Nëntë dobi (koment ajeti)!

Nëntë dobi (koment ajeti)!

“Nëse i pyet, ata do të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim.” Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).”

| Teube 65-66 |.

Ky tregim ka nëntë dobi:

E para: Kush tallet me Allahun, të Dërguarin e Tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe Kur’anin, veçse ka dezertuar nga Islami, me një dezertim që e zhvleftëson Teuhidin. Kjo është arsyeja që autori e ka përmendur këtë ajet, sepse ai që tallet me Allahun, të Dërguarin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe Kur’anin, apo e nënvlerëson diçka prej këtyre, konsiderohet dezertues nga feja Islame dhe ky është dezertim që e zhvleftëson Teuhidin, duke e nxjerrë jashtë fesë Islame.

Sepse këta ishin besimtarë, pastaj dezertuan nga feja përmes kësaj fjale. Argument për këtë është fjala e Allahut të lartësuar: “Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.”

E dyta: Në anuluesit e Islamit nuk tolerohet loja dhe tallja, qoftë seriozisht apo në formë shakaje. Përkundrazi, gjykohet si dezertim dhe dalje nga feja Islame, sepse ata pretenduan se po bënin shaka, ndërsa Allahu i lartësuar nuk e pranoi shakanë e tyre, ngase feja nuk është vend loje apo talljeje.

E treta: Është obligim të urrehet e keqja, sepse Auvf ibën Malik, radijAllahu anhu, e urreu veprimin e tyre, dhe Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e pohoi këtë veprim.

E katërta: Ai që nuk e urren mosbesimin dhe shirkun është pabesimtar. Sepse në këtë rast, një person foli, por Allahu e atribuoi fjalën e tij për të gjithë grupin, duke thënë: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Kjo tregon se ai që pajtohet është si ai që vepron, dhe kjo është një rrezik i madh.

E pesta: Është e lejuar të informohet pushtetari për fjalët e çrregulluesve, hipokritëve dhe thirrësve të këqij, që përpiqen të përçajnë masën dhe të shkaktojnë trazira në mesin e muslimanëve. Kjo është një këshillë e obliguar dhe nuk konsiderohet bartje e fjalëve dhe nuk qortohet për të, sepse Auvf ibën Malik, radijAllahu anhu, veproi kështu dhe Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk e qortoi.

E gjashta: Duhet respektuar dijetarët dhe ndalohet tallja apo ofendimi i tyre. Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve, dhe nënvlerësimi i tyre sjell përçarje dhe nxit dyshim në mesin e muslimanëve.

E shtata: Hadithi tregon një nga mrekullitë e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili u informua përmes shpalljes për këtë ngjarje, para se të arrinte te ai Auvf ibën Malik, radijAllahu anhu.

E teta: Nuk ka justifikim për tallje apo lojë në çështjet që anulojnë Islamin. Megjithatë, justifikohet ai që është detyruar të bëjë shaka apo lojë përmes imponimit, siç përmendet në ajetin e sures Nahël: “…përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim”.

| Nahël 106 |.

E nënta: Është e detyrueshme të jemi të ashpër ndaj armiqve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, përfshirë hipokritët, pabesimtarët dhe thirrësit e këqij, të cilët duhen qartësuar dhe kundërshtuar për të mbrojtur muslimanët.

| Ianetul-Mustefid b’sherhi Kitabu Teuhid, f. 190-192 |
Shejh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Shikoni gjithashtu
Close
Back to top button