Ura e Siratit!

Ura e Siratit!

Pyetja:

Kjo është një pyetje nga dëgjuesi Muhamed Abdul-Hamid Hatim el-Hulejfi, nga Jemeni që banon në Mekën e nderuar.

Ai thotë:

“Ne e dimë se “Sirati” është i vërtetë dhe nuk ka dyshim në të dhe se patjetër duhet kaluar mbi të. Por kemi dëgjuar një hadith për përshkrimin e tij, i cili thotë: “Se gjatësia e tij është një udhëtim prej njëqind vitesh në zonë të sheshtë, njëqind vitesh në ngjitje dhe njëqind vitesh në zbritje, dhe se ndodhet mbi sipërfaqen e Xhehenemit.” A është i saktë ky hadith? Nëse jo, cili është realiteti i tij dhe kur do të lejohet për ata që e kalojnë për të hyrë në Xhenet? Dhe cili është gjykimi për atë që e mohon ekzistencën e tij?”

Përgjigjja:

“Sirati, ashtu siç e përmendi pyetësi, është i vërtetë dhe besimi në ekzistencën e tij është i detyrueshëm. Ai është prej çështjeve që i besojnë Ehli Suneti dhe xhematit. Sirati është një urë e shtrirë mbi sipërfaqen e Xhehenemit, më e hollë se një fije floku dhe më e mprehtë se shpata.

Sa i përket asaj që përmendet në pyetje rreth gjatësisë së tij, unë nuk njoh ndonjë hadith të saktë nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ta përshkruajë kështu.

Njerëzit do ta kalojnë këtë Sirat sipas veprave të tyre, disa do ta kalojnë shpejt, e disa më ngadalë, varësisht prej ecjes së tyre në rrugën e drejtë të Allahut në këtë botë.

Kush ka qenë i qëndrueshëm dhe i shpejtë në ecjen mbi këtë rrugë në dynja, do të jetë i qëndrueshëm dhe i shpejtë edhe në kalimin e Siratit në botën tjetër. Kush ka qenë më pak i devotshëm, do të kalojë më ngadalë.

Disa njerëz do të bien në Xhehenem gjatë kalimit të Siratit dhe do të ndëshkohen sipas veprave të tyre, pastaj do të shpëtojnë.

Sa për jobesimtarët, ata nuk do të kalojnë mbi këtë Sirat, por do të grumbullohen për në Xhehenem

“…në etje (si kope bagëtish e etur që lëshohet në ujë)”.

| Kur’an • Merjem 86 |.

Ashtu siç thotë Allahu i Plotfuqishëm, ata nuk do të kalojnë fare mbi Sirat – sepse ata nuk ecën mbi rrugën e drejtë të Allahut në këtë botë, ndaj ndëshkimi i tyre do të jetë që të dërgohen në zjarr pa kaluar mbi këtë urë.

I pari që do ta kalojë me umetin e tij është Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Pas kalimit të Siratit, besimtarët do të ndalohen në një vend të quajtur Kantara (vendi ku ndahet drejtësia) mes Xhehenemit dhe Xhenetit. Aty secilit do t’i kthehet e drejta nga ai që i ka bërë padrejtësi.

Pastaj do të hyjnë në Xhenet, pas ndërmjetësimit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tek Zoti i tij për hapjen e portave të Xhenetit. Ai do të ndërmjetësojë tek Allahu i Plotfuqishëm dhe Allahu do t’i hapë portat. I pari që do të hyjë në të do të jetë Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”

Pyetësi:

“Cili është gjykimi për atë që mohon ekzistencën e Siratit?”

Shejhu:

“Nëse ai që e mohon është i paditur, atëherë duhet t’i mësohet kjo çështje derisa ta mësojë.

Nëse i janë bërë të qarta hadithet që flasin për këtë temë, atëherë është e detyrueshme për të të besojë në të.

Por nëse ai e mohon, duke e ditur se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka treguar për të, atëherë ai është bërë mohues (kafir) dhe ka dalë nga feja (murted), sepse e ka përgënjeshtruar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
| Burimi: Nurun ala Dërb 127 |.
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button