Mallkimi dhe përbuzja e vatanit!!


Nga dukuritë negative!

Mallkimi dhe përbuzja e vatanit; aq sa i dëgjojmë disa duke thënë: “Flaka i daltë atij vendi! S’ka gjë prej atij vendi!” E shprehje të tjera të ngjashme. Është për keqardhje kur shpesh herë i dëgjojmë njerëz të tillë, duke e mallkuar dhe përbuzur vendin e tyre!

Nuk ka dyshim se njeriu gjatë jetës se tij has në vështirësi, mirëpo kjo nuk e bën të lejuar mallkimin e vatanit dhe as përbuzjen e tij, sepse vet ardhja e tij në këtë botë nënkupton; se do të sprovohet me sprova të ndryshme!

Allahu i Lartësuar thotë:
Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta dhe nga frytet, po ti përgëzoji durimtarët”

|Bekare 155 |.

Pra, sprovat e godasin robin, por ai duhet të bëj durim! Ta falënderoj Allahun për mirësitë e shumta që i posedon dhe njëkohësisht të kërkojë nga Ai bereqet dhe sukses!

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!””

| Ibrahim |.

Secili duhet ta di se mirësitë e Allahut Fuqiplotë ndaj nesh janë të shumta, ndonëse këtë Allahu e ka cekur edhe në Kur’an:

“Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato”

| Nahl 18 |.

Prandaj, jini të kënaqur me atë që u ka dhënë Allahu dhe kështu do të jeni njerëzit me të lumtur, sepse; Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka thënë: “Ebu Dherrit radijAllahu anhu:

“Më të vërtetë pasuri është kur zemra është e pasur, dhe varfëri është kur zemra është e varfër””.

Do të thotë se pasuri e vërtetë është kur njeriu e ka zemrën e mbushur me iman, të kënaqur me caktimin e Allahut Fuqiplotë, e falënderon për mirësi dhe nuk e përbuzë atë që Ai ia dhuron!

Që të rrijë njeriu vazhdimisht duke mallkuar, sharë dhe duke u ankuar për gjërat e ndryshme, nuk është në rregull dhe nuk bën zgjidhje, sepse kjo është prej rrugës së shejtanit të mallkuar; i cili mundohet ta frikësojë robin me varfëri dhe t’i bëjë shtytje për kryerjen e veprave të liga:

“Shejtani ju frikëson me skamje (varfëri) dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme…”

| Bekare 268 |.

Pra, kjo nuk është rruga të cilën e do Allahu, por këtë e do shejtani i mallkuar, andaj të keni kujdes!

Gjithashtu, Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Mos bëni lutje kundër vetes tuaj, mos bëni lutje kundër fëmijëve tuaj, mos bëni lutje kundër pasurisë suaj…”

| Muslimi |.

Pra, lutja kundër vetvetes dhe gjerave që i posedon njeriu konsiderohet mallkim dhe nuk lejohet! Lexojeni me vëmendje tregimin e popullit të Sebesë, një popull që ka jetuar në Jemen. Tregimi i tyre është përmendur në Kur’an në suren Sebe’ë. Ky popull jetonte një jetë begatshme. Posedonin kopshte të mëdha, në të djathtën e tyre dhe në të majtën e tyre! Përkundër kësaj dhe mirësive të shumta që i posedonin, ata u bën kryeneç, mohues dhe përbuzës ndaj asaj që ua dhuronte Allahu Fuqiplotë, vazhdimisht!

Ata, udhëtonin lirshëm, duke qenë të sigurt dhe i përmbushnin nevojat e veta, mirëpo djalli i mallkuar i mashtroi dhe ata bën një lutje kundër vetes së tyre, duke thënë:

“Zoti ynë, na i largo udhëtimet tona!”

| Sebe’ë 19 |.

Pastaj, në vazhdim të ajetit, Allahu e rrëfen gjendjen e tyre:

“…E ashtu e dëmtuan veten dhe i bëmë ngjarje tregimesh, i ndamë plotësisht. Në këtë ka argumente për secilin durimtarë e mirënjohës”

| Sebe’ë 19 |.

Thërrisni mendjes suaj, si dhe mos bini pre e mashtrimeve të shejtanit dhe argatëve të tij! Punoni për mirëqenien e vatanit tuaj dhe mos e harroni sakrificën e etërve tuaj, të cilët dhanë gjithçka për ju, që ne jemi pasardhësit e tyre. Sepse ndodh, që të na sprovojë Allahu me ndonjë gjë me të madhe dhe pastaj do të kërkojmë atë që e posedojmë tani por ndoshta do të jetë vonë!

Vatani ynë, si asnjëherë më parë, ka nevojë qe secili prej nesh të kontribuoj për të mirën e tij, në forma të ndryshme. Prandaj, kini frikën Allahut Fuqiplotë dhe kontribuoni për të mirën e tij, ose heshtni fare!

E lus Allahu e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta, që ta udhëzojë popullin tonë nga e mira dhe e mbara, si dhe ta bëjë vendin tonë, vend të sigurt dhe të qetë!

~ Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button