Si ta bëjmë nijetin e mirë në kërkimin e diturisë?

Si ta bëjmë nijetin e mirë në kërkimin e diturisë?

Pyetja:

Cila është këshilla jote për kërkuesin e dijes nga ana e nijetit të mirë?

Përgjigjja:

Këshilla ime për kërkuesin e dijes nga ana e nijetit të mirë është që ai të ketë qëllime të qarta në kërkimin e dijes:

Së pari: Të synojë të përmbushë urdhrin e Allahut; sepse Allahu ka urdhëruar kërkimin e dijes dhe ka lavdëruar dijetarët, duke thënë:

فَأَعْلَمْ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ

“Dije, pra (o Muhamed) se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Allahut…” (Muhamed 19).

Dhe:

يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ

“…Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të larta ata të cilëve u është dhënë dituri…” (Muxhadele 11).

Së dyti: Të ketë qëllim ruajtjen e Sheriatit të Islamit; sepse Sheriati nuk ruhet përveçse nga njerëzit që e njohin dhe që janë pjesë e tij.

Së treti: Të synojë heqjen e injorancës nga vetja e tij; sepse njeriu natyralisht është i paditur dhe nuk di asgjë pa mësuar.

Së katërti: Të ketë qëllim të heqë injorancën edhe nga të tjerët, duke shpërndarë dijen e tij mes njerëzve.

Së pesta: Të ketë qëllim të mbrojë Sheriatin; sepse mbrojtja e Sheriatit nuk mund të bëhet pa dituri. Nëse vjen dikush që të kundërshton për diçka dhe ti nuk ke dituri, nuk do të dish çfarë t’i thuash.

Së gjashti: Të ketë qëllim të veprojë sipas asaj që mëson; sepse ai që vepron sipas dituris së tij, Allahu ia shton diturinë. Allahu i Lartësuar thotë:

وَيَزِيدُ اللَّهُ الَّذِينَ اهْتَدَوْا هُدًى

“Dhe Allahu ua shton udhëzimin atyre që ecin drejtë…” (Merjem 76).

Këto gjashtë gjëra duhet të jenë gjithmonë në mendjen tënde.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(Fetawa Ale Tarik f.98)
Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button