Këshilla për të rinjtë!

Këshilla për të rinjtë!

O ju të rinj! Këto janë disa këshilla që po jua jap me dashuri dhe dhembshuri. Nëse i zbatoni, do të jenë shkak për shpëtimin tuaj dhe arsye për suksesin e lumturinë tuaj në këtë botë dhe në botën tjetër:

Ruani rininë tuaj dhe mbrojeni atë, duke iu shmangur të këqijave dhe prishjeve të çdo lloji. Kërkoni ndihmën e Allahut dhe mbështetuni vetëm tek Ai, i Lartësuari. Çdo derë, shteg apo rrugë që ju çon drejt së keqes apo shkatërrimit, largohuni prej saj dhe ruajuni me kujdesin më të madh.

O ju të rinj, kini kujdes dhe ruajeni me përpikëri kryerjen e obligimeve të Islamit dhe detyrave të fesë, e sidomos namazin. Sepse namazi është mbrojtje për ju nga e keqja dhe një siguri ndaj të pavërtetës; namazi ju ndihmon për punë të mira dhe ju largon nga çdo e keqe dhe e kotë.

O ju të rinj, kryeni të drejtat e njerëzve që Allahu ua ka bërë detyrim mbi ju, dhe më e madhja prej tyre është e drejta e prindërve. Ajo është një e drejtë madhështore dhe një obligim i rëndësishëm.

O ju të rinj, qëndroni pranë dijetarëve dhe njerëzve të virtytshëm; dëgjoni fjalët e tyre, merrni udhëzim nga fetwatë e tyre, përfitoni nga dituria e tyre dhe këshillohuni me ta në çështjet që ju shqetësojnë.

O ju të rinj, zbatojini detyrimet që Allahu ua ka bërë obligim në lidhje me dëgjimin dhe bindjen ndaj udhëheqësit tuaj, sepse në këtë qëndron shpëtimi. Kurse rrugët që ngrihen mbi kundërshtimin e udhëheqësve (huruxhin), përçarjen e bashkësisë dhe heqjen dorë nga bindja, nuk çojnë veçse drejt të këqijave dhe shkatërrimit.

O ju të rinj, angazhohuni ditë e natë për ta mbrojtur veten me përmendjen e Allahut të Madhëruar dhe të Lartësuar. Jini të rregullt në dhikret (lutjet) e përditshme: në mëngjes e mbrëmje, pas namazëve, në hyrje e dalje, kur hipni në mjet dhe ngjashëm. Sepse përmendja e Allahut të Plotfuqishëm është mburojë nga shejtani dhe mbrojtje për njeriun nga dëmet dhe sprovat.

O ju të rinj, caktoni për veten tuaj një lexim të përditshëm nga Libri i Allahut, që zemra juaj të gjejë qetësi. Sepse Libri i Allahut është qetësi për zemrat dhe lumturi për to, në këtë botë dhe në tjetrën: الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُمْ بِذِكْرِ اللَّهِ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ

“Ata që besuan dhe zemrat e të cilëve gjejnë prehje duke përkujtuar Allahun: Nuk ka dyshim se në përkujtimin e Allahut vërtetë që zemrat gjejnë prehje” (Rra’d 28).

O ju të rinj, bëni shumë dua tek Allahu i Plotfuqishëm, që t’ju forcojë në të vërtetën dhe në udhëzim, dhe t’ju ruajë nga e keqja dhe shkatërrimi. Sepse lutja është çelësi i çdo të mire në këtë botë dhe në botën tjetër.

O ju të rinj, kini kujdes të zgjidhni shoqërinë e të mirëve dhe të bëni miqësi me të drejtët, ndërsa largohuni nga shoqëria e të këqijve dhe prishësve. Sepse shoqërimi me të këqijtë sjell humbje dhe shkatërrim.

O ju të rinj, ruajuni me kujdes të madh nga këto mjete (rrjetet sociale) përmes të cilave është sulmuar rinia, e sidomos nga rrjeti i informacionit (internetit), në mënyrë që të ruani fenë tuaj dhe të jeni në mirësi e qetësi. Dhe dijeni se asgjë nuk është më e çmuar se mirëqenia dhe siguria shpirtërore.

O ju të rinj, mos harroni kurrë se do të vijë një ditë kur do të qëndroni para Allahut dhe Ai do t’ju pyesë për rininë tuaj: në çfarë e kaluat dhe ku e shpenzuat. إِنَّا كُنَّا قَبْلُ فِي أَهْلِنَا مُشْفِقِينَ فَمَنَّ اللَّهُ عَلَيْنَا وَوَقَانَا عَذَابَ السَّمُومِ

“Duke thënë: “Një kohë, kur ishim me familjet tona, ne kishim frikë (nga ndëshkimi i Allahut). Kështu Allahu ka qenë Dashamirës ndaj nesh dhe na ruajti nga ndëshkimi i Zjarrit” (Tur 26-27).

E lus Allahun e Plotfuqishëm të ju ruajë me atë mbrojtje me të cilën i ruan robërit e Tij të mirë.

Shejh AbduRRezak elBedër, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button