Mësimet që nxirren nga fjala e Umerit, radijAllahu anhu: ‘O Serije, mali!’

Mësimet që nxirren nga fjala e Umerit, radijAllahu anhu: ‘O Serije, mali!’

Pyetja:

Allahu ju shpërbleftë me të mira. Pyetës thotë: O i nderuar shejh, cilat janë mësimet që nxirren nga fjala e Umerit, radijAllahu anhu: “O Serije, mali! O Serije, mali!”?

Përgjigjja:

Nga kjo përfitohet se te Umeri, prijësi i besimtarëve, radijAllahu anhu, u shfaq një nga kerametët (mrekullitë) e tij. Sepse Umeri – sipas asaj që ceket në transmetim – po u mbante hutbe njerëzve të xhumasë në minber, dhe iu shfaq para syve Serije, i cili ishte në Irak duke udhëhequr një ushtri të vogël, dhe armiku i kishte rrethuar. Atëherë, gjatë hutbes, ai tha: “O Serije, mali!”, domethënë: ngjitu në mal që të shpëtosh prej armikut tënd.

Njerëzit u habitën nga kjo fjalë e Umerit gjatë hutbes: “O Serije, mali!”. Pastaj ai u shpjegoi se çështja ishte kështu e ashtu.

Nga kjo përfitohet se kerametët e evliave (miqve të Allahut) janë të vërteta. Keramet është çdo gjë jashtë zakonit që Allahu, i Lartësuar dhe i Madhërishëm, e shfaq në dorën e një prej evliave të Tij, si nder për të dhe si dëshmi e drejtësisë së rrugës së tij. Në këtë kuptim, çdo keramet i një evliaje është një argument dhe mrekulli për pejgamberin që ai ka ndjekur.

Por kush është evlia? Evliatë janë besimtarët e devotshëm. Allahu i Madhëruar thotë: أَلَا إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ الَّذِينَ آمَنُوا وَكَانُوا يَتَّقُونَ

“Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje. (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur.” (Junus 62).

Kerameti mund të ndodhë për ta shpëtuar evlianë nga ndonjë vështirësi, ose mund të ndodhë si nderim dhe forcim i thirrjes së tij në fenë e Allahut, nga një anë tjetër.

Gjithashtu, nga ngjarja e Serijes kuptohet se një komandant ushtrie duhet të veprojë sipas asaj që e sheh më të sigurt dhe më të dobishme për ushtrinë.

Nëse armiku e rrethon dhe ai nuk ka fuqi përballë tij, atëherë duhet të kërkojë strehë në shpella, ose në male të larta, prej të cilave mund të kontrollojë armikun dhe të ruhet nga e keqja e tij.

Nga kjo përfitohet gjithashtu se halifja është komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, sepse ai ia drejtoi urdhrin komandantit të ushtrisë, dhe kjo është e saktë.

Përfitohet gjithashtu se, nëse lajmi arrin tek i lajmëruari në çfarëdo mënyre qoftë, atëherë ai e merr parasysh.

Në kohën tonë, ky lloj kerameti nuk i jepet çdo njeriu, por Allahu u ka dhënë robërve të Tij diçka të ngjashme: telefonin, kamerat e videos, faksin – të gjitha këto përcjellin lajmet tek personi i caktuar shumë lehtë. Falënderimi i takon Allahut.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Nurun ala Dërb 353)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button