Viti i ri dhe bredhi
بِسْمِ اللهِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِيْمِ
Viti i ri dhe bredhi, simbolet e paganizmit, (besimeve të kota)!
Viti i ri dhe bredhi, s’janë gjë tjetër veçse prej traditave të popujve paganë, si shkak i injorancës së tyre ata i shpikën dhe i bënë pjesë të riteve të tyre fetare.
Kjo ndodhi shumë vite para së të krishterët t’i praktikonin, pastaj erdhën të krishterët dhe i përvetësuan dhe kështu vazhdoi praktikimi i tyre edhe në ditët tona.
Me llëmin e dalur nga kjo humnerë, u njollosën edhe disa muslimanë, ku iu bashkuan paganëve dhe të krishterëve në festimin e vitit të ri dhe vendosjes së bredhit!
Kjo festë dhe ky bredh, nuk ka të bëj asgjë me Islamin; fillet i ka thellë në paganizëm, nuk ka bazë as në Dhjatën e re (Inxhilin apo Biblën)mirëpo të krishterët filluan t’i praktikojnë shumë vite me vonë, pastaj fatkeqësisht u shëndrrua në festë edhe tek disa muslimanë.
Sipas gjithë asaj që dihet, kjo festë, posaçërisht vëndosja e bredhit, nga të krishterët, ka filluar të praktikohet në periudhën e Mesjetës në Gjermani, ku aty praktikohej edhe nga idhujtarët e asaj kohe, pastaj është përhapur në Francë, Angli dhe me pas në Amerikë dhe në vende të tjera.
Ajo që duhet ditur, është së çështja e festave është pjesë e adhurimit, kështu që adhurimi bëhet legjitim vetëm nga Allahu i Lartësuar dhe përmes të Dërguarit të Tij salAllahu alejhi ue selem, dhe nga askush tjetër.
Pra, kush merr të drejtën të festojë diçka që vet Krijuesi i Plotëfuqishëm nuk e bëri legjitime?!
Të gjithë ne, duhet të punojmë shumë, me qëllim për ta ngritur vetëdijen fetare tek njerëzit, duke ua bërë të qartë të gjithëve, së kjo përveç se nuk është nga besimi ynë, poashtu, nuk është nga tradita dhe kultura jonë.
Muhammedi salAllahu alejhi ue selem duke na paralajmëruar nga risitë në fe ka thënë:
“Do t’i pasoni traditat e popujve që kanë qenë para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu, madje edhe nëse hynë në vrimën e hardhucës do t’i pasoni”.
| Buhariu dhe Muslimi |.
Pa dyshim, së festimi i vitit të ri apo vendosja e bredhit, siç quhet ndryshe “Pema e Krishtlindjeve”, është nga gjërat e ndaluara në Islam.
Ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith ka thënë:
“Kush i përngjan një populli ai është prej tyre”, e këto gjëra janë nga traditat e tyre.
Allahu i Lartësuar na bëri dy festa, ato janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, ato u legjitimuan sa ishte gjallë profeti ynë, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, kështu që çështja e festave është kryer dhe ka përfunduar.
Andaj, si ka mundësi që muslimani t’i lejoj vetës që të festojë atë që Allahu i Lartësuar nuk ia bëri legjitime?
A nuk është kjo ecje pas hapave të tyre? A nuk është kjo përngjasim me ta? Tamam, ashtu siç i festojnë ata, jomuslimanët festat e tyre, disa nga muslimanët veç se po veprojnë!
Fëmijëve tonë, në vend që t’iu mësohet besimi i tyre, edukata dhe morali Islam, apo ndonjë histori e vërtetë dhe e mirëfilltë, atyre iu ngulitet në mendje festa e Vitit të Ri, bredhi dhe babadimri; përralla dhe gjëra të kota!
Kjo është “edukata dhe kultura” që ua mësojnë fëmijëve tanë, kështu i brumosim mendjet e tyre në gjëra të pavlera, pastaj ngritet një mentalitet i bazuar në paganizëm dhe aspak në fakte dhe vlera!
Të gjithë ne, kemi përgjegjësi të madhe para Krijuesit të Plotëfuqishëm, për atë që na është dhënë nën përkujdesje, duhet të jemi vigjilent, ta parandalojmë të keqen me dorë, gjuhë apo zemër, mos të lejojmë që gjërat e shëmtuara dhe të pavlera të përhapen në shoqërinë tonë.
Në Kur’an thuhet:
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”
| Tahrim 6 |.
Vërtetë, vetëm Allahut të Lartësuar i takon suksesi!
~ Besim Gjelaj