Sqarim në lidhje me hadithin që flet për Dexhallin

Sqarim në lidhje me hadithin që flet për Dexhallin

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem mbajti një hutbe para njerëzve dhe tha:

“Dita e triumfit, e çfarë është dita e triumfit? Dita e triumfit, e çfarë është dita e triumfit? Dita e triumfit, e çfarë është dita e triumfit?” – tri herë.

Atëherë i thanë: “Çfarë është dita e triumfit, o i Dërguari i Allahut?”

Ai tha:

“Do të vijë Dexhalli dhe do të hipë në kodrën e Uhudit, pastaj do të shikojë drejt Medinës dhe do t’u thotë shokëve të tij:

‘A po e shihni këtë pallatin e bardhë? Ai është Xhamia e Ahmedit (Muhamedit salAllahu alejhi ue selem).’

Pastaj do të vijë në Medinë dhe do të sheh se në çdo hyrje të saj ka nga një melek me shpatë të hequr nga këllëfi.

Atëherë do të ndalet tek këneta e Xhurufit (lagje në Medine) dhe atje do të vendosë tendën e tij.

Pastaj Medina do të dridhet me tri dridhje të fuqishme dhe nuk do të mbetet asnjë hipokrit apo hipokrite, asnjë mëkatar apo mëkatare, pa dalë jashtë Medines për t’iu bashkuar atij (dexhallit). Pra, kjo është dita e triumfit.” (Tra. Imam Ahmed 4/338; Hakimi 4/427 dhe 543. Dhe ka thënë sahih sipas kushteve të imam Muslimit).

Sqarim si në vijim:

1. Ky hadith është i saktë sipas kushteve të Imam Muslimit.

2. Ky hadith pohon shumë qartë se Dexhalli nuk do të ketë mundësi të hyjë në Medinë.

3. Ky hadith tregon qartë se Dexhalli e sheh Xhaminë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

4. Ky hadith dëshmon se, Dexhalli me fjalën e tij: “A po e shihni këtë pallatin e bardhë? Ai është Xhamia e Ahmedit (Muhamedit salAllahu alejhi ue selem)”, Dexhalli i referohet qartë Xhamisë së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, dhe jo ndonjë pallat mbretërorë përreth Medinës siç pretendojnë injorantët apo bidatçitë.

5. Asnjë prej dijetarëve të hershëm apo të mëvonshëm nuk e ka komentuar këtë hadith ashtu siç pretendojnë këta injorantë ose bidatçinjë. Pra është koment sipas tekeve dhe i pa bazuar.

Shtrohet pyetja:

Përse këta injorantë nuk kanë frikë nga Allahu i Plotfuqishëm dhe e shtrembërojnë qëllimisht interpretimin e hadithit, ndonëse ai është shumë i qartë?

Për më tepër, këta njerëz nuk ngurrojnë ta keqinterpretojnë tekstin apo ta përkthejnë gabimisht, vetëm për të arritur qëllimet e tyre të liga.

Lexues i dashur:

Dituria nuk mësohet nga çdo kush sepse kjo është fe, siç kanë thënë selefi, andaj kini kujdes dhe mos bini pre e mashtrimeve të injorantëve dhe bidatçive!

Përktheu dhe përgatiti: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button