Gjuha ka dy sprova të mëdha
“Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues” (Kaf 18)
Ibnul-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Gjuha ka dy sprova të mëdha — dhe njeriu, edhe nëse shpëton nga njëra, rrallëherë i shpëton tjetrës:
E para: sprova e të folurit,
E dyta: sprova e heshtjes.
Secila prej tyre, në kohën e vet, mund të jetë më e rrezikshme se tjetra.
Ai që hesht ndaj së vërtetës është si një shejtan memec, mëkatar ndaj Allahut, i dyfytyrshëm dhe servil — nëse nuk e justifikon këtë heshtje me frikën ndaj vetes.
Kurse ai që flet të pavërtetën është si një shejtan që flet, gjithashtu mëkatar ndaj Allahut.
Shumica e njerëzve gabojnë ose në të folur, ose në heshtje — dhe lëvizin vazhdimisht mes këtyre dy skajeve.
Mirëpo, njerëzit e mesëm, ata që ecin në rrugën e drejtë (siratul-mustekim): e ndalin gjuhën nga e kota dhe e përdorin vetëm për atë që u sjell dobi në botën tjetër.
Nuk do ta dëgjosh asnjërin prej tyre të flasë një fjalë që është pa vlerë, e lëre më që ajo të jetë e dëmshme për ta në ahiret.
Sepse njeriu mund të vijë në Ditën e Gjykimit me vepra të mira sa malet, por gjuha e tij t’ia ketë rrënuar të gjitha.
Po ashtu, mund të vijë me mëkate sa malet, por të gjejë se gjuha e tij i ka shkatërruar ato — nga përmendja e shumtë e Allahut dhe fjalët e mira që lidhen me Të.
(edDeu ued-Deveu f.158)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.