Ligjërata para namazit të xhumasë
Pyetje:
Ligjërata para namazit të xhumasë a lejohet dhe çfarë është gjykimi ndaj saj nëse mbahet rregullisht?
Përgjigja:
Sa i përket ligjërimit i cili behët mes dijetarit dhe nxënësve të tij, kjo nuk ka të keqe, mirëpo, ndalohet mbajtja e ligjëratave në formë rrethi (hallke) sepse kjo shkakton nxënien e hapësirës për ata që vinë në xhami për xhuma.
E nëse është ligjërim i përgjithshëm, siç është ligjërimi përmes zmadhueseve të zërit duke i përfshirë të gjithë njerëzit që janë prezent, kjo është gjë e urrejtur dhe bidat.
Është e urrejtur sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e urrejti veprimin e sahabëve kur ata faleshin veç e veç dhe këndonin me zë, atëherë iu tha salAllahu alejhi ue selem:
“Çdo njeri prej juve e lut Zotin e vet, andaj, mos e pengoni njëri-tjetrin në lexim (lutje)”.
Sepse, ai që e ngrit zërin i pengon të tjerët, ky është shkak pse konsiderohet gjë e urrejtur.
Ajo që e bëjnë njerëzit përmes zmadhueseve të zërit ditën e xhuma i pengon njerëzit, sepse, ka prej tyre që dëshirojnë të lexojnë Kur ’an, dikush ka dëshirë të fal namaz nafile, dikush ka dëshirë të bëj dhiker.
Jo të gjithë njerëzit kanë dëshirë të dëgjojnë atë që ligjëron, kështu që kjo i pengon të tjerët që janë prezent, për këtë shkak e ka urrejt Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem veprimin e disa sahabëve të cilët e ngritnin zërin në lexim pranë njëri-tjetrit.
E sa i përket asaj që kjo është bidat, për arsye së kjo nuk është vepruar në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, duke pas parasysh së Pejgamberi ishte njeriu më i zellshmi në interpretimin e shpalljes dhe ai nuk e bëri këtë ngase dobia e përkujtimit dhe këshillës arrihet përmes hytbes (ligjëratës) legjitime e cila realizohet kur imami vjen në xhami (hip në minber).
Këshilla ime për vëllezërit e mi në çdo vend është që ata ta lejnë këtë veprim për Allahun e lartësuar duke pasur synim afrimin tek Ai, e nëse dëshirojnë t’i këshillojnë njerëzit, le t’i këshillojnë në kohë tjetër ashtu siç e kërkon nevoja.
Shejh Muhamed ibën Salih elUthejmin, Allahu e mëshiroftë!
(Fetawa Nurun ala derb)
Përktheu: Hoxhë Besim Gjelaj