ذِي ظُفُرٍ وَمِنَ الْبَقَرِ وَالْغَنَمِ حَرَّمْنَا عَلَيْهِمْ شُحُومَهُمَا إِلَّا مَا حَمَلَتْ ظُهُورُهُمَا أَوِ الْحَوَايَا أَوْ مَا اخْتَلَطَ بِعَظْمٍ ذَلِكَ جَزَيْنَاهُمْ بِبَغْيِهِمْ وَإِنَّا لَصَادِقُونَ
“Ndaj atyre që ishin hebrenj, Ne ua ndaluam çdo kafshë thundrake; nga lopët dhe delet ua ndaluam dhjamin e tyre, përveç atij që është në shpinën e tyre, në zorrët e tyre ose të përzier me eshtra. Këtë ua dhamë si ndëshkim për shkak të padrejtësisë së tyre. Dhe vërtet, Ne jemi të vërtetë.”[4]
Ndërsa të krishterët i konsiderojnë të lejuara edhe gjërat e ndyta dhe hanë çdo lloj ushqimi e mishi.
Ndërsa këtij umeti (umetit islam), Allahu ia ka lejuar gjërat e mira dhe ia ka ndaluar gjërat e ndyta.
Në çështjen e gruas me cikël
Shohim se hebrenjtë nuk u afrohen grave gjatë ciklit, nuk hanë ushqimin e përgatitur prej tyre dhe nuk qëndrojnë me to në shtëpi.
Ndërsa të krishterët janë në anën tjetër, duke mos i kushtuar rëndësi fare çështjeve të papastërtisë.
Ky umet – lavdi i takon Allahut – është mesatar:
Hanë me gruan që është në cikël, qëndrojnë me të dhe flenë me të, por pa kryer marrëdhënie intime.
Pra, ky umet është mesatar në mesin e popujve.
Gjithashtu, ehlus-suneti dhe xhemati janë mesatarë mes grupeve të umetit në lidhje me pesë parimet që i ka përmendur autori, Allahu e mëshiroftë!
Parimi i parë: Në çështjen e emrave dhe cilësive
Ehlus-suneti dhe xhemati janë mesatarë mes atyre që i përngjasojnë dhe atyre që i mohojnë.
Ata që i përngjasojnë janë një grup që thonë se cilësitë e Allahut të Lartësuar janë sikur cilësitë tona. Sipas tyre, fytyra e Allahut është sikur fytyrat tona, syri i Tij sikur sytë tanë, dora e Tij sikur duart tona, dhe kështu me radhë.
Ndërsa ata që i mohojnë janë një grup që e mohojnë atë me të cilën Allahu e ka përshkruar Vetveten. Prandaj thonë: Allahu nuk ka fytyrë, as dorë, as sy, e të ngjashme me këto. Për ta vlen fjala e Allahut të Lartësuar:
وَيُحَرِّفُونَ الْكَلِمَ عَنْ مَوَاضِعِهِ
“…ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga kuptimi i tyre…”[5]
Në këto çështje ata mohojnë dhe shtrembërojnë.
Parimi i dytë: Në çështjen e Kaderit
Gjithashtu, ehlus-suneti dhe xhemati janë mesatarë në çështjen e kaderit. Në anën tjetër janë dy grupe të devijuara:
Grupi i parë: Xhebrijtë (el-Xhebrije)
Këta thonë se njeriu është i detyruar në veprimet e tij, nuk ka zgjedhje dhe as vullnet.
Grupi i dytë: Kaderijtë (el-Kaderije)
Këta thonë se njeriu është i pavarur nga Allahu, vepron pa dëshirën e Allahut dhe pa krijimin e Tij; pra, sipas tyre, njeriu vet i krijon veprat e tij.
Ndërsa ehlus-suneti dhe xhemati thonë:
Njeriu vepron sipas zgjedhjes së tij dhe ka vullnet, mirëpo çdo veprim që e bën, e bën me dëshirën e Allahut të Lartësuar dhe me krijimin e Allahut të Lartësuar.
Parimi i tretë: Në emërtimet e imanit dhe të fesë
Në këtë çështje shohim disa grupe të devijuara, si Mu’tezilitë dhe Havarixhët nga njëra anë, dhe Murxhi’ët nga ana tjetër.
Mu’tezilitë dhe Havarixhët thonë:
Nëse njeriu bën zina ose një mëkat të madh, del nga imani; nuk është besimtar dhe nuk quhet më kurrë besimtar.
Murxhi’ët thonë të kundërtën e tyre:
Edhe nëse njeriu bën zina ose vjedh, ai konsiderohet besimtar me iman të plotë, dhe imani i tij është njësoj si imani i atij që i bindet më së shumti Allahut.
Ehlus-suneti dhe xhemati thonë:
Nëse njeriu bën zina apo vjedh, ai është besimtar me iman të mangët; besimtar për shkak të imanit të tij dhe mëkatar për shkak të mëkatit të madh që ka bërë.
Parimi i katërt: Në çështjen e dispozitave (gjykimit për mëkatin e madh)
Kur gjykohet njeriu për veprat e tij dhe për mëkatin e madh:
Mu’tezilitë dhe Havarixhët thonë:
Ai do të jetë përgjithmonë në zjarr, bashkë me munafikët, me Ebu Xhehlin, Ebu Lehebin dhe të tjerët.
Murxhi’ët thonë:
Ai që bën mëkat të madh kurrë nuk do të hyjë në zjarr, dhe kjo është e pamundur.
Ehlus-suneti dhe xhemati thonë:
I tilli e meriton dënimin, por është nën dëshirën e Allahut: nëse Allahu do, e fal; e nëse do, e dënon.
Parimi i pestë: Në lidhje me sahabët e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem
Ky është parimi i pestë që e ka përmendur shejh-ul-islam.
Sa i përket sahabëve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, bidatçinjtë janë ndarë në dy grupe:
Grupi i parë:
Ata që i konsiderojnë sahabët pabesimtarë dhe të devijuar, siç janë Rrafidat (Shiitët), me përjashtim të ehlul-bejtit. Në raport me ehlul-bejtin kanë tepruar dhe i kanë ngritur mbi pozitën e tyre të vërtetë, duke devijuar në dy aspekte:
- duke i shpallur sahabët pabesimtarë dhe të devijuar, me përjashtim të ehlul-bejtit;
- duke tepruar në madhërimin e ehlul-bejtit.
Grupi i dytë:
Havarixhët, të njohur edhe si Nasibij, të cilët e konsideruan pabesimtar Ali ibn Ebi Talibin radijAllahu anhu, bënë kryengritje (huruxh) kundër tij, e luftuan dhe e bënë hallall gjakun e tij.
Ndërsa ehlus-suneti dhe xhemati thonë:
Sahabët, radijAllahu anhum, janë brezi më i mirë i këtij umeti dhe njerëzit më të vlefshëm në të. Ata kanë të drejta që ne jemi të detyruar t’i përmbushim.
Po ashtu, familja e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka të drejtën e afërsisë familjare, bashkë me të drejtën e besimit dhe të shoqërisë, nëse kanë qenë sahabë.
Mirëpo nuk e teprojmë siç bëjnë Rrafidat dhe nuk i nënçmojmë siç bëjnë Havarixhët. Përkundrazi, ua japim hakun e tyre pa teprim dhe pa neglizhencë.
Gjithashtu, prej parimeve në të cilat ka mospajtim mes ehlus-sunetit dhe bidatçinjve janë:
Kryengritja (huruxhi) kundër prijësve
Sa i përket kryengritjes (huruxhit) kundër prijësve, el-Harurijjeh – të cilët janë havarixhë – kanë bërë kryengritje kundër prijësit të muslimanëve, e kanë shpallur pabesimtar, e kanë luftuar dhe, për këtë shkak, e kanë lejuar derdhjen e gjakut të muslimanëve.
Ndërsa ehlus-suneti dhe xhemati thonë:
Për ne është obligim dëgjimi dhe bindja ndaj prijësit, edhe nëse ai vepron ndonjë prej mëkateve të mëdha, përderisa nuk bie në kufër të qartë.
Atëherë, lejohet luftimi i tij vetëm nëse nga kjo nuk pasojnë të këqija dhe fitne më të mëdha. Kjo, sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka ndaluar kryengritjen kundër prijësve, përveç me disa kushte. Ai ka thënë:
“Përveç nëse shihni kufër të hapur, për të cilin keni nga Allahu argument të qartë.”
Kushtet e kryengritjes (huruxhit)
Kushti i parë:
Ta shihni me sytë tuaj, ose ta dini me siguri të plotë.
Kushti i dytë:
Të jetë kufër, jo mëkat.
Kjo do të thotë se nëse dikush e sheh prijësin duke bërë imoralitet, duke vjedhur, apo duke vrarë dikë padrejtësisht, por pa e konsideruar të lejuar atë veprim, atëherë ai nuk është pabesimtar, por mëkatar, si gjithë mëkatarët e tjerë.
Në këtë rast nuk lejohet kryengritja kundër tij, sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “kufër”.
Kushti i tretë:
Të jetë kufër i qartë, që nuk pranon interpretim (te’vil).
Nëse ekziston mundësia e interpretimit, atëherë nuk e shpallim pabesimtar dhe nuk bëjmë kryengritje kundër tij.
Kushti i katërt:
Të kemi argument nga Allahu për këtë kufër.
Kjo do të thotë se kufri i hapur që e kemi parë nuk duhet të jetë i nxjerrë me analogji, mendime apo hamendësime, por duhet të kemi dëshmi dhe argument të qartë nga Kur’ani dhe Suneti.
Këto janë katër kushtet kryesore.
Kushti i pestë (i nxjerrë nga argumente të tjera):
Të ekzistojë mundësia reale (fuqia) për largimin e prijësit pabesimtar, i cili ka bërë kufër të qartë dhe për të cilin kemi argument nga Allahu.
Nëse nuk kemi mundësi reale, atëherë e keqja që duam ta largojmë do të bëhet edhe më e madhe se sa ishte më parë. Në këtë rast, ne përpiqemi që, me mënyra të ndryshme, ta përmirësojmë gjendjen aq sa kemi mundësi.
(Gabimi i disa njerëzve në këtë çështje)
Për këtë arsye gabojnë disa vëllezër, të cilët – lavdia i takon Allahut – kanë xhelozi islame dhe dashuri për fenë, por gabojnë kur ngrihen kundër prijësit të tyre që Allahu i Lartësuar ua ka caktuar.
Vërtet, Allahu është i Urtë dhe Ai është Ai që u jep pushtet zullumqarëve mbi njëri-tjetrin. Mos mendoni se prijësit që bëjnë zullum dhe padrejtësi janë vendosur mbi ju thjesht pa urtësi. Përkundrazi, kjo ndodh me një urtësi të madhe.
Allahu i Lartësuar thotë:
وَكَذَٰلِكَ نُوَلِّي بَعْضَ الظَّالِمِينَ بَعْضًا بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ
“E kështu, Ne u japim pushtet disa keqbërësve mbi të tjerët, si dënim për veprat e tyre.”[6]
Pushtetarët nuk sundojnë mbi popullin, përveçse si pasojë e vet popullit. Ashtu siç jeni, ashtu do t’ju vijnë edhe pushtetarët.
(Shkaqet pse kryengritja është gabim)
Disa njerëz që përpiqen të bëjnë kryengritje kundër atij që Allahu e ka bërë prijës të tyre, madje edhe me forcë, gabojnë për disa arsye:
Së pari:
Është e domosdoshme të ketë dije të sigurt për atë që ka ndodhur nga sundimtari. Duhet patjetër të dihet saktësisht çështja, sepse fjalët që thjesht përcillen nuk duhen besuar. Sa e sa lajme të rreme janë transmetuar, si për sundimtarët, ashtu edhe për të tjerët. Kur verifikohen, del se nuk kanë asnjë bazë. Për këtë arsye në hadith thuhet: “Përveç nëse e shihni kufrin.”
Së dyti:
Nëse e shohim këtë me sytë tanë, ose na transmetohet nga transmetues të shumtë dhe të besueshëm, atëherë patjetër duhet ta paraqesim çështjen te Kur’ani dhe Suneti, për të parë: a është kufër apo mëkat?
Së treti:
Duhet patjetër që ai veprim të jetë kufër i qartë.
Nëse mendojmë se është kufër, duhet të shohim: a kemi për këtë argument nga Allahu?
A është kufër i drejtpërdrejtë dhe i qartë, që nuk pranon interpretim?
Sepse ndonjëherë një veprim mund të jetë kufër në vetvete, por personi mund të arsyetohet për shkak të interpretimit.
Prandaj duhet të jetë aq i qartë, sa që të mos pranojë asnjë interpretim.
E katërta:
Duhet patjetër që të kemi argument nga Allahu për këtë, dhe ai argument duhet të jetë i prerë dhe i qartë.
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka vendosur këto kushte kaq rigoroze për kryengritjen kundër prijësve, saqë ndoshta dikujt i duken shumë të vështira. Mirëpo kjo është për shkak se pasojat e kryengritjes shpeshherë janë më të dëmshme sesa gjendja në të cilën ndodhen njerëzit.
Ju vetë jeni dëshmitarë të asaj që ka ndodhur pas kryengritjeve:
A janë njerëzit më të lumtur pas kryengritjes apo para saj?
Përkundrazi, realiteti tregon të kundërtën. Dhe nuk ka nevojë të përmendim ndonjë vend të caktuar, sepse çështja është e qartë për këdo që mendon drejt.
E rëndësishme është që t’i këshillojmë vëllezërit tanë që të mos nxitojnë.
Shejh
Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
Allahu e mëshiroftë!
| Lika el-Babul-Meftuh 45 |
Përktheu: Besim Gjelaj
[1] (Ali Imran, 181)
[2] (El-Maide, 64)
[3] (El-Maide, 116)
[4] (El-En’am, 146)
[5] (En-Nisa, 46)
[6] (El-En’am, 129)